Shqipëri

Ish-ministrja Gjosha: Qeveria ka pezulluar me vetëdije të plotë integrimin, ja si u shkatërrua procesi

Zhurnal Ads

Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha akuzon qeverinë se ka pezulluar procesin e integrimit duke renditur dhe hapat se si po shkatërrohet ky proces.

Gjosha shkruan se hapi i parë i shkatërrimit nisi me mbylljen e Ministrisë së Integrimit dhe largimin e një pjese të madhe të strukturave koordinuese. E dyta sipas saj, ishte kalimi i kompetencave nga Ministri, në nivel zëvendës ministri. Po kështu një nga arsyet që ky proces është pezulluar, Gjosha tha se ka të bëjë me grupin negociator të Shqipërisë, i cili përbëhet nga njerëz politikë që mbajnë postet e zëvendës ministrave, ndërsa arsyeja e fundit është fakti që kryenegociator është kryeministri.

POSTIMI I PLOTË
Çfarë po ndodh me procesin e integrimit evropian të vendit?

Që prej vitit 2017 duket sikur qeveria me vetëdije të plotë ka pezulluar procesin më të rëndësishëm në Shqipëri për sa i përket transformimit, demokratizimit dhe integrimit në vlera evropiane! Sot kam vendosur të jem pak teknike në ngritjen e problematikave, sepse ne gjithmonë flasim politikisht për publikun, dhe në fund është e vështirë për qytetarët të ndajnë arsyet e dështimit të këtij procesi!

Hapi i parë i shkatërrimit nisi me mbylljen e Ministrisë së Integrimit dhe largimin e një pjese të madhe të strukturave koordinuese. Shkrirja e disa prej Ministrive të tjera solli gjithashtu mbylljen e shumë prej drejtorive përgjegjëse për integrimin evropian. Një pjesë e madhe e stafit ishin njerëz të akredituar nga BE për fushat e tyre përkatëse dhe pjesë kryesore e grupeve ndërinstitucionale të punës që mbajnë dhe peshën më të rëndë të burokracisë së këtij procesi! Pjesa tjetër e stafit të këtyre drejtorive, edhe pse mbajnë tituj përgjegjësie në postet përkatëse, shpesh e gjejnë veten të ngarkuar me detyra dytësore që nuk kanë të bëjnë me integrimin. Kjo sepse drejtuesit e institucioneve tona nuk njohin as rregullat bazë të administratës mbi ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive.

E dyta, ishte kalimi i kompetencave nga Ministri, në nivel zëvendës ministri. Ndoshta shumë lexues do të pyesnin pse është kjo e rëndësishme? Kjo do të thotë se procesi i integrimit nuk është më një prioritet për qeverinë aktuale. Është shumë e vështirë për një zëvendës ministër t’i japë urdhra ministrave të tjerë, që shpesh e kanë edhe ata vetë të vështirë të kuptojnë procesin, e jo më t’i vendosë ultimatume afatesh për kryerjen e detyrave konkrete. Kjo është një arsye e fortë pse shumë nga çështjet që janë pjesë e Planit Kombëtar të Integrimit mbeten të pa kryera dhe me afate që janë tejkaluar për disa vite me radhë.

E treta ka të bëj me grupin negociator të Shqipërisë, i cili përbëhet nga njerëz politikë që mbajnë postet e zëvendës ministrave. Që nga momenti kur u krijua grupi negociator, ne kemi pasur disa shkarkime, lëvizje të individëve përgjegjës, që do të thotë se grupi nuk është stabël ashtu siç duhej të ishte, por ai ndryshon sa herë Kryeministri dëshiron të ndërrojë stafin e tij dhe kjo nuk është aspak serioze. Grupi negociator i Shqipërisë do duhej të përbëhej nga njerëz të aftë, ekspertë të fushave përkatëse, sipas kapitujve që negociohen dhe jo nga njerëz që i shërbejnë politikisht interesave të ngushta partiake.

E fundit, por jo për nga rëndësia, ka të bëj me Kryenegociatorin shqiptar. Edhe pse e gjithë struktura e koordinimit ndodhet pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kryenegociatori është i zhvendosur me zyrë në institucionin e Kryeministrit. Sado shpikje të duam të bëjmë me menaxhimin e procesit, është e qartë që koka nuk mund të qëndroj e shkëputur nga trupi! Procesi nuk mund të drejtohet as me telefon dhe as me e-maile.

E të gjitha këto çojnë më pas në mungesën e vullnetit, konfuzionin dhe mungesën e koordinimit. Bashkëngjitur kësaj vjen deliri politik që kërkon të bindë vetveten dhe të tjerët se arritjet janë historike, se negociatat janë çelur edhe atëherë kur ato janë më larg se kurrë.

15 kushtet qëndrojnë ende të gdhendura në muret e çdo kancelarie Evropiane. Ndërsa Maqedonia e Veriut do të shkoj drejt konferencës së parë qeveritare, Shqipërisë i shtohen kushtet e saj, sa herë qeveria refuzon t’i pranojë dhe realizojë ato!

Procesi i integrimit evropian nuk është thjesht një detyrim por mbi të gjitha është integrim në vlera dhe standarde dhe si i tillë ka nevojë për maturi politike!

Postime të ngjashme

Teliti: Shqiptarët vdesin trotuareve të përzënë nga spitalet

admin

Bylykbashi: Edi Rama po përpiqet të manipulojë listat e zgjedhësve

S.B.

Greqi/ Të shtëna me armë zjarri në orët e para të mëngjesit, plagoset i riu shqiptar. Çfarë thotë policia

admin
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...