Gjykata Kushtetuese: Jemi të pavarur në ushtrimin e funksionit kushtetues

nga D. V.

Gjykata Kushtetuese siguroi sot publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.

Reagimi i Gjykatës Kushtetuese merr shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias.

“Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve”, thuhet në reagimin e Gjykatës Kushtetuese.

Po ashtu Gjykata Kushtetuese sqaron se “duke marrë shkas nga diskutimet e pjesëmarrësve në një emision televiziv, që kishte në fokus pagat e gjyqtarëve kushtetues, ju bëjmë me dije se informacioni i dhënë në lidhje me pagën që përfiton aktualisht gjyqtari kushtetues është i rremë”.

“Sqarojmë dhe informojmë edhe një herë se paga e gjyqtarit kushtetues është në vlerën neto 304,648 lekë, e cila është shumë e përafërt me pagën e gjyqtarëve të gjykatave të zakonshme. Konkretisht, për referencë, paga e gjyqtarit të shkallës së parë varion nga 280.000-290.000 lekë/muaj neto”, thuhet në njoftim.

“Gjykata, duke pasur parasysh rolin e medias në informimin dhe ndikimin në krijimin e opinionit dhe të perceptimit publik, thekson rëndësinë e verifikimit dhe konfirmimit të çdo informacioni që përcillet prej saj”, përfundon njoftimi i Gjykatës Kushtetuese.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More