Këngëtari i njohur Ilir Shaqiri, i cili i këndon heroizmit të ushtarëve dhe dëshmorëve të UÇK-së, këngën e tij më të re ia ka kushtuar Harun Aliut-Komandant Kushtrimit. Bashkë me këngën, Ilir Shaqir sjell edhe videoklipin e incizuar në Shkup, transmeton Gazeta Lajm. Harun Aliu i njohur si Komandant Kushtrimi, ishte njëri nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Lindi më 20 maj 1971 në fshatin Hasanbeg të Shkupit, dhe u vra më 12 maj 2010 në afërsi të fshatit Radushë të Shkupit sëbashku me shokët e tij të luftës.
Ai u vra nga Forcat e Armatosura Maqedonase, pasi ra në një pritë të organizuar mirë. Vrasja e tij kishte ndodhur gjatë qeverisjes së politikanit kontravers dhe anti-shqiptar Nikolla Gruevskit, i cili e kishte partner kryetarin e partisë demokratike “BDI” Ali Ahmetin. Vrasja e këtij trimi cilësohet si e dyshimtë dhe e montuar. Pas përfundimit të Shkollës fillore në vendlindje, për të mos vazhduar në paralelet e përziera – që ishte model për pengimin e shkollimit shqip, Haruni shkollën e mesme zgjodhi që ta vazhdonte në Damask të Sirisë. Fakultetin e Historisë do ta vazhdonte në Universitetin e Tetovës, që në atë kohë nuk njihej nga shteti i Maqedonisë.
Harun Aliu u varros me nderime të larta ushtarake dhe fetare në varrezat e fshatit të tij të lindjes, në Hasanbeg të Shkupit. Përveç ish-eprorëve të UÇK-së, dyshime për aksionin policor në Radushë kanë shprehur edhe të gjitha partitë politike shqiptare, me përjashtim të BDI-së në pushtet. Sipas tyre, bëhet fjalë për aksione të inskenuara të policisë me qëllim të komprometimit të shqiptarëve, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon.