Agjencia Zhurnal.mk
Bota

Irani ka gjasa të mos nxitojë me kundërpërgjgjen pas vrasjes së shkencëtarit bërthamor

Zhurnal Ads

Presidenti iranian Hassan Rouhani është zotuar të hakmerret për vrasjen e shkencëtarit bërthamor Mohsen Fakhrizadeh – një vrasje për të cilën ai dhe udhëheqësit e tjerë iranianë fajësojnë Izraelin. Por disa diplomatë dhe analistë thonë se nuk presin që Irani të hakmerret menjëherë për vrasjen e planifikuar me kujdes të premten të shkencëtarit 59-vjeçar, figura e dytë e lartë ushtarake iraniane që vritet këtë vit.

Ata mendojnë se Irani do të presë për të reaguar pas vdekjes së Fakhrizadehut, i cili shihej gjerësisht si babai i programit bërthamor të fshehtë të Iranit, nga frika se mos provokojnë një përgjigje të ashpër ushtarake nga Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Udhëheqësit iranianë gjithashtu ka të ngjarë të shqyrtojnë nëse hakmarrja do të komplikojë planin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden për të rifilluar një angazhim diplomatik me Iranin.

“Do të ishte një përllogaritje e gabuar e madhe para ardhjes në fuqi të një administrate Biden,” thotë Jonathan Schanzer i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, një grup kërkimor me bazë në Uashington.

“Nëse Irani kryen ndonjë lloj sulmi, ose ndërmerr veprimtari të dhunshme që do t’i atribuoheshin qartë regjimit, mendoj se do të ishte një gabim i madh i padetyruar.”

Kjo nëse “qëllimi kryesor” i Teheranit është që t’i shmanget fushatës së “presionit maksimal” që po ndiqet kundër tij nga administrata e zotit Trump, Izraeli dhe aleatët e SHBA në Gji, shton ai.

Zoti Biden ka thënë se ai dëshiron të rigjallërojë marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015, Planin e Përbashkët të Përgjithshëm të Veprimit, të negociuar nga ish-Presidenti Barack Obama, sipas së cilit iranianët do të reduktonin programin e tyre bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Trump e braktisi në mënyrë të njëanshme marrëveshjen, e cila u nënshkrua nga Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina, në favor të një fushate “presioni maksimal” kundër Iranit.

I emëruari i zotit Biden për sekretar shteti, Tony Blinken, tha në një konferencë në gusht se ai shpresonte që marrëveshja bërthamore të rinegociohej dhe të ishte “më e fortë dhe më afatgjatë”.

Por Schanzer paralajmëron se “impulsi për hakmarrje” ka të ngjarë të jetë i fortë, veçanërisht pasi është vetëm disa javë larg para përvjetorit të parë të vrasjes nga Shtetet e Bashkuara të gjeneralit të lartë iranian Qassem Soleimani, strategu më i rëndësishëm ushtarak i Iranit në fushatën e Teheranit për të zgjeruar ndikimin shiit dhe iranian në të gjithë Lindjen e Mesme.

Makina e tij u godit në një sulm amerikan me dron ndërsa po udhëtonte pranë aeroportit të Bagdadit. Zyrtarët amerikanë thonë se ai ishte në shënjestër sepse kishte qenë pas sulmeve ndaj diplomatëve dhe personelit ushtarak amerikan dhe po komplotonte sulme të mëtejshme.

Kishte paralajmërime të forta nga Irani pas vrasjes së Soleimanit, një veprim që David Petraeus, një ish gjeneral i ushtrisë amerikane, e ka quajtur më “të rëndësishëm” se vrasja e Osama bin Laden ose e udhëheqësit të Shtetit Islamik Abu Bakr al-Bagdadi. Irani bëri kërcënime të gjera dhe ushtria iraniane tha se SHBA do të përballeshin me “hakmarrje të ashpër që do t’i bënte ata të pendoheshin për vendimin e tyre”. Disa analistë paralajmëruan se vrasja mund të ndizte të gjithë rajonin.

Por iranianët ishin të kujdesshëm në përgjigjen e tyre. Disa orë pas varrosjes së Soleimanit më 7 janar, ushtria iraniane filloi një sulm me raketa kundër dy bazave irakiane që strehonin ushtarë amerikanë në Irak, por nuk pati asnjë viktimë, pjesërisht për shkak se Shtetet e Bashkuara dhe Iraku kishin marrë informacion, sipas burimeve amerikane dhe arabe në atë kohë. Një komandant iranian tha se Teherani nuk kishte ndërmend të vriste askënd.

“Irani duket se po përmbahet, diçka pozitive për të gjitha palët e interesuara,” tha zoti Trump të nesërmen.

Diplomatët perëndimorë komentuan se Irani ishte treguar i kujdesshëm në përgjigjen e tij sepse druhej nga një kundërsulm i ashpër i SHBA-së, që mund të vinte në shënjestër anëtarët e udhëheqjes iraniane.

Roli i Fakhrizadeut prapa përpjekjeve klandestine të Iranit për të zhvilluar një bombë bërthamore u theksua nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në 2018. Fakhrizadeh u vra nga persona të armatosur në një sulm në mes ditës ndaj automjetit me të cilin po udhëtonte afër qytetit rural Absard, në lindje të kryeqytetit, Teheran.

Izraeli nuk ka marrë përgjegjësi por as nuk ka mohuar se qëndron pas tij. Ekspertët ushtarakë thonë se incidenti është i ngjashëm me vrasjet në Teheran të katër shkencëtarëve bërthamorë iranianë në periudhën 2010-2012.

Disa ekspertë të Lindjes së Mesme thonë se dyshojnë se vrasja e Fakhrizadehut do të ndikojë në programin bërthamor të Iranit.

Izraeli ka rritur sigurinë në ambasadat e tij nëpër botë dhe komuniteteve hebraike gjithashtu u është thënë të jenë vigjilente.

Një veprim i mundshëm hakmarrës mund të përfshinte një sulm me dron të armatosur ndaj Izraelit, të ndërmarrë nga territori sirian, siç ndodhi në 2018, kur një dron i ngarkuar me eksploziv u rrëzua nga një helikopter izraelit përpara se të arrinte objektivin e tij. Ushtria izraelite është përgatitur për hakmarrje të mundshme, duke përfshirë testimin e mbrojtjes së saj ajrore për një sulm me raketa iraniane me rreze të gjatë.

Zyrtarët amerikanë kanë mohuar përfshirjen në vrasjen e së premtes.

Kishte pasur parashikime të përhapura kohët e fundit nga diplomatët dhe analistët që administrata në largim e zotit Trump, Izraeli dhe Arabia Saudite ka të ngjarë të rrisin presionin mbi Iranin. Javën e shkuar, zoti Netanyahu thuhet se u takua në Arabinë Saudite me Mohammed bin Salmanin, princin e kurorës Saudite dhe Sekretarin e Shtetit të SHBA Mike Pompeo. Sauditët e mohuan raportin dhe zoti Netanyahu refuzoi të komentojë.

Zhurnal Ads
Zhurnal Ads

Postime të ngjashme

Biden: Pasoja shkatërruese, nëse nuk nënshkruhet paketa stimuluese

T E

Kërkonin të kalonin në Europë, fundoset varka me 74 emigrantë

T E

Gjykatësi më i lartë i Bosnjës do të japë dorëheqje pas akuzave për korrupsion

T E

Iran, 223 të vdekur dhe mbi 7 mijë raste të reja me COVID-19

S.B.

Arrestohen dy persona, dyshohet se vizituan sulmuesin e Vjenës

T E

Senati e miraton zgjedhjen e Amy Coney Barrett si anëtare të Gjykatës së Lartë në SHBA

admin
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...