Izraeli ka informuar zyrtarisht Kombet e Bashkuara për përfundimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me agjencinë kryesore të OKB-së që ndihmon palestinezët në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Gazën e shkatërruar nga lufta.
Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, tha në një postim në X se vendi i tij njoftoi zyrtarisht Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres – për ndërprerjen e bashkëpunimit me Agjencinë e OKB-së për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA).
“Pavarësisht provave dërrmuese që i paraqitëm OKB-së që vërtetojnë infiltrimin e Hamasit në UNRWA, OKB-ja nuk bëri asgjë për të korrigjuar situatën”, tha Danon.
“Shteti i Izraelit do të vazhdojë të bashkëpunojë me organizatat humanitare, por jo me organizatat që promovojnë terrorizmin kundër nesh”, shtoi ai.
Më 28 tetor, parlamenti izraelit votoi për të ndaluar UNRWA, ofruesi kryesor i ndihmës humanitare në Rripin e Gazës.
Legjislacioni do të hyjë në fuqi pas një periudhe tre mujore.
Izraeli akuzon agjencinë se është infiltruar nga organizata militante palestineze Hamas – dhe se disa punonjës të UNRWA-s ishin të përfshirë në sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, të cilat shkaktuan konfliktin në Gazë.
“Shteti i Izraelit do të vazhdojë të bashkëpunojë me organizatat humanitare, por jo me organizatat që promovojnë terrorizmin kundër nesh”, tha Danon.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së lëshoi më herët një deklaratë unanime duke thënë se çdo ndërprerje ose pezullim i punës së UNRWA-s do të kishte pasoja të rënda humanitare për miliona refugjatë palestinezë.