Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka zhvilluar sot një takim me prefektët e vendit, në Gjirokastër.
Gjatë takimit është diskutuar për mirëmenaxhimin e procesit elektoral të 11 majit, pasi Ministria e Brendshme, prefekturat, pushteti vendor, Gjendja Civile dhe Policia e Shtetit kanë rol kyç.
Në një prononcim për mediet Hoxha tha se “kemi diskutuar më masat e marra dhe koordinimin për përgatitjen dhe ngritjen e infrastrukturës për përgatitjen e zgjedhjeve për 11 majin”.
“Kemi diskutuar në detaje të gjitha përgjegjësitë që prefektët e qarqeve duhet të marrin në zbatim të ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Aktualisht, janë hartuar të gjitha planet e masave, prefektët e qarqeve në bashkëpunim me bashkitë, Policinë e Shtetit, do të jenë në gjendje për të ngritur infrastrukturën dhe për të planifikuar në mënyrë të rregullt zgjedhjet 11 majit 2025”, tha ministri Hoxha.
Hoxha shtoi më tej se “kemi rreth 100 mijë shtetas shqiptarë që janë regjistrues i zgjedhës në PER për zgjedhjet e 11 majit. Aktualisht për sa i përket votës së diasporës qeveria miratoi edhe projektvendimin ditën e mërkurë ku të gjithë shtetasve shqiptarë të cilëve u kishte përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit dhe atyre biometrike do të kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet e 11 majit. Kjo vlefshmëri do të jetë zgjatur deri më datën 31 maj 2025”.
Po ashtu është diskutuar edhe për kontrollin e territorit, luftën kundër kultivimit të narkotikëve, për rendin dhe sigurinë publike si dhe masat për sezonin e ri turistik.