Agjencia Zhurnal.mk
Kosovë

Hoti: Shoqëria civile ndër aktorët kyç në integrimin evropian të vendit

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, ftoi shoqërinë civile që të inkuadrohet aktivisht në procesin e veprimeve për ERA 2 si dhe të monitorojnë këtë plan

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti bashkë me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj kanë mbajtur sot një tryezë konsultative me organizata të shoqërisë civile për prioritetet e Kosovës në Agjendën e Reformave Evropiane (ERA 2), raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Kosovës, Hoti vlerësoi shoqërinë civile si një ndër aktorët kyç për ta ndihmuar procesin e integrimit evropian të vendit.

Ai tha se fokusi i Qeverisë është që integrimin evropian ta bëjnë pjesë të secilit mekanizëm shtetëror. Ndërsa, shtoi se për një gjë të tillë “ka shkrirë Ministrinë e Integrimit Evropian duke e futur atë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, por duke ruajtur plotësisht funksionalitetin me të gjitha strukturat që janë ndërtuar në kuadër të kësaj ministrie”.

Hoti tha se Driton Selmanaj është përcaktuar që të jetë zv/kryeministri që do të merret me çështjet e integrimit evropian.

“Përmes zyrës së Kryeministrit, që është përgjegjëse për mbarëvajtjen e politikave në nivel të Qeverisë kemi marrë vendim të mbikëqyren të gjitha ministritë tjera sa i përket realizimit të agjendës së integrimit evropian. Pra, të kemi një qasje kros-sektoriale mbi ministritë në këtë çështje”, tha Hoti.

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomáš Szunyog, ftoi shoqërinë civile që të inkuadrohet aktivisht në procesin e veprimeve për ERA 2 si dhe të monitorojnë këtë plan.

“Është e rëndësishme që ERA 2 të mos jetë vetëm një ‘kuti e ushtrimit të mendimeve’. Ne presim reforma konkrete dhe solide dhe vendime që nuk bien në kontradiktë me shpirtin e ERA2. Puna 2 vjeçare në ERA2 duhet të jetë në të njëjtën kohë ambicioze, reale dhe e matshme”, tha Szunyog.

Zv/kryeministri Selmanaj tha se qëllimi i ERA2 është që të shërbejë si një instrument për të shtyrë përpara zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe reformat tjera fundamentale që do të avancojnë procesin e integrimit të Kosovës në BE.

Një gjë e tillë, sipas tij, “arrihet me vëmendje më të lartë politike, realizim të reformave kyqe ekonomike, forcim të sundimit të ligjit dhe konsolidim të qeverisjes së mirë”.

“Gjatë përgatitjes së ERA-s, kemi zhvilluar konsultime në të gjitha nivelet. Këto konsultime punuese kanë çuar në një listë prej 15 prioritetesh që do të zbatohen deri në fund të vitit 2022. Prioritetet janë ndarë në tre shtylla: qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit; konkurrueshmëria, klima e investimeve dhe zhvillimi i qëndrueshëm dhe e treta, punësimi, arsimi dhe shëndetësia”, theksoi Selmanaj.

Agjenda për Reforma Evropiane (ERA) është lansuar më 17 maj 2016, nga ish-kryeministri, Isa Mustafa dhe Komisioneri për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn.

Qeveria e Kosovës pret që ERA, nëpërmjet një evidence pozitive në prioritetet e reformave do të promovojë dhe avancojë Kosovën në një fazë tjetër të anëtarësimit në BE.

Postime të ngjashme

Tri krimet brenda familjes që shokuan Kosovën brenda pak javësh

T E

Vrasja e biznesmenit në Prishtinë nga babai i tij, flasin nga Prokuroria

T E

Babai vrau Albert Krasniqin dhe njoftoi vetë Policinë: E vrava djalin

T E

Reçica takon tre kandidatët e PDK-së për deputetë nga diaspora

T E

Kurz flet me Hotin, jep lajmin e mirë për shpërndarjen e vaksinave edhe në Ballkan

S.B.

Tetë të vdekur dhe 301 raste të reja me COVID-19

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...