Shkup, 5 prill – Se korrupsioni është kancer i vendit që shkatërron dalëngadalë si të tashmen ngjashëm edhe të ardhmen është e pa kontestueshme. Për korrupsion flet shumëkush e të paktë janë ato që hetojnë e sanksionojnë. Dikur LSDM për t’i dhënë kuptim shprehjeve se po luftojnë korrupsionin dënonte disa policë e doganier kufitarë që korruptoheshin me pak euro, a nga ana tjetër e pushtetit qendror qarkullojnë miliona euro. Ambasada e SHBA-së dhe ambasadori i BE-së janë të vetmit që ngrisin alarme shqetësimi kundër korrupsionit si një dëmtuesit më të mëdhenj të vendit. Pra, se ka korrupsion të hatashëm në vendin tonë kuptohet edhe nga alarmet e ambasadores amerikane që nuk janë të rralla, ajo së fundmi të gjithë të përfshirit në korrupsion i ka quajtur hajdutë që vjedhin buxhetin dhe të ardhmen e shtetit, shkruan Zhurnal.
Aggeler: Korrupsioni është epidemi në Maqedoninë e Veriut
Ambasadorja amerikane në RMV, Angela Aggeler, në TV21 ka folur për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, korrupsionin në vend, listën e zezë të SHBA-së, shtetin e së drejtës. Ageler thotë se korrupsioni është kancer në Maqedoninë e Veriut dhe se ka përmasa epidemike.
“Korrupsioni mendoj se është epidemi, është kancer në këtë vend. Unë besoj që ata që janë të përfshirë në akte të korrupsionit janë hajdutë. Besoj se janë duke vjedhur nga ky shtet dhe nga qytetarët. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për para, besoj që janë duke vjedhur edhe mundësinë, besoj se janë duke vjedhur në shumë instanca edhe shpresën dhe se njerëzit e këtij shteti meritojnë të kenë liderë, nisma për biznes dhe sipërmarrës të sinqertë”, tha Aggeler.
Sipas saj, zgjedhjet që po vijnë, janë zgjedhje ku do të vendoset e ardhmja e Maqedonisë së Veriut. “Unë besoj se rrugëtimi i ardhshëm i këtij vendi do të vendoset në shumë mënyra nga zgjedhjet që vijnë”, tha ambasadorja Aggeler.
BE e shqetësuar se nuk po zbatohen rekomandimet e Komisionit Antikorrupsion –
Ambasadori evropian në Shkup, David Geer tha sot se është i shqetësuar për zbatimin e dobët të rekomandimeve të Komisionit Antikorrupsion.
Ai theksoi se të gjitha rekomandimet e këtij komisioni dhe të Auditorit të Shtetit nuk janë sekrete, por janë të disponueshme për publikun dhe qytetarët presin që ato të zbatohen në vazhdimësi.
“Puna e Komisionit Antikorrupsion është e një rëndësie të madhe sepse shfaqi shqetësim dhe ngriti çështje që prekin qytetarët dhe institucionet. Është e vërtetë se të gjitha ato rekomandime që vijnë nuk zbatohen, janë shqetësuese për të gjithë ne”, tha Gir gjatë dhurimit të autoambulancave për Emergjencën e Shkupit. Ai nënvizoi se me kalimin e viteve përqindja e zbatimit të rekomandimeve që dalin nga Komisioni Antikorrupsion ka ardhur në rënie.
Raporti i Transparency International për korrupsionin Maqedonia e Veriut në vendin e 85-të –
Në indeksin ndërkombëtar për perceptimin e korrupsionit në botë nga “Transparency International”, Maqedonia e Veriut është në vendin e 85-të nga 180 vende, në shoqërinë e Surinamit, Indisë, Maldiveve, Guajanës dhe Tunizisë.
Indeksi rendit 180 vende dhe territore në mbarë botën sipas perceptimit të qytetarëve për korrupsionin në sektorin publik dhe vlerësohet në një shkallë nga 0 (shumë e korruptuar) në 100 (shumë e pastër). Në krye të kësaj liste është Danimarka, Finlanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Singapori, Suedia.
Kujtojmë se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar të jetë në shënjestër të kritikave serioze për shkak të vendimeve skandaloze, të cilat kanë krijuar me të drejtë perceptimin te qytetarët se në këtë vend të vogël, ndëshkohen vetëm të pafuqishmit. Lufta kundër korrupsionit ka dështuar, prandaj ndërkombëtarët edhe këtë vit e kanë qortuar RMV-në, derisa të rinjtë po largohen për të gjetur një vend ku shteti të gjithë i trajton në mënyrë të barabartë.
“Që të sigurohet përgjegjësia dhe të tregohet vullnet i vërtetë për luftën anti-korrupsion, Qeveria duhet që në mënyrë adekuate të sigurojë resurve dhe të mundësojë pavarësinë e Komisionit Antikorrupsion dhe të institucioneve përgjegëjse për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar” – thonë nga Transparency International.
“Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut është kancer me metastaza që çdoherë pengon progresin”
Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, 31 vite shtet, përgjatë gjithë kësaj periudhe është përballë me luhatje e lëkundje të ndryshme që kanë dridhur edhe rrënjët e shtetit, por ja që të gjitha këto kanë qenë edhe të përballueshme e tejkaluese. Por, ajo që nuk po kalon dot e për të cilën mund të konstatohet lirshëm se është “sëmundje” kancerogjene që po dëmton në palcë shtetin tonë, është korrupsioni. Temë e stërfolur por pa ndonjë epilog konkret, komisione të shumta, apele të veçanta, veting i premtuar për çdo vit, e çka jo tjetër, vetëm për t’i shpallë luftë korrupsionit.
Megjithatë, një luftë e tillë ende nuk është parë në terren, ajo që publikohet në rrjete sociale dhe që thuhet në fushatë elektorale është krejtësisht tjetër dhe ka dallim të madh nga ajo që shihet në praktikë. Maqedonia e Veriut shtet i pavarur që 31 vite, që 17 vite shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ende nuk ka marrë datën për fillim të negociatave me BE-në. Kjo mbase edhe nuk po ndodhë rastësisht e as për inati të askujt, po ndodhë sepse Maqedonia e Veriut po ka problem serioz me korrupsionin, e që në BE nuk pranohen shtetet që kanë problem me korrupsionin. /Zhurnal.mk