Agjencia Zhurnal.mk

Grupi demokrat kundër marrëveshjes për Reformën Zgjedhore

Tiranë, 15 janar – Ditën e djeshme opozita pranoi që të ulej pa kushte në tryezë me Qeverinë për të arritur një marrëveshje për Reformën Zgjedhore.

Në fund të takimit dokumenti i marrëveshjes u firmos nga Damian Gjiknuri i cili përfaqëson mazhorancën dhe dy përfaqësuesit e opozitës Oerd Bylykbashkin e PD dhe Petrit Vasilin e LSI.

Por, ajo që tërhoqi vëmendje ishte mungesa e firmës së deputetes Rudina Hajdari,e cila deklaroi se para se të firmoste duhej që më parë të diskutonte me deputetët e tjerë të opozitës parlamentare.

Deputetët e opozitës parlamentare vendosën ta mbështesin praninë e Hajdarit në përbërjen e këshillit të ngritur të martën, por kanë kërkuar që të përfshihet në të edhe puna që është bërë në vitin 2019 nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, pasi anashkalimi i saj do të sillte nxjerrjen jashtë loje të propozimeve të tyre, si ndryshimi i sistemit zgjedhor.

“Ne parimisht e diskutuam draftin dhe kundërshtojmë paragrafin numër 4, ku nuk përfshihet te objekti i punës ajo që kemi bërë në vitin 2019”, tha deputeti Korab Lita. “Nuk duam vetëm arnime në kodin zgjedhor. Absolutisht që i mbështesim, por nuk është e mjaftueshme”, tha deputeti tjetër, Arben Elezi. “Ne kërkojmë ndryshimin e sistemit që është i marrë peng. Nuk e kuptoj pse e kanë frikë partitë opozitare”.

Ndërkohë, Alban Zeneli paralajmëroi se votat e opozitës parlamentare nuk janë të garantuara. “Duhet t’ia heqim monopolin kryetarëve të partive, aq shumë të mirëpritur nga qytetarët shqiptarë. Në çdo rast tjetër, unë, por jam i bindur edhe kolegët e mi, nuk do të japim votën për arnime. Sidomos kur vijnë nga tryeza jo institucionale, siç ishte rasti i fundit”, tha ai.

Reforma u ra dakord që të diskutohet dhe hartohet jashtë parlamentit në tryezën politike të partive, dhe produkti i saj konsensual të miratohet pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti.

Në Këshillin Politik të ngritur mes pozitës dhe opozitës marrin pjesë përfaqësues të opozitës së bashkuar, drejtuesit e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, si dhe përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvend.

Shumica ra dakord të mos ndryshojë produktin e dakortësuar me opozitën, në Komision apo në seancë plenare. Krahas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, palët ranë dakord të diskutojnë edhe çdo problematikë tjetër zgjedhore, që i shërben arritjes së standardeve zgjedhore ndërkombëtare./ Opinion.al

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...