Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni Rekomanduar TOP LAJM

Intervistë ekskluzive me Besa Ademin: A do të kthehet besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor?

Shkup, 13 prill – Zhurnal.mk – Pikërisht para dy muajve, Gjykata Supreme u bë me kryetar të ri. Në këtë funksion me 20 vota pro dhe një kundër, u zgjodh gjykatësja Besa Ademi.

Më parë në këtë funksion, si ushtrues detyre ishte Faik Arsllani, i cili pati zëvendësuar Jovo Vangellovskin. Gjykata Supreme sa për informatë, për herë të parë zyrtarisht udhëhiqet nga një shqiptar/e.

Në Maqedoni të Veriut, ashtu siç të gjithë e shohim realitetin, drejtësia nuk është në nivelin e dëshiruar, edhe pse nga disa hulumtime nga organizata europiane, thuhet se ka përparim në luftimin e korrupsionit dhe në drejtësi.

Më të pakënaqur me drejtësinë gjithsesi se janë shqiptarët, duke marë parasysh dënimet drakonike që u shqiptohen për raste të ndryshme, ndërsa nga ana tjetër maqedonasit dënohen me më pak vite burg apo ndonjëherë dhe fare nuk dënohen. Për këtë, shqiptarët nëpër protestat që organizohen, shprehen se drejtësia në Maqedoni është e verbër, drejtësia për dikë nënë e për dikë njerkë, pa drejtësi nuk ka qetësi e kështu me radhë.

Agjencia e lajmeve Zhurnal ka realizuar një intervistë të shkurtër me qëllim që të zbulojmë planet dhe atë se për çfarë do të angazhohet gjykatësja Ademi me qëllim përmirësimit të imazhit të drejtësisë në vendin tonë.

Kur u kandiduat për kryetar të Gjykatës Supreme e dinit se çfarë ju pret, sa jeni të përgatitur të përballeni me sfidat për përmirësimin e gjendjes në gjyqësor?

Ademi: Zgjedhja për kryetar të Gjykatës Supreme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për mua paraqet një nder, por edhe përgjegjësi me sfidë profesionale për funksionim të suksesshëm të gjyqësisë dhe zbatim të përshpejtuar të reformave aktuale si segment të rëndësishëm në ndërtimin e standardeve evropiane dhe botërore në sistemin juridik, avansim në qeverisjen e së drejtës dhe respektim të të drejtave të njeriut.

Para Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhash betimin se funksionin kryetar i Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, do ta kryej me nder, sipas ligjit, me vetëdije, e pavarur dhe me përgjegjësi, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara me Kushtetutë dhe ligj. Njëherit i premtova opinionit se së bashku me kolegët e Gjykatës Supreme do të punojmë të kthehet besimi i opinionit në sistemin gjyqësor, ky proces të përshpejtohet dhe të avansohet përmes sigurimit të një drejtësie kualitative dhe konzistencë të aktvendimeve.

Deri ku ka arritur shteti ynë në përmbushjen e standardeve evropiane për gjyqësi efikase?

Ademi: Harmonizimi i gjyqësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut me legjislacionin evropian është proces i cili tanimë një kohë të gjatë me sukses po vijon, që do të thotë se legjislacioni i Maqedonisë është pothuajse tërësisht në përputhje me atë evropiane, ndërsa vlerësimi për sukseset e harmonizimit dhe implementimit është inkorporuar në raportet për përparim të Republikës së Maqedonisë së veriut drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2020, është konstatuar se është arritur përparim i mirë në zbatimin e reformave në sistemin gjyqësor me zgjidhje të prioriteteve urgjente reformuese në përputhje me propozimet e Komisionit të Venecias dhe grupës së ekspertëve të lartë për çështje sistematike për qeverisje të së drejtës, si dhe që korniza ligjore është në masë të madhe në përputhje me standardet evropiane.

Ajo që veçanërisht është me rëndësi të madhe për shtetin tonë është se duhet të vazhdojnë përpjekjet për implementimin e zgjidhjeve të reja ligjore në të cilat janë inkorporuar vlerat themelore të BE-së në sigurimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, kualitativ dhe efikas në të cilën të drejtat fundamentale do të respektohen me ligj dhe me praksë.

Çfarë mer parasysh Gjykata Supreme kur vepron për ankesa nga qytetarë, avokatë apo palë të tjera. A bie Gjykata nën ndikim të vendimeve nga gjykatat në instanca më të ulëta?

Ademi: Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë, vendimmarjet e saj i bazon në Kushtetutë, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën.

Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut si gjykatë më e lartë në shtet është kompetent të vendosë në shkallë të tretë dhe të fundit për ankesat kundër vendimeve të gjykatave të apelit, pas mjeteve të jashtëzakonshme juridike kundër vendimeve të plotfuqishme të gjykatave dhe vendimeve të këshillëve të saja, kur ajo është e përcaktuar me ligj, të vendosë për përplasje të kompetencave mes gjykatave themelore nga zonat e gjykatave të ndryshme të apelit, përplasje të kompetencave mes gjykatave të apelit, përplasje të kompetencave mes gjykatës së lartë administrative dhe gjykatë tjetër. Gjithashtu, Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut është kompetente të vendosë me kërkesë të palëve dhe pjesmarësve të tjerë në procedurë për shkelje të së drejtës të gjykimit në afat të arsyetueshëm, në procedurë të vërtetuar me ligj në përputhje me të të drejtat dhe principet e rregulluara me konventën Evropiane për të drejtat e njeriut dhe lirive bazë dhe duke u nisur nga praksa gjyqësore të gjykatës evropaine për të drejtat e njeriut, si dhe të kryejë punë të tjera të përcaktuar ame ligj.

Funksionin e saj të sigurojë bashkim në zbatimin e ligjeve nga ana e gjykatave, Gjykata Supreme e realizon me sjelljen, gjegjësisht me vërtetimin e qëndrimeve parimore dhe mendimeve juridike parimore për çështje juridike, të cilat janë të obligueshme për këshillat e Gjykatës Supreme, ndërsa kanë ndikim edhe mbi gjykatat më të ulëta në avansimin e praktikës gjyqësore për zbatim të harmonizuar të ligjeve nga të gjitha gjykatat.

A kanë tentuar të ndikojnë politikanë të caktuar, në mënyrë direkte apo indirekte në punën tuaj për raste të caktuara. A ka ndodhur kjo gjatë punës suaj të mëparshme në Gjykatë?

Ademi: Së fundmi në fjalimin tim përshëndetës në Akademinë Solemne në shënimin e 31 marsit – ditës së gjyqësisë në Republikën e Maqedonisë së veriut, përmenda se “ndikimet e gjykatësve nuk mund të përjashtohen në asnjë shoqëri, jemi të vetëdijshëm, jemi real, se nuk ekziston sistem i përkryer juridik ku gjykatat në praktikimin e pushtetit gjyqësor nuk përballen me tentime për ndikim, por nëse gjykatësi posedon integritet, mbështetet tek ligji dhe etika, atëherë askush nuk mund të ndikojë mbi punën e tij”. Integriteti i gjykatësit është më i rëndësishëm për atë që ai si pjesë e sistemit gjyqësor veçmas duhet vet të mbrojë paanshmërinë dhe pavarësinë personale, e me këtë të sigurohet integritet i tërësishëm i gjyqësisë.

Pushteti gjyqësor dhe eksekutiv duhet të garantojnë se gjykatat janë të pavarura, interes primar dhe qëllim i çdo shteti me kapacitet të plotë demokratik duhet të paraqesë kujdesin për sigurim të pavarësisë thelbësore dhe paanshmërisë, autoritetit, dinjitetit dhe pozicionim adekuat të pushtetit gjyqësor në sistemin e ndarjes së pushtetit, sepse “politika ndoshta është e mbifuqishme në definimin e drejtësisë, por gjyqësia është e mbifuqishme në zbatimin e saj”.

Pothuajse në të gjitha protestat të inicuara nga ana e shqiptarëve, thuhet: “Drejtësia për dikë nënë, e për dikë njerkë”, si dhe “Pa drejtësi nuk ka qetësi”.. A do të përmirësohet qasja drejt drejtësisë për shqiptarët në RMV që edhe ata një ditë të jenë të kënaqur nga sistemi gjyqësor?

Ademi: Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë qytetarët, qasja drejt drejtësisë është parakusht për realizimin e të drejtave njerëzore dhe nuk mund të kushtëzohet nga gjinia, rasa, kombi, prejardhja etnike apo sociale, bindja politike apo fetare, ose gjendja e pasurisë dhe në shoqëri.

Me principin e barazisë para ligjit mbrohet barazia në liritë dhe të drejtat e çdo njeriu e cila do të thotë ndalesë të privilegjeve dhe përfitimeve për dikë lidhur me dikë tjetër, më saktë ligji të jetë i barabartë për të gjithë, qoftë kur mbron, qoftë kur ndëshkon. Ky princip me fjalëte të madhit Gete “para se të dënosh apo falësh, duhet patjetër tek njeriu të shohësh njeriun”, në mënyrë më autentike e shprehë peshën por edhe madhështinë e funksionit të gjyqtarit në zbatimin e drejtësisë, duke mbajtur llogari për drejtësinë.

Nga këtu, pa dyshim, sistem gjyqësor të paanshëm dhe të drejtë, me qasje të barabartë për të gjithë qytetarët duhet të jetë jo vetëm qëllim dhe aspiratë, por edhe praktikë e gjyëqisës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Tanimë disa vite nga ana e Ministrisë së Drejtësisë është paralajmëruar veting, veçanërisht në gjyqësi. Sa jeni të përgatitur për këtë veting dhe sa kjo do të përmirësonte sistemin gjyqësor?

Ademi: Vetingu si proces i kontrollimit në kryerjen e funksionit paraqet sistem i kontrolleve të institucionalizuara të kryerësve të funksioneve publike me qëllim vlerësim të pozitës së tyre të punës, sjellje dhe integritet vis à vis funksionin që e kryejnë apo duhet të kryejnë. Vet fjala veting do të thotë vlerësim i përshtatshmërisë për kryerjen e një funksioni publik. Gjykatësit si përfaqësues të një nga tre pushtetet, janë nën monitoring të vazhdueshëm nga ana e opinionit të gjerë për çka në kryerjen e funksionit gjyqësor jemi të drejtuar para sfidës së rritjes së besimit dhe shkallës së percepcionit pozitiv tek qytetarët ndaj gjyqësisë si një nga tre pushtetet.

Të mësuar nga përvojat rajonale, e duke marë parasysh indikacionet e KE-së që të mos zbatohet veting në Republikën e Maqedonisë së Veriut, konsideroj se gjyqësia ka mjaftueshëm forca dhe mekanizma në korniza të institucioneve ekzistuese përkatëse (siç janë Këshilli Gjyqësor, Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, Drejtoria për të Ardhura Publike e ngjashëm), të kryejë kontrollin e nevojshëm të gjykatësve. Kriteret për kontroll të gjykatësve duhet të bazohen në standarde profesionale dhe etike, integritet moral, kompetencë, profesionalizëm, pavarësi dhe paanshmëri.

Realizoi: Agjencia e lajmeve Zhurnal

Postime të ngjashme

Rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti uron besimtarët mysliman me rastin e Fitër Bajrami

N E

Pedro Sançez: Spanja mbështet hyrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE

N E

Lajmi i Fundit / I plagosur në Butel të Shkupit, ndërroi jetë

N E

Hoxha thirrje bujqve për të aplikuar për subvencione

R Zh

Analizë / Përmes aderimit të Iranit në SCO, Rusia do ta realizojë ëndrrën e saj për krijimin e një OPEC-u të gazit natyrorë

R Zh

Një shtatë vjeçare lëndohet rëndë në një aksident trafiku në Tetovë

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...