Shkup, 24 prill – Edhe pse 76,7 për qind e organizatave sportive pohojnë se barazia gjinore është pjesë e strategjisë së tyre, vetëm 13 për qind e kryetarëve dhe 17 për qind e sekretarëve të përgjithshëm janë gra, ndërsa kuotat e përfaqësimit gjinor ekzistojnë vetëm në 13,3 për qind të organizatave. Gratë me aftësi të kufizuara plotësisht janë të margjinalizuara, duke u përballur me pengesa të dyfishta – për shkak të gjinisë dhe pengesave të tyre, tregon hulumtimi “Barazia gjinore dhe gjithëpërfshirja në sport në Maqedoninë e Veriut”.
Hulumtimi i cili ishte prezantua sot në KOM përfshin 30 federata kombëtare. Në të qëndron se burrat dominojnë në kuvendet e përgjithshme me 83 për qind dhe organet ekzekutive me 77 për qind përfaqësim.
Pjesa më e madhe e organizatave nuk kanë mekanizma efektiv për përfshirjen e grave, ndërsa barazia gjinore, edhe pse shpesh herë e theksuar në dokumentet strategjike, zbatohet rrallë në praktikë.
Kultura e përjashtimit, mungesa e konkurseve publike, mundësitë e kufizuara për trajnim dhe zhvillim profesional, si dhe pandjeshmëria e përgjithshme ndaj çështjeve gjinore, krijojnë një klimë armiqësore për gratë. E gjithë kjo reflektohet që në moshë të re, kur vajzat kanë akses të kufizuar në aktivitete sportive – një trend që vazhdon më tej në karrierën e tyre.
Situata e grave me aftësi të kufizuara është veçanërisht shqetësuese, pasi studimi nxjerr në pah se ato përballen me infrastrukturë të paarritshme sportive, mungesë burimesh dhe mbështetjeje, por edhe diskriminim shtesë. Në politikat sportive, prania e tyre është pothuajse e padukshme dhe të dhënat për këtë kategori ose mungojnë ose mblidhen në mënyrë josistematike.
Disa nga rekomandimet e përgjithshme nga hulumtimi përfshijnë kryerjen e hulumtimeve mbi barazinë gjinore dhe aftësinë e kufizuar në sport, fushata publike dhe trajnime për rritjen e ndërgjegjësimit, si dhe bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile dhe zhvillimin e programeve sportive gjithëpërfshirëse.
Rekomandimet për politikëbërësit përfshijnë futjen e përfaqësimit të detyrueshëm gjinor prej të paktën 40 përqind, harmonizimin e legjislacionit sportiv me standardet ndërkombëtare, mbështetjen buxhetore për sportin e grave dhe sportin për personat me aftësi të kufizuara dhe mbledhjen dhe publikimin sistematik të të dhënave të ndara sipas gjinisë.
Hulumtimi i kryer nga Silvija Mitevska, Bojana Jovanovska dhe Elena Koçoska është përgatitur nga Komiteti Olimpik i Maqedonisë, në bashkëpunim me partnerët e projektit “Lojë korrekte”: Përkrahje për barazinë gjinore në politikat sportive”. Ai përdori një kombinim të metodave sasiore dhe cilësore, të tilla si anketat në internet, intervistat e strukturuara dhe grupet e fokusit, për të identifikuar barrierat strukturore dhe kulturore me të cilat përballen gratë në aksesin në pozicione drejtuese në organizatat sportive.