Hulumtim “Ngacmimi onlajn në mediat sociale: Dy të tretat e vajzave përballen me ngacmim seksual në rrjetet sociale

Tetovë, 2 tetor – Shumë vajza të reja përmes rrjeteve sociale në internet marrin porosi që paraqesin ngacmim seksual, e për këtë ata më shumë i rrëfehen familjes sesa institucioneve. Këtë e tregon hulumtimi “Ngacmimi onlajn në mediat sociale” i zbatuar nga Qendra për mundësi të barabarta “Bubamara” nga Tetova, që transmeton edhe përvojën e personave të rinj të gjinisë femërore në rajonin e Pollogut.

 

Janë anketuar 208 vajza të moshës nga 18 deri në 25 vjeç, të cilat iu përgjigjën anketës në mënyrë elektronike. Nga Tetova janë 150 vajza, 51 nga Gostivari dhe pjesa tjetër nga vendet tjera, me ç’rast 45,1 për qind janë nga zonat rurale, ndërsa 54,8 për qind janë nga zonat urbane.

Në konkluzionin nga hulumtimi i “Bubamara”-s shprehen se viktimat e ngacimimti seksual janë kryesisht të mirëinformuar se ky fenomen nënkupton shkelje të lirisë së tyre dhe përzierje në jetën e tyre dhe prëzgjedhjet e tyre. Sipas tyre, këto veprime kanë pasoja që te disa prej viktimave manifestohen në masë më të madhe.
“Nga vajzat e anketuara, 65,8 për qind morën porosi nga djemtë ose burrat që përmbanin forma të ndryshme të ngacmimit seksual, gjuhë urrejtjeje, kërcënime dhe ofendime, 32,2 për qind e tyre nuk kanë marrë përmbajtje të tillë në rrjetet sociale, 1,9 për qind vendosën të mos përgjigjen. Anketa kishte për qëllim të zbulonte se sa nga këto vajza të rritura, të cilat janë ende në të njëzetat e hershme, janë viktima të ngacmimit seksual dhe, në të njëjtën kohë, çfarë nënkuptojnë me ngacmimin seksual dhe nëse janë gati ta raportojnë atë, thonë nga “Bubamara”.

Sipas hulumtimit, familja është adresa më e besueshme dhe më e sigurt ku vajzat e anketuara njoftojnë për ngacmimet e tilla në rastet kur vendosin të njoftojnë. Shumica e tyre (29,3 për qind) preferojnë t’i drejtohen familjes kur janë të shqetësuar nga porositë apo përmbajtje e tilla shqetësuese. Në vendin e dytë është policia (25 për qind). Një numër i madh i vajzave janë përgjigjur se nuk dinë ku të drejtohen (21,6 për qind). Një numër i vogël kanë përzgjedhur (ose do të përzgjidhnin) t’u drejtohen gazetarëve (0,9 për qind) ose OJQ-ve (1,4 për qind) për të denoncuar ngacmimin.

Në Hulumtimin më tutje thuhet se në realitet, një pjesë e madhe e vajzave të anketuara që kanë pranuar porosi të tilla i kanë injoruar ato. Gjithsej 89 vajza ose 42,7 për qind i kanë injoruar porositë e tilla. Nëntëdhjetë e shtatë vajza, ose 46,6 për qind, i denoncojnë ato duke reaguar ose postuar në rrjetet sociale që i përdorin. Nga vajzat, 3,8 për qind për këto porosi i janë drejtuar policisë, ndërsa 2,4 për qind e vajzave kanë thënë se kanë zgjedhur të përballen personalisht me ushtruesin e veprës.

“Pasojat janë kryesisht psikologjike dhe viktima shpesh është vetë dhe preferon të mos e ndajë përvojën me dikë tjetër. Fakti që disa nga vajzat e abuzuara seksualisht në mediat sociale nuk duan të ndajnë përvojën e tyre as me partnerin e tyre, duke thënë se ka një probabilitet të lartë të ndonjë keqkuptimi, tregon se djemtë dhe burrat janë shumë pak të informuar për shkallën e këtij problemi real. Injorimi nënkupton aprovimin dhe inkurajimin e autorit, dhunuesit dhe shkelësit të zgjerojnë rrjetin e tyre të ngacmimit dhe të ushqejnë atë ndjenjë superioriteti ndaj viktimave të tyre. Riviktimizimi i viktimës së ngacmimit seksual nga mjedisi shton edhe një hallkë tjetër të pathyeshme në zinxhirin e ngacmimit seksual, si krimi që ka lehtësuar dhe “relativizuar” rrjetet sociale për shkak të natyrës së platformave të tyre, pamundësisë për kontroll të plotë dhe parimet e lirisë të shprehjes”, shprehen nga “Bubamara”.

Vajzat në anketën i kanë përshkruar përvojat e tyre duke përshkruar atë që u bë nga burrat dhe si e kanë përjetuar ngacmimin seksual.

“Do të thosha se ngacmimi seksual në rrjetet sociale është më i vështirë sesa ta bësh atë personalisht fizikisht, meqë ngacmimi seksual në rrjetet sociale shkakton probleme psikike, duke filluar me porosit që vijnë nga njerëz të kategorisë që vazhdimisht shkruajnë dhe kërkojnë gjëra të ndryshme, të cilat më pas përdoren për shantazhe dhe kërcënime, e më vonë edhe për gjëra të tjera. Unë do të thoja që komentet janë elementi më i çuditshëm e kështu me radhë!, deklaron njëra nga vajzat e anketuara.

“Ofendimet dhe komentet shqetësuese, keqpërdorimi i fotove personale, mosrespektimi i hapësirës personale dhe privatësisë, porositë private pa respektin më të vogël, dërgimi i fotografive intime pa e njohur porosi të shumta me fjalë të papërshtatshme, ka pranuar, siç thotë, një vajzë tjetër.

“Shqetësimi seksual kuptohet si ushtrim e akteve të natyrës seksuale që cenojnë dinjitetin e një individ në çfarëdo formë, duke krijuar mjedis kërcënues, armiqësor, poshtërues, degradues ose ofendues. Ngacmimi seksual është kur një person ngacmon një person tjetër pa bërë kontakt fizik për të kënaqur dëshirat e tij seksuale. Zakonisht është përshkrim i asaj që do t’i bënte trupit tim!”, nënvizon vajza që ka qenë e anketuar në hulumtimin.
Nga ana tjetër, ngacmimi seksual në rrjetet sociale është kur dikush përpiqet t’ju kontaktojë vazhdimisht me kërcënime dhe shkel privatësinë tuaj, duke ju shkaktuar probleme me të afërmit. Gjithashtu thekson, ju vë nën presion psikologjik që të keni frikë të dilni në opinion.

Vajzat që kanë raportuar porositë e këtilla në përgjithësi nuk kanë qenë të kënaqura nga rezultati. Nga vajzat, 26,4 për qind mendojnë se asnjë institucion apo entitet tjetër nuk është treguar efikas në zgjidhjen e problemit të tyre, 3,3 për qind janë të kënaqur me efikasitetin e policisë, ndërsa 11,1 për qind e tyre mendojnë se policia ka reaguar tepër vonë. Të kënaqura me rezultatit që kanë arritur pas denoncimit në rrjetet sociale janë 23,08 për qind e vajzave.

Sipas informacioneve të policisë së Tetovës, në një farë mënyre ngacmimi seksual përmes internetit dhe rrjeteve sociale është evidentuar me denoncime për persona në përputhje me veprën penale “keqpërdorim me të dhënat personale”, të dënueshme sipas nenit 149 të Kodit Penal, i cili thotë se ai i cili në kundërshtim me kushtet nga ligji pa pëlqimin e qytetarit mbledh, përpunon ose përdor të dhënat e tij personale, do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Ata saktësojnë se denoncuesit janë ngacmuar seksualisht për arsye dhe qëllime të ndryshme nga ish partnerët e dashurisë, të cilët u janë kërcënuar në mënyrë elektronike se do t’i diskreditojnë ata personalisht dhe familjarisht.

“Një numër i konsiderueshëm i denoncuesve për keqpërdorimeve të tilla, përmes krijimit të rrjeteve të ndryshme sociale, janë shqetësuar në atë mënyrë që autorët u janë kërcënuar se do të publikonin fotot e tyre komprometuese ose video-materiale të tjera eksplicite dhe do t’ua dërgonin të afërmve të tyre, nëse nuk ua kthejnë dashurinë ose nuk u paguajnë atyre mjete në para”, sqaron Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB-së Tetovë.

Sivjet deri më 22 shtator, në SPB Tetovë janë evidentuar gjithsej 24 vepra penale “keqpërdorim të të dhënave personale”, në të cilat janë involvuar tetë autorë, gjashtë prej të cilëve në rajonin e Tetovës dhe dy në rajonin e Gostivarit. Ato u rrumbullakuan me numër të njëjtë të kallëzimeve penale, ndërsa ka edhe 17 njoftime me shkrim deri në Prokurorinë. Shtatë prej tyre në rajonin e Tetovës, ndërsa dhjetë në rajonin e Gostivarit.

Related posts

LSDM-ja publikon disa nga emrat e kandidatëve për kryetar komunash

D V

Dimitrievski: Në zgjedhjet e ardhshme qytetarët në Kumanovë do të fitojnë

Redaksia

Presidenti Pendarovski u takua me këshilltarët ekonomik në Varshavë, Ankara, Abu Dabi dhe Munih

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More