Kosovë

Haki Rugovës i caktohet masa e arrestit shtëpiak

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për krime të rënda, i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji, kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugovës.

“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për krime të rënda, ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit H.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale konflikt i interesit, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale falsifikim i dokumentit zyrtar”, thuhet në njoftim e Gjykatës.

Masë arresti shtëpiak prej një muaji i është caktuar edhe të pandehurit tjetër L.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim i dokumentit zyrtar.

Ndërsa, për të pandehurin F.B, i dyshuar se në bashkëkryerje me të pandehurit H.R dhe L.B kishte për të kryer veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar, prokurori i shtetit në seancë hoqi dorë nga propozimi për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova i arrestuar dy ditë më parë nën dyshimin për kryerje të veprës penale keqpërdorim i pozitës zyrtare, konflikt interesi dhe falsifikim i dokumentit është paraqitur të dielën në një seancë dëgjimor në Gjykatën Themelore në Pejë.

Besnik Berisha, avokati i kryetarit Rugova, pas përfundimit të kësaj seance tha para gazetarëve se në seancën e sotme kanë dorëzuar prova të cilat tregojnë pafajësinë e kryetari të Komunës së Istogut.

“Kemi dorëzuar prova për secilin pretendim, kemi dorëzuar prova që nuk bëhet fjalë për falsifikim, kemi dorëzuar prova që nuk bëhet fjalë për shpronësim të kundërligjshëm dhe prova të tjera”, tha Berisha, duke shtuar se gjykata është duke trajtuar pretendimet e paraqitur dhe ende nuk dihet se çfarë mase do të vendoset për kryetarin Rugova.

Haki Rugova është nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në një konferencë për media të mbajtur të dielën, kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se nëse procesi gjyqësor ndaj Rugovës zvarritet, atëherë arrestimin e tij do ta konsiderojë si arrestim me qëllim që ta dëmtojë partinë, e cila aktualisht udhëheqë me vendin.

Related posts

Kosova ndër pesë vendet me situatë më të mirë pandemike në Evropë

admin

Hoti merr pjesë në përurimin e një shkolle në Lipjan, kërkon që të respektohen makismalisht masat

admin

Deputeti i AAK-së sërish publikon dokumente që dëshmojnë krimet serbe në Kosovë

admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...