Shkup, 10 janar – Edhe pse gjendja epidemiologjike për një nuancë është më e mirë, megjithatë beteja me virusin korona ende nuk ka përfunduar. Të gjithë kanë shpresë në vaksinën në të cilën besojnë se do ta shpëtojë gjithë planetin nga ky virus dhe do ta kthejë jetën normale. Janë siguruar 800 mijë vaksina për gjithë vitin 2021, ndërsa dozat e para nga vaksina e Pfizer pritet të arrijnë në shkurt.
“Institucionet janë të gatshme, vijon procesi i imunizimit të gjithë popullsisë, për fitore përfundimtare mbi pandeminë. Njëkohësisht, shteti përmes dy mekanizmave të tjerë do të sigurojë doza shtesë të vaksinës anti-Covid. Njëri prej tyre është mekanizmi Kovaks, ku priten edhe 833 mijë doza të vaksinës, si dhe mekanizmi i tretë janë negociatat me vendet anëtare të BE që janë të gatshme të japin një pjesë nga vaksinat e tyre. Përmes këtyre tre mekanizmave këtë vit duhet të sigurohen vaksina për 1.2 milion banorë, përkatësisht për rreth 60% të popullsisë së përgjithshme”, tha Nenad Koçiq – deputet i LSDM-së.
Njeriu i parë i OBSH dje kërkoi nga prodhuesit që të përshpejtojnë distribuimin, por edhe të ndërpriten marrëveshjet bilaterale me vendet.
Për shkak se Ministria e shëndetësisë ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe me Pfizer, pyetëm se çfarë do të ndërmarrin më tej në lidhje me kërkesën e OBSH. Nga kjo ministri na u përgjigjën shkurtë!
“Vendi jonë i mbështet përpjekjet e OBSH për të siguruar sa më shumë vaksina dhe të ketë shpërndarje të barabartë të të njëjtave”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Deri më tani me vaksinim kanë filluar 42 vende. Në vendin tonë, autoritetet presin që pikërisht përmes sistemit Kovaks të arrijnë dozat e para të vaksinës në fillim të muajit të ardhshëm.
Përndryshe në 24 orët e fundit në kovid qendrat në Shkup janë hospitalizuar 17 pacientë të rinj për shkak të komplikimeve nga virusi korona, mes tyre edhe Kryetari i KSN, Zharko Karaxhoski dhe bashkëshortja e tij të cilët janë me pasqyrë më të dobët klinike, ndërsa janë pozitiv me virusin që nga fillimi i vitit. Për momentin rreth 360 persona mjekohen nëpër kovid qendrat në vend, prej të cilëve një pjesë e madhe janë në mbështetje oksigjeni.