Hasani vizitë zyrtare në Ankara, takim me homologun Fidan: Avancim i shkëmbimeve tregtare

nga D V

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi sot vizitë zyrtare në Ankara, Turqi me ftesë të homologut turk Hakan Fidan.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se Hasani u prit në një takim të përzemërt nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Hakan Fidan, me të cilin zhvilloi një shkëmbim të frytshëm mendimesh lidhur me zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, në të gjitha fushat me interes të përbashkët, por edhe për sa i takon bashkëpunimit rajonal, zhvillimeve në rajon, Evropë dhe më gjerë.

Në lidhje me vizitën e sotme zyrtare në Ankara, ministri Igli Hasani  u ndal tek temat e diskutuara.

“Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqja e investitorëve turq në Shqipëri që ofron gjithmonë potencial të lartë e të favorshëm investimi, avancimi i shkëmbimeve tregtare me objektiv shifrën e 2 miliard eurove, dinamikat rajonale e më gjerë për sigurinë e stabilitetin, forcimi i bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, Samiti i VI-të i Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në maj 2025 në Tiranë, etj. – ishin disa prej temave që diskutuam me mikun e mirë, Hakan Fidan”, u shpreh Hasani.

Në zbatim të Deklaratës se Partneritetit Strategjik, nënshkruar më 6 janar 2021, ky është takimi i tretë i Grupit për Dialog Politik, në nivel Ministrash të jashtëm, i cili po punon për përgatitjen e takimit të radhës së Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit, kryesuar nga Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdoğan.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Turqi, ministri Hasani vizitoi edhe Mauzoleun e Ataturkut, ku vendosi një kurorë me lule në nderim të themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Atatürk.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More