Shkup, 16 korrik – Ajo për të cilën më së shumti brengoset qytetarët është se si t’ia dalin me të ardhurat mujore shpenzimet brenda një muaji që kohëve të fundit kanë kaluar çdo normë normale. E kjo krizë nuk kishte filluar befasisht por prej periudhës pas pandemisë inflacioni kishte arritur majat, e ky fakt me automatizëm rriste numrin e qytetarëve të varfër. Sipas raportit të fundit të Entit shtetëror të Statistikave Inflacioni i matur nëpërmjet indeksit të kostos për jetesë në qershor krahasuar me majin e vitit është -0.3 %. Dhe është rezultat i rënies së kostos për jetesë në transport, komunikimet ushqimet dhe pije joalkoolike. E ky është lajm i mirë që i gëzon qytetarët nevojtarë, shkruan Zhurnal.
Inflacioni bie, qytetarët kanë nevojë për këtë gjë të mund t’i mbulojnë shpenzimet me të ardhurat –
Varshmëria nga produktet e huaja por edhe kostot operative të kompanive vendore janë faktorët kyc që ndikojnë në përcaktim e cmimeve përfundimtara të produkteve ushqimore. Për të pasur cmime të balansuara sipas Durim Zeqirit nga OEMVP duhet të ulen kontributet për fuqinë punëtore, të zvogëlohen kostot e energjisë elektrike dhe derivative të naftës dhe fokus i vecantë t’i jepet prodhimit vendorë.
“Me qëllim që të kemi një treg me cmime të balansuara duhet të fokusohemi në rritjen e prodhimtarisë vendore sidomos në produktet ushqimore për shkak se është një model duke e implementuar shumë shtete të rajonit përfshirë këtu edhe Shqipërinë, pse mos edhe ne ta bëjmë të njetën ndërkaq, në anën tjetër duhet që t’i sinkronizojmë dhe t’i përshtatim normat e tatimeve, ato doganore me shtetet e Unionit Europian me qëllim që aty të përfitojmë. Gjithashtu duhet të shqyrtohet koncepti i mbrojtjes së produkteve vendore për shkak se edhe aty kemi një destimulim i cili po ndodh te prodhuesit vendor që aspak nuk po ndihmohen që ata të prodhojnë më shumë dhe t’i rrisin kapacitetet”, u shpreh drejtori ekzekutiv në OEMVP, Durim Zeqiri, për TVM2.
Zeqiri: Institucionet kompetente të jenë më të zëshme
Sa i përket masave të autoriteve për të rregulluar tregun ne aspektin e percaktimit të cmimeve të produkteve, Zeqiri thotë se duhet të jenë më të zëshme institucionet dhe komisionet kompetente të cilat duhet të rregullojnë tregun dhe jo të ndërhyjnë në treg.
“Kemi ligje, komisione dhe institucione të ndryshme të cilat duhet të bëjnë rregullim e tregut jo të ndërhyjnë në treg por të njejtat nuk po japin efektin e vet. Shpresojmë që institucionet tanimë në periudhën që vjen do të jenë më të përpikta dhe më agjile sa i përket realizimit të detyrave të tyre në treg me qëllim që të mos pësojnë as tregtarët e as qytetarët si konsumatorë duke e ditur se konsumatorët në ekonominë tonë janë 67% i ekonomisë në përgjithësi”, theksoi Zeqiri për TVM2.
Ndryshe sipas raportit të fundit të Entit shtetëror të Statistikave Inflacioni i matur nëpërmjet indeksit të kostos për jetesë në qershor krahasuar me majin e vitit është -0.3 %. Dhe është rezultat i rënies së kostos për jetesë në transport, komunikimet ushqimet dhe pije joalkoolike.
Kujtojmë që rritja e inflacionit rriste numrin e qytetarëve të varfër-
Kostoja e jetesës rritej me shpejtësi të madhe saqë qytetarët edhe ziheshin në befasi. Jemi dëshmitarë se çmimet e shumë produkteve ushqimore janë rritur jashtëzakonisht shumë, edhe përkundër faktit që kishte disa masa për ngrirje të çmimeve, sërish gjendja e çmimeve mbetet shqetësim kryesor i qytetarëve. Si gjithmonë, më të prekurit do të jenë ata që deri tani kanë jetuar me të ardhura të ulëta, ose fare pa të ardhura që kanë qenë nën mëshirën e humanizmit.
Tashmë po bëhen llogaritë se për çfarë kemi para dhe për çfarë nuk kemi dhe po bëhen kompromise për cilësinë e ushqimit dhe strehimit. Pritet që një pjesë e qytetarëve të cilët në të kaluarën ishin në rrezik të varfërisë të bien nën pragun dhe po pritet të rritet numri i të varfërve. Fatkeqësisht, qytetarët që ende jetojnë nën atë vijë do të gjenden në një situatë edhe më të pafavorshme, pa kushte minimale për një jetë me dinjitet.
Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta.
Situatë jo e lehtë për tu përballuar për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pasi rritja e çmimeve u bë traditë e zakonshme madje edhe javore që çdo javë pothuajse kishte ndryshim çmimesh, nuk dihej se cilat masa dhe çfarë ndikimi kishin ato masa antikrizë të marra nga Qeveria, sepse në praktikë secili qytetarë është në krizë të thellë. Shpenzimet mujore me të hyrat janë në një diskrepancë shumë të madhe me çka qytetarët edhe po dëshpërohen dhe shpresë po kërkojnë jashtë vendit.
Shpresa e ka humbur rrugën në Maqedoninë e Veriut, madje është absurditet të dëgjohet prej ndokujt që shpreson që gjendja do të ndryshoj në aspekt pozitiv. Të rinjtë nuk shohin të ardhme, të punësuarit të pa kënaqur me pagat, të moshuarit me pensione që as për kontrolle mjekësore nuk janë të mjaftueshme. Pra, e gjithë kjo katrahurë shkakton krizë edhe më të thellë në Maqedoninë e Veriut, që do të futemi në “krizë qytetarësh”, ku vendi do të zbrazet dhe do të bëhet i pa banueshëm. /Zhurnal.mk