VLORË- Marion Mitro, është plagosur me armë zjarri mesditën e sotme në qytetin e Vlorës. Burime për Top Channel bëjnë me dije se Mitro ka marrë një plumb në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se në aksin rrugor Vlorë- Selenicë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur i markës “Land Rover”, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit të ngjarjes.
Por kush është Marion Mitro?
Ai është një personazh i njohur i botës së krimit. Mitro rezulton i arrestuar më parë për akuzën e “Akteve Terroriste” dhe se ishte anëtar i bandës së vrasësve me pagesë të Julian Sinanajt.
Mitro është arrestuar edhe më parë, gjatë vitit 2014, pasi akuzohej si porositësi i atentatit me bombë ndaj ish-Prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi.
Mitro së bashku me anëtarët e tjerë të kësaj bande, akuzohen për një sërë veprash të rënda kriminale si vrasje, trafik armësh e tritoli, si grup i strukturuar kriminal.
Gjithashtu, kjo bandë është akuzuar edhe për sulmin me tritol ndaj banesës së Ardian Kollozit, ish-deputetit të Qarkut të Vlorës.
Informacioni paraprak:
Sot, rreth orës 10:00, në spitalin e Vlorës, ka shkuar i plagosur (dyshohet me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta), shtetasi M. M., banues në Vlorë, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë krehjes së zonës, në aksin rrugor Vlorë- Selenicë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur i markës “Land Rover”, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit të ngjarjes.
Vijon krehja e zonës nga shërbimet e DVP Vlorë, për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.