Agjencia Zhurnal.mk

Historina e punës së gazetares e publicistes së njohur, Sanije Gashi

Shkrim i shkruar më 22 Tetor 2015, mbi historinë e punës së gazetares e publicistes së njohur, Sanije Gashi, nga Miranda Haxhia, gazetare-publiciste, Tiranë.

Sado të shkruaj rreth këtij fenomeni – Sanije Gashi është një fenomen – shkrimi im do të jetë i mangët, ngaqë pas 10, 20 vjetësh, do të duhen edhe shumë faqe të tjera për të rrëfyer. Sepse, kur flitet për një njeri që kohën, mundin, edukimin, pasionin ia kushton punës profesionale në fushën e publicistikës; kur flitet për një zonjë që u end jo vetëm në tisin e kohës, por edhe nën mjegullën e së padukshmes, nga ku dolën në dritë dëshmi, vende, ngjarje, personazhe që kanë lidhur fatin e saj si grua me fatin e Kosovës si Atdhe, të Prishtinës si vendlindje, të kulturës si personalitet dhe të dhjetëra e qindra njerëzve që, pavarësisht nga fati i tyre: masakruar, dhunuar, plagosur, djegur, vrarë, sot e kanë një zë të fuqishëm: – ata flasin përmes fjalës dhe përkushtimit të zonjës Sanije Gashi. – Dhe unë mendoj se ka vend të flitet gjithmonë e më shumë.

Po të rrëzohej koncepti kohë, ‘Oriana Fallaci’-n, aq të adhuruar nga znj. Sanije Gashi në vitin e parë të punës si gazetare, besoj se e kemi përpara nesh: jo vetëm nuk ngurroj, por është e pamjaftueshme të them me mirënjohje: ‘Sanije, e ke lënë pas Oriana Fallacin! Ke udhëtuar në borën e Pejës, je larë me lotët e Mire Kelmendit, asaj vashe që të postoi lotët në redaksinë e ‘Zani i Rinisë’, sepse kërkonte të shkonte në shkollë e nuk e linin. Ke marrë në këtë rrugë gjysmëshekullore jo vetëm dhimbjet, vuajtjet, mundimet, jetët e gruas kosovare, por edhe shpresën, e mbi të gjitha, mirënjohjen. Je futur poshtë perçes së paragjykimeve dhe ke sfiduar injorancën. Ke demaskuar të ligën për të mbrojtur njerëzit. Sidomos ata që nuk jetojnë më.

Pikat e takimit dhe të njohjes sime me znj. Gashi janë të shumta, të pamjaftueshme për të krijuar prizëm të shkëlqyer lëvdatash; por të konsiderueshme për t’u krahasuar me etalonin e vlerës së moralitetit.
Përmes znj. Gashi njoha revistën TEUTA. Aty nuk ka fotografi, ca fjalë e ca reklama. Aty është tërë shqetësimi intelektual i drejtueses për të shpalosur vlerat më të çmuara të njeriut publik dhe atij të thjeshtë. Gazetare, nga ai soj gazetarësh në zhdukje, që dinë të jenë mirënjohës; publiciste, nga të rrallat, që i kushtoi kësaj mjeshtërie kërkimin shkencor, hulumtimin, dëshmitë, intervistat, udhëtimet, në mënyrë që librat e saj të mos jenë letra për të mbështjellë farat e pjekura, por të jenë foltore kulture dhe qytetërimi për brezat e ardhshëm, për ata që nuk e panë luftën, për ata që u rritën pa prindër, për ata që do të bëjnë Kosovën siç dikton ëndrra më e bukur; Botuese e zonja që në detin e madh e të egër të konkurrencës, ka krijuar sigurinë e jetëgjatësinë e punës, vetëm duke u mbështetur në vullnetin, cilësinë dhe të vërtetën. Si luftëtare për emancipimin e gruas, me frymën editoriale të botimeve këmbëngul në emancipimin e gjithë shoqërisë shqiptare, ndryshe, mendon Ajo, emancipimi i gruas do të qe një arnë e përkohshme. Dhe ia ka dalë mbanë deri më tash.
Si mjekët e rinj shohin me kërshëri e zili mjekët e vjetër, të zot në profesion, është fat i madh për mua dhe këdo tjetër që punon si gazetare, të njohë znj.

Gashi si ndër të parat gazetare shqiptare dhe më e njohura, që, në rrugëtimin e saj profesional, ndalet sot në gurin e pesëdhjetë të viteve të punës aktive në medie, ndalet, jo për t’u dorëzuar nga lodhja, pagjumësia, meraku, apo mosha, por, thjesht, për të kthyer paksa kokën pas e për t’u kujtuar si filloi në “Zani i Rinisë”, pastaj te “Kosovarja”, për të gjetur veten plotësisht te revista dinjitoze, “Teuta”. “Teuta”, ashtu si dhe “Kosovarja”, mbajnë vulën ‘made in Sanije Gashi’, që plot krenari prezantohen për lexuesin.

Edhe pse prej shumë vjetësh boton dhe drejton revistën “Teuta”, puna në revistën “Kosovarja” ka qenë jo vetëm një shkollë për lexuesin, sidomos për gratë, por një përvojë e padiskutueshme suksesi për drejtuesen e saj. Jo vetëm revista që e drejtonte shkonte në të gjitha skutat e mentalitetit konservator, por gjeti rrjedhën e vet thelbi dhe ai burim i pastër frymëzues për vashat, nënat, motrat, të cilat kaluan, posi kryeredaktorja e talentuar, vite të tëra jete duke e shfletuar, duke kërkuar burimin e dritës dhe të emancipimit.

Pa njohur historinë e Kosovës, është e pamundur të kuptosh jetën e njerëzve të veçantë, jo dhe aq të zakonshëm, por të atyre që u vunë në krye të lëvizjeve për të drejtat e njeriut.

Në fillim të viteve ’90, nën survejimin e egër, emrin e znj. Gashi e gjejmë në krye të shkrimeve që i kundërvihen regjimit serb, si dhe në kryesinë e Forumit të Gruas të LDK-së. Edhe pse revista u konfiskua nga policia serbe, nuk reshti puna dhe përkushtimi i Gruas Kosovare për ndërkombëtarizimin e çështjes kosovare. Edhe pse i përket vitit të largët, 1990, ishte kurajoz dhe historik takimi me znj. Daniel Miteran (Paris), për çështje të shkeljes së të drejtave të njeriut, veçan të fëmijëve, në Kosovë.

Dhe po aq larg, një vit më pas, bashkë me znj. Flora Brovina organizojnë nënshkrimin e një peticioni prej 220 mijë nënash shqiptare dhe dorëzimin, vetë kryetarit të atëhershëm të Qeverisë Jugosllave, z. Stipe Mesiq, si dhe kryetarit të RP të Shqipërisë – z. Ramiz Alia.
Me një agjendë të mbushur plot veprimtari për të drejtat e njeriut dhe për demokracinë në Kosovë, veprimtare e palodhur e Shoqatës për Zhdukjen e Analfabetizmit në Kosovë, znj. Gashi u bë gur i rëndë për Beogradin.
Shkrimet në revistën që e drejtonte u quajtën armiqësore, gazetat serbe të Beogradit, emisionet televizive në gjuhën serbe, e paraqesin zonjën Gashi si “të papërshtatshme” për atë vend dhe atë kohë, kur ushtarët shqiptarë ktheheshin të vdekur nga armata jugosllave. Është rast unik, Sanije Gashi është intelektualja dhe gazetarja e vetme, që arrestohet dy herë e gjykohet me burg për shkak të shkrimeve të saj “armiqësore-kundërserbe”.

Por vrasjet e ushtarëve shqiptarë, arrestimet e burgosjet e shqiptarëve, dëbimi i tyre nga puna, largimi i nxënësve e i studentëve nga shkollat, përndjekja e rinisë shqiptare, okupimi i Kosovës, janë çështje që i bën gazetarët të quhen: shkrimtarët e lirisë. Sanije Gashi, shkrimtarja e lirisë, botoi fotografinë e një ushtari të vrarë shqiptar; vuri në krye të revistës fjalët LIRI dhe PAQE për Kosovën.
Unë, ti, tjetri, shumë pak kemi dëgjuar nga znj. Sanije të flasë për burgun e saj. Kjo nuk e pengoi të ndërmarrë nismën më të madhe, më të guximshme, që ende trondit: rrëfimin për vitet e tmerrit, librin me dëshmi të grave dhe vajzave kosovare gjatë luftës. Përmes shkrimit dhe punës së znj. Gashi, Evropa, bota, kanë mundësi të njohin disa dëshmi që ndoshta do të jetë vështirë të rrëfehen pas 100 vjetësh; e nëse nuk rrëfehen, këtë vend e mbulon harresa, zhdukja, poshtërimi dhe fyerja.

Ky lloj misioni e dallon gazetarin dhe shkrimtarin mediokër nga ai intelektual i vërtetë, që dijet dhe maturinë e tij i vë në shërbim të vendit. Pa frikë.

Një pikë tjetër takimi është Prishtina. Është e zakontë të gjesh në një tryezë znj. Sanije, z. Ramiz Kelmendi, znj. Kozeta Mamaqi e të pashmangshmin, njeriun e dijes, të vuajtjes, të kulturës së pashtershme, të ndjerin Kasoruho. Sikur të ishte këtu, ai do të thoshte për zonjën Sanije, po ato fjalë që m’i pat shkruar dikur në postën elektronike: ‘Sikur Prishtina të kishte, jo shumë, por dhjetë shkëndija aq dritëdhënëse, si Sanije Gashi, do të ishte më e bukur, më fisnike, më e pasur.”

Prishtina, falë mendjes dhe punës së znj. Sanije Gashi, është e paharruar për brezat që do të vijnë. Ata do të mësojnë si ishte dikur Prishtina, kush ishin mjekët e parë, rrugicat, ndërtesat, krojet… në njëfarë mënyre, znj. Gashi e pajisi Prishtinën me një ‘kartë identiteti’.
Sa të pamjaftueshme janë vlerësimet që ka marrë gjatë jetës. Iu deshën vetëm dhjetë vjet punë si gazetare që t’i njihej merita profesionale nga NGB Rilindja me ‘Medalje për punë’ – një togfjalësh që parashikoi të ardhmen e znj. Sanije Gashi. E më tej erdhi çmimi ‘Gazetare e Kosovës’ në 1982 (nga Shoqata e Gazetarëve të Kosovës); Mirënjohje Publike, 1980 dhe 1985; Dy herë e nominuar për Shpërblimin e Nëntorit (Dita e Prishtinës). Pasojnë Mirënjohjet e Çmimet e denja: znj. Gashi i jepet Mirënjohja nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës – për kontributin në avancimin e pozitës së gruas në Kosovë (24 Mars 2012); Klubi i Femrave Shqiptare të Kroacisë ‘Mbretëresha Teuta’ ia jep Çmimin ‘Mbretëresha Teutë’, për kontributin e dhënë në promovimin dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri (Zagreb, 18 Maj 2012);

Shoqata e Botuesve të Kosovës (Panairi i 16-të i librit) ia jep Çmimin për vepër kapitale – “Prishtina e fëmijërisë sime” (Prishtinë, 7 qershor 2014); ndërsa Festivali i Letërsisë në Orllan, znj. Gashi ia jep Çmimin “Ramiz Kelmendi” për vitin 2015, si mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm pesëdhjetëvjeçar dhënë gazetarisë dhe publicistikës në Kosovë (Orllan, korrik 2015).
Po kështu, për znj. Gashi është shkruar edhe te librat: ‘Fytyrë e Dashurisë’, të shkrimtares së njohur Eglantina Mandia (Tiranë, 2014); ‘Buzëqeshje miqsh’ të shkrimtarit Ibrahim Kadriu (Prishtinë, 2014); ‘Sanije Gashi ose Parashqevi Qiriazi’ të shkrimtarit Xhemail A. Peci (Londër 2012), etj…, si dhe është përfshirë në librin ‘Fjalori enciklopedik i gruas shqiptare’ të shkodranes, Dr. Zenepe Dibra (Shkodër, 2009)…

Është një libër tjetër në bibliografinë e autores. ‘Ecje nëpër kujtesë’ – me gratë e shquara të kombit shqiptar. Falë punës së palodhur të znj. Gashi në atë libër janë shenjuar gra që kanë lënë gjurmë me punën e tyre, me talentin dhe historinë e tyre. Mungon një emër në atë radhitje kulture e profesionalizmi. Është emri i autores së librit. Na takon neve, njerëzve të tjerë, të përmbushim dhe të shpiem më tej punë po aq të vyera sa dhe çka ka sjellë këtë gjysmëshekulli mikja jonë.

Duke kujtuar Oriana Fallacin, shkrimtaren e veçuar të znj. Gashi, si dhe gazetaren e preferuar këto vite, britaniken Kristianë Amanpur, është rasti të themi pikërisht fjalët e saj për pesëdhjetë vjetët e punës së gazetares që filloi në 1965 me frikë se nuk do të bëhej dot gazetare e mirë. ‘Të jesh një grua është kaq magjepsëse. Por të jesh e zonja si Sanije Gashi, është një aventurë që kërkon shumë kurajë dhe optimizëm.’

Po e mbyll me fjalinë e parë që kam shkruar për monografinë e Prishtinës, shkruar nga znj. Gashi: ‘Askush të mos mendojë se ka kryer udhëtimin më të bukur të jetës së tij: ai është udhëtim ku veç këmbët nuk përdoren. Është udhëtim në kohë përmes kujtesës.’ Dhe udhëtimi i znj. Gashi kurrsesi nuk ka përfunduar.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...