Kryekomisioneri shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi bën me dije se gjatë tre ditëve të fundit së bashku me zyrtarë zgjedhorë eksploruan potencialin transformues të Inteligjencës Artificiale në Zgjedhje” në programin e trajnimit të financuar nga Microsoft dhe OpenAI, dhe organizuar nga International IDEA, me mbështetjen e KQZ Shqipëri.
“Kjo iniciativë unike mblodhi së bashku zyrtarë zgjedhorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Armenia, Ukraina, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Moldavia dhe Gjeorgjia, duke nxitur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave ndërkufitare”, shkruan Celibashi.
Celibashi nënvizon se programi shqyrtoi ndërveprimin e IA (Inteligjencës Artificiale) me proceset zgjedhore, duke u fokusuar në implikimet etike, konsideratat mbi të drejtat e njeriut dhe nevojën për të mbrojtur grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara.
“Së bashku, kemi analizuar sesi IA mund të rrisë transparencën dhe efikasitetin, ndërkohë që adreson me kujdes risqet e mundshme. Një falënderim i përzemërt për të gjithë pjesëmarrësit, sponsorët dhe organizatorët që e bënë të mundur këtë aktivitet. Jemi të sigurt se njohuritë dhe lidhjet e krijuara këtu do të hapin rrugën për sisteme zgjedhore më gjithëpërfshirëse dhe të sigurta”, shkruan Celibashi.
Celibashi e përmbyll reagimin duke theksuar se “të përdorim teknologjinë si një forcë për të mirën në zgjedhje”.