Një person ka humbur jetën në Bjeshkët e Deçanit.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, rasti po hetohet si “Hetim i vdekjes”
Familjarët e viktimës raportuan se ai kishte dalë nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer mbrëmë në orët e vona, duke ngritur alarmin dhe nisur një operacion kërkimi.
“Rasti është lajmëruar mbrëmë në orët e vona nga familjarët se ai kishte dalur edhe nuk ishte kthyer. Menjëherë kërkimi ka nisur nga ekipet e kërkim-shpëtimit, gjegjësisht policia dhe shoqatat që merren me këtë. Pas disa orë kërkimesh, trupi i pajetë i viktimës është gjetur sot rreth orës 6:00 të mëngjesit”, tha Gashi.
Në vendin e ngjarjes arriti edhe prokurori, i cili, pas shqyrtimit të rrethanave, vendosi që trupi i pajetë të dërgohej për obduksion. Ky veprim është ndërmarrë për të përcaktuar shkaqet e saktë të vdekjes dhe për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes tragjike.
Rasti ka ngjallur shqetësim të madh në komunitet dhe ka rikthyer vëmendjen tek rëndësia e masave të sigurisë gjatë aktiviteteve në zonat malore. Banorët dhe vizitorët janë këshilluar të jenë të kujdesshëm dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme kur ndërmarrin udhëtime në zona të izoluara apo me kushte të vështira terreni.