Policia Kufitare ka vënë në pranga 43-vjeçarin nga Vlora Eriton Panajoti i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.
Referuar informacionit të policisë thuhet se 43-vjeçari qarkullonte duke ndryshuar disa herë gjeneralitetet për t’i shpëtuar policisë,
Pas intervistimit të thelluar dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit të ngushtë me Interpol Tirana dhe DVP Vlorë, u bë i mundur saktësimi i gjeneraliteteve, konkretisht shtetasi Eriton Panajoti, 43 vjeç, banues në Vlorë, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili për t’i shpëtuar kapjes së policisë ka ndryshuar disa herë gjeneralitetet.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Romës, me vendimin e datës 22.09.2009, e ka dënuar këtë shtetas me rreth 11 vite burg për veprat penale “Rrëmbim personi”, “Përdhunim”, “Grabitje” dhe “Vjedhje”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian. (Këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur 7 vite e 8 muaj e 20 ditë burg).
Sakaq, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijojnë veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt shtetit italian.