Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se deklarimet se është ndalur “gjakderdhja financiare” dhe janë mbyllur “vrimat e buxhetit” është mashtrimi i radhës i Kurtit dhe VV-Guxo.
Hoti në një postim në Facebook shkruan se sipas raportit të buxhetit për 2023 (faqe 29), për vitet 2021-2023 janë paguar 520 milionë euro për entitete publike (102 mil në 2021, 233 mil në 2022 dhe 185 mil në 2023).
“As Ministri i Financave që është përgjegjës për buxhetin, e as Ministrja e Ekonomisë përgjegjës për ndërmarrjet publike, nuk kanë kthyer përgjigje. Këta do të mbahen përgjegjës për këto abuzime me buxhetin, herët a vonë. Këta gjithmonë nuk do të jenë në pushtet për të pamundësuar qasjen e deputetit në mënyrën si shpenzohen taksat e kosovarëve. Auditori duhet me kujdes të analizojë këtë rrjedhje masive të buxhetit të shtetit.
Këto dhe çështje të tjera sot do të diskutojmë në Komisionin për Buxhet me Ministrin e Financave”, shkruan ai.