Agjencia Zhurnal.mk

Histori/14 Mars, dita kur filloj lufta në malësinë e Tetovës, 19 vite pas shënohet pa aktivitete

Tetovë, 14 Mars – Në Maqedoni shënohet dita e fillimit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që nisi më 14 mars të vitit 2001 në fshatrat e malësisë së Tetovës. Me rastin e përvjetorit të fillimit të luftës së UÇK-së zakonisht organizohen aktivitete përkujtimore për nderim të të rënëve e parë të luftës së UÇK-së, mirëpo këtë vit për shkak të shpërthimit të Koronavirusit janë pezulluar aktivitete të ngjajshme.

Më 14 mars të vitit 2001 forcat speciale maqedonase sulmuan fshatrat e malësisë së Tetovës. Lufta në Republikën të Maqedonisë ishte një konflikt i armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve i cili ndodhi në vitin 2001. Pikërisht sot më 14 mars, 19 vjet më parë në Tetovë filluan krismat e para e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtarë në Kalanë e Tetovës. Në këtë ditë ishte thirrur një protestë masive nga shoqatat joqeveritare si ajo e ish të burgosurve dhe përndjekurve politik shqiptarë, Shoqata e Gruas Shqiptare dhe shoqata tjera.

Brohoritjet e shumë protestuesve shqiptarë ishin të shumta por e veçanta e kësaj proteste ishte pikërisht në momentin kur protestuesit brohorisën “Ndal dhunës ndaj shqiptarëve”, për një çast u zëvendësuan me brohoritjet “UÇK, UÇK”, të cilat brohoritje pasuan pas krismave të para të ushtarëve të UÇK-së në Kalanë e Tetovës. Ishte 13 marsi i vitit 2001, kur tre grupe të UÇK-së, me nga 11-12 veta u ngjitën rreth kalasë së Tetovës e cila është një pikë strategjike. Grupi i parë i luftëtarëve u vendos brenda në Kala ndërsa grupi i dytë u pozicionua në krahun e majtë të Kalasë, në vendin e quajtur Stermoll. Grupi tjetër i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare u përqendrua në fshatin Gajre, që i bie të jetë krahu i djathtë mbrojtës i Kalasë së Tetovës. Po atë ditë në fshatin Sellcë u instalua njësiti i parë i Logjistikës së UÇK, që do luante një rol të rëndësishëm.

Këta tre grupe me nga 11-12 shqiptar do të krisnin pushkën e parë paraditen e 14 mars 2001. Ajo pushkë nuk do të trondiste vetëm Tetovën, por të gjithë Maqedoninë. Jehona e kësaj krisme do të dëgjohej kudo.

Shkatërrimi i RSFJ-së dhe mëvetësimi i Republikës të Maqedonisë shkaktoj ndryshime të thella politike, shoqërore dhe ekonomike në vend. Pluralizmi manifestohej me formimin e partive politike të cilat, në vend të atij ideologjik, kishin karakter të fuqishëm etnik. Si rezultat i këtij tranzicioni, një pjesë e madhe e popullsisë mbetet pa punë, kurse varfëria, korrupsioni, kriminaliteti dhe kriza ekonomike marrin përmasa shumë të mëdha. Ekonomia e shkatërruar, aferat dhe skandalet politike, korrupsioni dhe marrëdhëniet e keqësuara ndëretnike edhe më shumë e destabilizuan vendin.

Duhet të theksohet fakti se me Kushtetutën e vitit 1991, shqiptarët i humbën të drejtat të cilat, formalisht, i gëzonin me Kushtetutën e vitit 1974. Për këto shkaqe Kushtetuta u miratua pa votat e deputetëve shqiptarë në Parlament. Periudha e viteve 2000-2001, në Republikën e Maqedonisë karakterizohet me ndryshime të ndërlikuara shoqëroro-ekonomike dhe politike si rezultat i tranzicionit.

Shumë kapacitete industriale falimentuan dhe u mbyllën, një pjesë e madhe e popullsisë mbeti pa punë dhe varfëria morri hov. Privatizimi ishte i shoqëruar me parregullshmëri të ndryshme, dobësi të legjislacionit dhe keqpërdorime të rënda. Qeveria aktuale në të cilën participonin edhe shqiptarët nuk mundej ta përballonte më këtë situatë në vend. Partitë politike ishin të formuara në baza etnike.

Rrethanat politike situatën në vend e bënin të pasigurte, më së shumti për shkak se për Maqedoninë ishin vitet e para si shtet i pavarur. Periudha e viteve 2000-2001 karakterizohet me papunësi të madhe (400.000 persona të aftë për punë janë të papunësuar kurse 80.000 familje marrin ndihma sociale) dhe me procesin e papërfunduar të privatizimit i shoqëruar me pro¬cedura për falimentim për shumë ndërmarrje. Vërehet rënie e standardit të jetës.

Jeta politike karakterizohet me parti një etnike, ndërsa Qeveria udhëhiqej nga parti nacionaliste. Qeverisja ishte e centralizuar, kurse sistemi juridik dhe ligjet nuk ishin të përfunduara (nuk ishin miratuar ligjet e nevojshme, ndërsa ato të miratuarat shpesh ndryshonin dhe gjykatat shumë ngadalë vendosin për lëndët). Edhe pse në Parlament kishte përfaqësues shqiptarë dhe në koalicionin qeveritar kishte ministra-shqiptarë, në administratë dhe strukturat shtetërore, shqiptarët nuk ishin proporcionalisht të përfaqësuar. Partitë politike të shqiptarëve në RM publikisht vazhdojnë të tregojnë pakënaqësinë nga statusi i tyre në jetën politike dhe publike në vend. Tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike vjen në shprehje gjatë protestave të shqiptarëve me kërkesë për rritjen e të drejtave kolektive ku ndëshkohen dhe konfrontohen me policinë si dhe gjatë protestave të maqedonasve kundër shtimit të të drejtave të shqiptarëve.

Diskriminimi ndaj shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës shoqërore, e cila ishte e pranishme edhe në sistemin e mëparshëm, edhe më shumë u shfaq pas mëvetësimit të Republikës së Maqedonisë. Gjatë procesit të privatizimit të kapitalit shoqëror, autoritetet vetëm maqedonasve u mundësuan që me kushte shumë të volitshme t’i blejnë fabrikat dhe kapacitetet tjera ekonomike në vend. Pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionet shtetërore ishte minimale. Mospërfaqësimi, sidomos në strukturat e sigurimit (polici dha armatë), te shqiptarët shkaktoj një ndjenjë mosbesimi në këto institucione. Kjo sidomos do të shfaqet gjatë ngjarjeve të Bit-pazarit dhe në Gostivar (protestat për shkak të pamundësisë të përdorimit të simboleve etnike), ku gjatë përleshjeve me policinë mbeten të vrarë dhe të maltretuar shumë shqiptarë.

Për shkak se në sferën e arsimit sipëror nuk kishte asnjë institucion për shkollim të lartë në gjuhën shqipe, shqiptarët ishin të detyruar që në vitin 1994 ta themelojnë Universitetin e tyre në Tetovë. Si rezultat i intervenimit policor, në ditën e hapjes, disa shqiptarë e humbën jetën.

Partitë politike të shqiptarëve në Parlament nuk arritën që ti institucionalizojnë kërkesat e tyre dhe shërbenin vetëm si dekor sepse çdo herë ishin të mbivotuar nga deputetët maqedonas. Nga ana tjetër, mospërfilljen e kërkesave të shqiptarëve, të cilët ndiheshin si qytetarë të rendit të dytë, politikanët maqedonas e arsyetonin nën pretekstin se me ndryshimin e statusit të shqiptarëve në vend do të federalizohej Maqedonia, ndërsa më vonë edhe do të ndahet. Kriza kosovare e vitit 1999 dhe roli i UÇK-së ishin shkak për rritjen e vetëbesimit dhe bashkimit të shqiptarëve në rezistencën ndaj institucioneve të Maqedonisë.

Për shkak të represionit sistematik nga ana e sistemit, ideja për kryengritje të shqiptarëve kulminoi me konfliktin e armatosur në fillimin e vitit 2001. Si palë në konflikt paraqiten, nga njëra anë, forcat e bashkuara të sigurimit të Maqedonisë (ARM dhe policia) dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare, nga ana tjetër. Shqiptarët që gjeografikisht duhej të jetonin në këtë vend, fillimisht përmes aktit më të lartë të një shteti në vitin 1991 i humbën të drejtat të cilat, formalisht, i gëzonin me kushtetutën e vitit 1974.

Përmes krismave të kësaj lufte u sensibilizua dhe mobilizua edhe faktori ndërkombëtare (përskaj atij politik shqiptar), i cili përmes përpjekjeve të ngjeshura diplomatike ndërmjet faktorit politik në pushtet, krahut ushtarak dhe atij ndërkombëtar, arritën që kësaj lufte t’i japin fund, përfundimin e të cilës e rrumbullakuan në tavolinën e bisedimeve me negociata ndërmjet palëve të infiltruar në vorbullën e kësaj lufte. Lufta çoi në marrëveshjen e Ohrit.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...