Agjencia Zhurnal.mk
Kulturë

ITSHKSH dhe QSPA nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Shkup, 16 qershor – Në kuadër të këmbimit të dijeve e përvojave me institucione të tjera rajonale, të martën në Shkup është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në mes të Institutit i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) nga Tirana.

Udhëheqësit e këtyre dy institucioneve – Prof.dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH dhe Dr. Diana Kastrati, drejtoreshë e QSPA, u zotuan se ky memorandum bashkëpunimi do të jetë jo vetëm formal, por edhe përmbajtësor, me aktivitete e projekte konkrete që do të realizohen bashkërisht në të ardhmen.

Pritet që në të ardhmen të arrihen disa synime: Bashkëpunimi dhe ndihma e ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët, siç është zhvillimi i përvojave shkencore e kulturore në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Shqipërisë; Botimi i përbashkët i veprave shkencore me interes për të dy palët, që në fokus kanë historinë, kulturën, gjuhën, letërsinë dhe folklorin arbëresh dhe të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ato do të kenë në fokus cilësimin e identitetit të komunitetit arbëresh dhe të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, si pjesë e shkencës albanologjike, por edhe rivlerësimin e marrëdhënieve të vendlindjes me komunitetin arbëresh, si komunitet shqiptar më i vjetër në diasporë; Në funksion të bashkëpunimit, dy institucionet do të shkëmbejnë fondet arkivore të dokumenteve historike. Dokumentet do të përdoren për realizimin e projekteve shkencore për çështjen shqiptare; Sensibilizimi i opinionit më të gjerë për nevojën e kultivimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore e shpirtërore si pasuri kombëtare;Promovimi dhe ruajtja e vlerave shpirtërore e kulturore me interes të përbashkët; Krijimi i klimës së mirë që kuadrot e reja të inkuadrohen në projektet shkencore që i realizon ITSHKSH-ja e QSPA, ndërsa mund të jenë ndihmesë e mirë e ndërsjellë.

Një letërnjoftim mbi punën e ITSHKSH paraqit fillimisht Dr. Asani, i cili e njoftoi kolegen nga Tirana mbi profilin e këtij Instituti, duke folur konkretisht për departamentet ekzistuese si dhe përgjithësisht për veprimtarinë shkencore e botuese. Ai gjithashtu bëri të ditur se edhe sivjet do të ketë përmbajtje tematike në kuadër të Ditëve të Alfabetit, që fillojnë më 14 nëntor të këtij viti, e që do t’iu kushtohet Arbëreshëve të Italisë, përfshi gjithë krijimtarinë dhe potencialin krijues të tyre në të kaluarën dhe sot.

Dr. Asani me këtë rast foli edhe për rëndësinë që kishin arbëreshët në shek. 19, atëherë kur po finalizohej formimi i kombeve në Europë.

“Arbëreshët ishin ura që lidhte shqiptarët me Europën dhe përmes tyre transmetoheshin idet europiane në hapësirën shqiptare. Me krijimtarinë dhe kreativitetin e tyre krijues, arbëreshët ruajtën frymën evropiane brenda trungut etnik shqiptarë dhe kjo është arsyeja që ne sivjet do ta trajtojmë rolin e arbëreshëve pikërisht në këtë prizëm”, nënvizoi Dr. Asani.

Dr. Diana Kastrati, drejtoreshë e QSPA, gjithashtu i bëri një përshkrim telegrafik punës njëvjeçare e gjysmë të kësaj qendreje, e cila , siç tha ajo, ka mision studimet e specializuara për historinë, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh, nëpërmjet nxitjes së bashkëpunimit mes studiuesve të fushës vendas dhe në diasporë e më gjerë, me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e strukturës së studimeve mbi komunitetin arbëresh. Pjesë e misionit të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) është vlerësimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me komunitet arbëresh në botë, përmes organizimit të aktiviteteve dhe konferencave shkencore.
Pritet që përvojat e këtyre dy institucioneve të marrin rrugën e nevojshme të bashkëpunimit dhe bashkërendimit për shumë ide e projekte që do të realizohen në kuadër të konferencave shkencore si dhe të botimeve të përbashkëta.

Postime të ngjashme

Artistët e ansamblit në rrugën drejt suksesit të radhës

D V

Mbrëmje koncerti me Korin e përzier të Filarmonisë së Kosovës sonte në “Verën e Ohrit”

Z H

Pezullohet nga pozita drejtori i QKK-së, Arben Zharku

D V

Muzikali ‘Hirushja’ në Londër nuk do të hapet për shkak të masave ndaj COVID-19

D V

Qyteti 4 mijë vjet i vjetër në “djepin e qytetërimit”

D V

Kur të burgosurit e udhëheqin burgun

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...