“Hidrodrini” nuk ka laborator të akredituar për analiza të cilësisë së ujit

Kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini” nuk posedon laborator të akredituar për të kontrolluar cilësinë e ujit të pijes, ndërsa trajtimi i vetëm i ujit nga kjo kompani është përmes klorit.

 

Këto i ka bërë të ditura drejtori i Kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hodrodrini”, Agron Tigani, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ku të ftuar kanë qenë të gjithë kryeshefat e KRU-ve regjionale ku është diskutuar për perfonamcën e tyre, si dhe drejtoresha e ARRU-së Hajrije Morina.

Tigani bëri të ditur se si kompani e posedojnë laboratorin, por që i njëjti nuk është akredituar nga institucionet e Kosovës. Ai potencoi se aktualisht bërjen e të gjitha analizave për regjionin që mbulon “Hidrodrini” e ka Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, i cili tha se bënë mesatarisht 230-240 mostra gjatë një muaji.

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ai ka prezantuar edhe të gjitha masat që kanë ndërmarrë pas njoftimit se një numër i madh i qytetarëve janë dyshuar se janë helmuar nga uji i pijes në qytetin e Deçanit.

“Hidrodrini ka laboratorë, por nuk e ka të akredituar, Hidrodrini ka pasur qysh prej fillimit laboratorë ku merren mostrat për nevoja tona, në qoftë se kemi plasaritje të gypit, i marrim mostrat këqyrim mos kemi ndonjë kontaminim. Për që nuk jemi të akredituar jemi në procesin e tenderimit për akreditim, pajisjet të gjitha për akreditim laboratorike janë blerë dhe janë në laboratorë, por ne presim akreditimin…Ujin e trajtojmë vetëm me klor, me klor e klorinojmë, ka raste kur kualiteti i ujit në burim është super i mirë edhe në rrejt edhe pa klor, por klori është si preventivë që mos me pas ndonjë farë ndotje apo kontaminimi, është si preventivë klori”, tha ai.

Ai tha se aktualisht autonominë për bërjen e mostrave e ka Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, i cili tha se bënë mesatarisht 230-240 mostra gjatë muajit.

Drejtoresha e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, Hajrije Morina, tha se vetëm “KRU Prishtina”, “Gjakova” dhe së fundi edhe “KRU Prizreni” kanë laboratorët e akredituar.

“Sa i përket akreditimit të laboratorëve të ndërmarrjeve të ujësjellësit, në këtë fushë vetëm ujësjellësi Prishtinë dhe i Gjakovës janë të akredituar, kam informata që edhe Prizreni së voni e ka akredituar, këto tjerat janë në proces të akreditimit. Mirëpo, edhe të akredituarat jam shumë e vetëdijshme që stafi në ndërmarrjet e ujësjellësit ka nevojë shumë për trajnime dhe janë të etur për trajnime në mënyrën se si duhet të bëhen ato analiza në mënyrë profesionale. Në këtë drejtim ka shumë punë për t’u bërë, megjithatë kanë nevojë të gjitha kompanitë kanë nevojë me u trajnua qysh duhet me u bë ato analiza”, u shpreh ajo.

I ashpër me kritika për mungesën e laboratorëve në Kompaninë e ujësjellësit regjional “Hidrodrini” ka qenë deputeti i LVV-së, Armend Muja. Ai tha se është një dështim i një dekade tek kjo kompani për të siguruar laboratorë të cilësisë.

“Pse po dashka ‘Gjakova’ dhe ‘Prishtina’ me pas laboratorë, e ju nuk keni laboratorë, do të thotë ka ujësjellës rajonal që kanë ndërmarrë hapa me akreditua laboratorët e cilësisë, ju nuk keni laboratorë të cilësisë. Kjo është një nga kushtet bazë të licencës që ju jepet juve është me pas laboratorë të cilësisë. Sa dekada ju duhen me pas ju një laboratorë të cilësisë, ai është ujë, konsumohet nga qytetarët, gjithkund mundet me pas tolerancë, por jo këtu. Unë po flas për një dështim një dekadë tek ‘Hidrodrini’”, tha Muja.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka pyetur drejtorin e “Hidrodrini” se a kanë kamera të sigurisë në të gjitha burimet, pasi sipas tij sistemi i monitorimit me kamera 24 orë është e vetmja mënyrë për të garantuar siguri.

“A ki mungesë të njerëzve fizik, a ki kamera sistemin vëzhgues 24 orë që janë alfa omega e sigurisë dhe nëse nuk ki pse nuk ki, a është mungesë e buxhetit, a faktorit njëri, a neglizhencës apo me thënë vëlla nuk kam pasur buxhet. Për politikë bëjmë ne, t’u kisha lut se jam duke të pyetur si menaxher për përgjegjësinë që e ke”, tha ai.

Në përgjigjen e tij, kryeshefi i Kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hodrodrini”, Agron Tigani, tha se është e pamundur të ketë sigurim në secilin burim, ku përmendi se vetëm në komunën e Deçanit janë 40 burime që i posedojnë.

“Në disa burime që janë kryesore kamerat janë, në fshatra me kapacitet më të vogël nuk kemi, ka qenë e pamundur me u vendos edhe faktikisht nuk kemi planifikuar vitin planifikues, tash është jep si ide me këto solare me këqyrë me bë diçka me i vendos atje ku janë burimet dhe me i vëzhgua meqë janë diku, 18, 19, 23 kilometra”, tha ai.

Deputeti i LVV-së Driton Hyseni, ka ngritur si shqetësim reduktimet me ujë të pijes në komunën e Podujevës, që sipas tij ka po ndodhin deri në 12 orë dhe atë gjatë ditës.

Në përgjigjen e tij, Sokol Xhafa, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të “KRU Prishtina”, tha se ka pasur reduktime për shkak se gjatë ditëve kur temperaturat kanë qenë shumë të larta ka pasur keqpërdorim të ujit të pijes.

Po ashtu, ai tha se infrastruktura që është trashëguar në Podujevë nuk i përshtatet kërkesave për furnizim me ujë të pijes.

“Për shkak se gjatë javës që shkoj deri ditën e premte i kishim temperaturat jashtëzakonisht të larta dhe rrjedhimisht kjo shoqërohej edhe me keqpërdorues të mëdhenj të ujit. Ne si ndërmarrje çka kemi bërë me stafin që kemi ndryshuar orarin e inspektimit dhe po inspektojmë nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 12 të mesditës dhe nga ora 16 deri në ora 22 të darkës, me qëllim që të parandalojmë keqpërdoruesit”, tha ai.

Në këtë takim ku morën pjesë të 7 kryeshefat e KRU-ve regjionale u tha se Komisioni për Ekonomi do të monitorojë të njëjtat për shkak se uji është ndër sektorët më të rëndësishëm të vendit.

Related posts

Rreth 8 mijë nënshkrime për vendosjen e shtatores së Adem Jasharit në Prishtinë

D V

Kurti për reciprocitetin e targave: Nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, po zbatohet një marrëveshje për të cilën është pajtuar edhe Serbia

D V

Aksident trafiku në magjistralen Podujevë-Prishtinë, vetura përfundon jashtë rrugës

Lea Muslija

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com