Shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës, kanë kapur një shtetas të dënuar në Itali, me 18 vite burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Sipas Policisë, ky shtetas tentoi të dilte nga Shqipëria, me pasaportë me gjeneralitete të tjera, por u identifikua nga gjurmët e gishtave, pas verifikimeve dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën.
Policia njofton se nga shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Port Sarandë, në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe falë bashkëpunimit me Interpol Tiranën, u bë kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimin, i shtetasit në kërkim ndërkombëtar Ermal Kostare, alias Denis Rama, 50 vjeç, banues në Tiranë, rezident në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ky shtetas është paraqitur në sportelin e daljes nga Republika e Shqipërisë dhe gjatë verifikimit të pasaportës që ka paraqitur, punonjësit e Policisë Kufitare kanë krijuar dyshime mbi identitetin e tij dhe e kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë”, thuhet në njoftim.
Pas verifikimeve të imtësishme, përmes pajisjes biometrike të gjurmëve të gishtave dhe krahasimit me të dhënat e dërguara nga Interpol Tirana, u konfirmua se 50-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe përdorte dokument identifikimi (pasaportë të Mbretërisë së Bashkuar) me gjeneralitete të tjera, për t’iu shmangur identifikimit.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e 50-vjeçarit, në Itali.
