Grupimi i Alibeajt, kërkesë për Komision të Posaçëm për reformën “Pakti për fëmijët”

nga D V

Një grup deputetësh të opozitës, kanë propozuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar “Për reformën “Pakti për fëmijët”, i cili do të hartojë një strategji kombëtare për fëmijët në vendin tonë.

Kjo kërkesë e deputetëve të opozitës mori shkas nga ngjarja tragjike e 18 nëntorit, ku pak metra larg shkollës ”Fan Noli”, u qëllua me thikë për vdekje 14-vjeçari Martin Cani.

Ky komision i posaçëm, ka për qëllim të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi të legjislacionit dhe institucioneve përgjegjëse për garantimin e sigurisë së fëmijëve.

Sipas deputetëve është e nevojshme një ndërhyrje serioze për çështjet që prekin fëmijët.

“Ne deputetët nënshkrues të këtij propozimi, duke iu referuar depozitave të rregullores së Kuvendit të Shqipërisë paraqesim kërkesën për ngritjen dhe funksionimin e një komisioni të posaçëm parlamentar i cili do të mandatohet për hartimin e një strategjie kombëtare për fëmijët të quajtur “Pakti për Fëmijët”. Ky dokument synohet të jetë një platformë kohezive dhe bashkëkohore që do të adresojë nevojat aktuale dhe do të ofrojë zgjidhje të cilat përkojnë me interesat më të larta të qytetarëve. Dokumenti synon të tejkalojë çdo lloj interesi apo ideologjie partiake duke reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe jo politizuese”, tha Bakiu.

Sipas deputetëve të opozitës, Kuvendi sot është në kushtet që duhet të luajë rolin e vet kushtetues dhe kjo është arsyeja pse ata zgjodhën këtë instrument si më të përshtatshmin për të arritur këtë objektiv.

“Vetëm një komision i posaçëm parlamentar mund të ofrojë një kornizë harmonike dhe gjithëpërfshirëse e cila shmang fragmentimin dhe politizimin që shpesh ndodh me nismat individuale apo të pjesshme. Ky komision do të punojë si një forum i përbashkët dhe gjithëpërfshirës ku përfaqësues nga të gjitha forcat politike, ekspertët e fushës dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile do të punojnë së bashku për të përmbushur këtë objektiv të rëndësishëm”, tha Bakiu.

Kërkesa është nënshkruar nga disa deputetë, përfshirë Flutura Açkan, Enkelejd Alibeajn, Dashamir Shehin, Merita Bakiun, Arbi Agalliun. /j.p/

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More