Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, është pritur nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike (NATO), Jens Stoltenberg, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në takimin e mbajtur në selinë e NATO-s u bisedua për zhvillimet politike dhe ato të sigurisë në Kosovë, teksa kryeministri Hoti ka shprehur falënderim për punën e misionit të KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se “prania e NATO-s/KFOR-it, është e një rëndësie të veçantë për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore”.
Kryeministri Hoti e ka falënderuar sekretarin Stoltenberg edhe për ndihmën që u ka dhënë KFOR-i institucioneve të Republikës së Kosovës për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
“Duke e vlerësuar rolin e Aleancës Veriatlantike për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, kryeministri Hoti theksoi përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike dhe synimin që Kosova sa më parë të bëhet anëtare e NATO-s”, njofton komunikata.
Ndërsa sipas të njëjtit burim, Sekretari Stoltenberg ka thënë se NATO do të ofrojë edhe më tej përkrahje të gjithanshme për Kosovën, “për të siguruar një mjedis paqësor dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët e saj”.
Ky takim vjen një ditë pas takimit kryesor të delegacioneve Kosovë-Serbi në kuadër të procesit të dialogut. Në takimin e tretë të delegacioneve, përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak ka thënë se “është shënuar përparim”.