Bartja e mjeteve buxhetore të mbetura nga vitet 2023 dhe 2024 vazhdon të mbetet një çështje e pazgjidhur në Komunën e Gjilanit, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të ekzekutivit komunal për ta adresuar atë.
Në mbledhjen e fundit të Komitetit për Politikë dhe Financa(organ që përcakton rendin e ditës për seancën e Kuvendit Komunal), kjo çështje sërish nuk u përfshi në agjendë, duke prodhuar edhe një herë bllokadë institucionale.
Përkundër se një pjesë e bartjes është miratuar më herët, rreth tre milionë euro vazhdojnë të mbeten të paautorizuara për shpenzim. Këto mjete burojnë nga tejkalimi i të hyrave të planifikuara të viteve të kaluara dhe janë të destinuara për realizimin e projekteve kapitale, shumë prej të cilave tashmë kanë nisur ose janë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për zbatim.
Ai ka bërë thirrje që të paktën të votohet pjesa e mbetur e bartjes buxhetore, në mënyrë që të fillojnë projektet e reja dhe të mos ndërpriten ato që janë në zhvillim.
“Po kërkoj nga kuvendarët që së paku të votojnë pjesën tjetër të buxhetit të bllokuar, në mënyrë që të mund të fillojmë me projektet që ende nuk kanë nisur dhe të vazhdojmë me ato që janë në proces,” ka deklaruar Hyseni.
Hyseni ka potencuar se ndikimi i këtij ngërçi nuk është vetëm procedural apo institucional, por prek drejtëpërdrejt qytetarët dhe nevojat e tyre.
Në mesin e projekteve që rrezikojnë të mbesin pa u realizuar për shkak të moslejimit të bartjes së buxhetit janë ndërtimi i stacionit të autobusëve me vlerë 1 milion euro, rrugët në fshatin Kokaj dhe në lagjen Livadhet e Arapit, rruga kryesore “Nëna Terezë”, ndërtimi i Qendrës Kulturore-Artistike, renovimi i palestrës, ndërtimi i kuzhinës humanitare dhe qendrës së studentëve, si dhe projekti për shkollën e Mjekësisë, i cili është në pritje të zbatimit ndonëse marrëveshja është nënshkruar tashmë.
“Përderisa fondet ekzistojnë dhe janë të gatshme për t’u aktivizuar, mungesa e vullnetit politik për t’i futur në rend të ditës rrezikon që këto projekte të mos realizohen, duke lënë pas vetes vonesa të panevojshme dhe humbje të mundësive për zhvillim të qëndrueshëm komunal”, përfundoi Hyseni.