Ohër, 26 mars – Hoteli i Miјalkovit, që po ndërtohet në kodrën e lagjes Ineks Goricë, tashmë po merr pamje. Për një vit, nga tokë e papërpunuar, objekti i ri i hotelit po bëhet realitet. Bëhet fjalë për një nga lokacionet më atraktive në Ohër. Pavarësisht revoltës së organizatave ekologjike dhe qytetarëve për betonizimin dhe shkatërrimin e vegjetacionit të pasur, autoritetet lokale e konsiderojnë hotelin si punë të kryer. Procesi ka filluar në vitin 2007, kur është hartuar Plan Urbanistik jashtë zonës së banuar, ku një pjesë e park-malit Goricë është tjetërsuar në tokë ndërtimore të papërpunuar, me qëllim ndërtimin e një kompleksi hotelierik. Në vitin 2011, Ministria e Transportit dhe e Lidhjeve shpalli tender publik për shitjen e tokës shtetërore për ndërtimin e një hoteli në Liqenin e Ohrit.
„Fiton kompania e funksionarit partiak, e cila merr një parcelë kadastrale prej 15.878 m2. Bëhet fjalë për „Divelop Group“ në pronësi të Sasho Miјalkovit. Gjatë verës, në të njëjtën vit, në atë lokacion është vënë zjarr. Terreni pastrohet dhe përveç pemëve të djegura, priten edhe pemë të shëndosha. Kjo krijon hapësirë të madhe e cila më pas rrethohet”, thonë nga Ohri SOS.
Hapësira në atë gjendje ka qëndruar pothuajse një dekadë. Por, në vend që ta ndërpriste kontratën, Komuna e Ohrit në dy raste ka nënshkruar aneks dhe i ka mundësuar Miјallkovit që të mos e humbë tokën. I pari në vitin 2013 dhe i dyti në vitin 2020, shtojnë nga Ohri SOS.
“Individë pothuajse falas marrin lokacione atraktive në të gjithë Rajonin e Ohrit, toka shtetërore shitet sikur të ishte diçka pa vlerë. Keqpërdorin detyrën e tyre zyrtare për të mundësuar që dikush të përfitojë në afat të gjatë, ndërsa ata të “ëmbëlsohen” pak nga kulaçi”, njoftojnë nga Ohri SOS.
Kryetari i Ohrit, Kiril Pecaov, pyet pse po krijohet kaq shumë zhurmë për këtë objekt.
“Për planin e menaxhimit të Ohrit, ai i plotëson kushtet, sepse nuk ndodhet brenda vijës së 50 metrave nga Liqeni i Ohrit. Mund të ketë një lartësi të katit P plus tre dhe 40% shfrytëzim të ndërtimit, ndërsa ky objekt ka katin e parë, minus një dhe minus dy, nuk është as katër kate, por ka tri kate dhe 22% shfrytëzim të parcelës. Për të vlejtur leja për ndërtim, ligji është ndryshuar dy herë në vitin 2017 dhe në vitin 2019”, deklaroi Kiril Pecaov – Kryetari i Ohrit.
Nga Ohri SOS thonë se ky projekt kurrë nuk ka qenë i dorëzuar tek Komisioni për Menaxhimin e Trashëgimisë Natyrorë dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit, as plani urbanistik nuk është rishikuar nga aspekti i përputhshmërisë me Planin për Menaxhimin e Rajonit të Ohrit, në të cilin thuhet “parandalimi i ndërtimit të objekteve në lartësitë relievike, vendet dominante ku ndërtimi i objekteve do të prishë peizazhin bregdetar.”