Agjencia Zhurnal.mk

Haziri: Gjilani është përgatitur maksimalisht për fillimin e vitit të ri shkollor

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit të bordit të drejtorëve, ka mbajtur konferencë me gazetarë, ku ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor, konform edhe vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe kërkohet bashkëpunim maksimal i prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësve që gjithçka të jetë në rregull.

“Komuna e Gjilanit ka qenë e përgatitur për të filluar mësimin edhe më 1 shtator, mirëpo kemi zbatuar vendimin e ministrisë dhe kërkesën e sindikatës së arsimit për fillimin e mësimit më 14 shtator. I uroj nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, për një fillim të mbarë të vitit shkollor dhe i lus që t’u përmbahen rekomandimeve të institucioneve komunale dhe rekomandimeve të shtetit për respektim të masave mbrojtëse kundër Covid-19. Është e domosdoshme që të respektohet distanca, të barten maskat dhe të jetë kontakti i vazhdueshëm mes prindërve dhe mësimdhënësve për gjendjen e fëmijëve në aspektin shëndetësor”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai më tej njoftoi se është bërë edhe testimi i të gjithë mësimdhënësve të cilët kanë sëmundje kronike, për të qenë edhe më të sigurtë në fillimin e mësimit.

Kryetari Haziri potencoi se nxënësit e shkollës së Artit Pamor, në bazhkëpunim me drejtoreshën Deniza Limani, kanë punuar shenjëzimet edukuese për fëmijët dhe qytetarët në përgjithësi, të cilat janë duke u vendosur në shkolla dhe institucione publike për mbrojtje nga Covid-19.

Ndërsa, drejtori Nazim Gagica, ka falënderuar kryetarin për angazhimin e ekipit të gjerë të mjekëve për kujdestari në shkolla dhe kontrolla të vazhdueshme, sikur që ka bërë edhe furnizimin me pompa për dezinfektim ditor të objekteve shkollore me përfshirjen edhe të inspektorëve të arsimit dhe ekipit të menaxhimit të emergjencave, që gjithçka të jetë në rregull dhe në normalitet.

Në kuadër të një ambienti të shëndosh, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, që udhëheq aksionin për pastrimin e ambientit, ka bërë të ditur se shtatori dhe tetori janë muajt kur do të bëhet faza e dytë e pastrimit të përgjithshëm të ambientit, nga të gjitha llojet e mbeturinave.

“Në fazën e parë kanë qenë të përfshirë drejtorët, pjestarët e FSK-së, Policisë së Kosovës, nxënësve etj, dhe tani në këtë fazën e dytë kërkohet një angazhim edhe më i madh, duke përfshirë qytetarët nëpër lagjet e tyre, që bashkërisht ta kthejmë Gjilanin në qytet të pastërt dhe të shëndosh njëkohësisht. Në këtë fazë do të ketë angazhim edhe në fushën e gjelbrimit dhe mbjelljes së drunjve dekorativ”, ka potencuar nënkryetari Ismajli, në fjalën e tij.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

S.B.

Lajmet e fundit

Loading...