Hapet Samiti i katërt digjital i Ballkanit Perëndimor në Podgoricë

Podgoricë, 11 tetor–  Samiti i katërt digjital i Ballkanit Perëndimor, kushtuar bashkëpunimit në fushën e transformimit digjital në rajon dhe perspektivën digjitale në kontekst të integrimit evropian, u hap sot në Podgoricë.

 

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu në fillim të takimit tha se agjenda digjitale e Ballkanit Perëndimor është mjaft ambicioze dhe pjesë integrale e krijimit të tregut të përbashkët rajonal për Ballkanin Perëndimor por se rajoni është duke bërë hapa stabil drejt përmbushjes së saj.

Transformimi digjital është një proces që kërkon investime në njerëz, teknologji dhe sisteme. Kërkon të mendosh jashtë kornizave dhe të kërkosh mënyra novatore për të korrur përfitime nga teknologjitë e reja. Besoj se samiti digjital i këtij viti do të jetë baza për një debat të frytshëm dhe arritjen e marrëveshjeve të rëndësishme,” tha Bregu, njofton raportuesi i MIA-s nga Podgorica.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve përmes video lidhjes, Bregu theksoi se një prej rezultateve konkrete të transformimit digjital të rajonit është heqja e roamingut në Ballkanin Perëndimor nga 1 korriku i këtij viti, derisa procesi vazhdon me plan konkret për uljen çmimit të roamingut midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së deri në vitin 2027.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë progres, por ne akoma ngecim pas asaj që kolegët tanë e kanë arritur në BE. Kur bëhet fjalë për aftësitë digjitale, dy  të tretat e njerëzve nuk kanë aftësi të mjaftueshme për të përdorur botën digjitale ndërsa një e pesta përdorë internet që të lidhet me shërbimet publike në vitin 2019. Këta numra, u rritën me pandeminë, por akoma duhet të punojmë”, tha Bregu.

Sipas saj, në samitin në Podgoricë do të bisedohet edhe për përmirësimin e infrastrukturës digjitale që të sigurohen “shërbime më të shpejta, më të lehta dhe më të lira për të gjithë qytetarët” si edhe nevojën e vendosjes “së qarkullimit të të dhënave si liria e pestë e tregut të përbashkët me qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve”.

“Pa letër, në mënyrë digjitale, pa kufij. Këto janë sinonime për shërbime më të shpejta, më të lehta dhe më të lira për të gjithë qytetarët”, theksoi Bregu.

Ajo gjithashtu publikoi se në samitin në Podgoricë, gjashtë fitues të garës rajonale onlajn Ballkaton 2021 për zgjidhjen më të mirë digjitale, të organizuar nga Këshilli për bashkëpunim rajonal, prej gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor do t’i prezentojnë aplikacionet e tyre fituese.

Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për rrjete komunikuese, përmbajtje dhe teknologji, Robert Viola, në hapje e theksoi rëndësinë e aftësive digjitale, duke theksuar se për dhjetë vite do të jenë të domosdoshme për punë.

Porositi se BE do të vazhdojë me mbështetjen dhe së bashku me fondet evropiane, do të punojë drejt përmbushjes së qëllimeve të dekadës digjitale edhe për qytetarët edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Certifikata evropiane digjitale për kovid dëshmoi se administrata mund të japë zgjidhje efikase. BE është duke lëvizur drejt gjeneratës së ardhshme të zgjidhjeve të tilla interaktive me opinionin, të quajtur Identitet evropian digjital. Në bazë kjo do të thotë se nga smartfoni juaj mund ta vërtetoni identitetin tuaj, patentë shoferin, të hapni llogari bankare, të nënshkruani marrëveshje dhe të bëni gjithçka dëshironi në mënyrë shumë të thjeshtë, përmes aplikacionit të thjeshtë. Ne jemi të lumtur ta ndajmë punën tonë me Ballkanin Perëndimor dhe konceptin e identitetit digjital të paraqesë bazë për zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të shërbimeve publike digjitale”, deklaroi Viola.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Anri P. Kluge, paralajmëroi se sot do të lansohet rrjeti i parë subrajonal i shëndetit digjital OBSH – Ballkani Perëndimor.

“Kjo nismë paraqet nivel të ri të dukshmërisë, përfshirjes, standardizimit dhe bashkëpunimit në procesin e digjitalizimit të sektorëve shëndetësorë të ekonomive të juaja. Parimet e barazisë, gjinive dhe të drejtave të njeriut janë baza e këtij rrjeti, me qëllim që të garantojnë se asnjë individ nuk është i margjinalizuar ose i parandaluar nga qasja në shërbimet shëndetësore digjitale. Shëndetësia digjitale është vegël për barazim dhe unifikim të të gjitha shoqërive”, theksoi Kluge.

Sipas tij, me rëndësi thelbësore është të transformohet shëndetësia nga sistemi reaktiv i shuarjes së zjarrit, siç është rast për momentin, në sistem i cili parasheh pika potenciale të cilat mund të ndodhin dhe të parandalojnë zjarre.

Samiti i sivjetmë digjital mbahet në formë hibride, pjesërisht në Qendrën muzikore në Podgoricë dhe onlajn. Samiti është pjesë e Procesit të Berlinit dhe Plan veprues për treg të përbashkët rajonal për Ballkanin Perëndimor, të miratuar në Sofje në nëntor 2020. 

Related posts

Mariçiq: Qytetarët tashmë filluan në mënyrë elektronike të marrin vërtetimet për evidencën penale

D V

Menduh Thaçi fton ata që u larguan nga PDSH, hajdeni prap sepse PDSH është shtëpi e madhe

Redaksia

Ndërhyrja e DEA-s në Maqedoni vjen nga mosbesimi i shtetit për drejtësi dhe rritjen e kriminalitetit në vend!

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More