Izraeli në përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit

Izraeli ka vendosur kufizime të reja që synojnë parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Masat të cilat kanë hyrë në fuqi të mërkurën (18 gusht) përfshijnë hyrjen me certifikatë të vaksinimit ose testin me rezultat negativ ndaj COVID-19 në një sërë hapësirash publike siç janë: baret, vendet kulturore dhe sportive si dhe hotelet dhe palestrat.

E njëjta masë vlen edhe për besimtarët që duan të hyjnë në sinagoga, xhami ose kisha me më shumë se 50 persona të pranishëm.

Pastaj, kapaciteti i dyqaneve, qendrave tregtare dhe parqeve industriale do të kufizohet në një person për shtatë metra katrorë.Izraeli ka pasur shkallën më të lartë të vaksinimit, mirëpo gjatë javëve të fundit, numri i rasteve të reja me koronavirusin e ri ka shënuar rritje. Sipas zyrtarëve shëndetësorë varianti Delta i koronavirusit është fajtor për këtë situatë.

Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar për më shumë se 8.700 njerëz që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus të martën (17 gusht).

Kjo shifër ditore është më e larta që nga muaji janar. Sipas ministrisë së Shëndetësisë të Izraelit, 58 për qind e afërsisht 9.3 milionë banorëve kanë marrë dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech. Javët e fundit, ka filluar vaksinimi edhe me një dozë shtesë për izraelitët e moshës 50 vjeç e lart.

Rreth një milion izraelitë nuk janë vaksinuar edhe pse kanë të drejtë.

Gjatë një paraqitjeje para një komisioni parlamentar izraelit të mërkurën, koordinatori i përgjigjes ndaj koronavirusit, Salman Zarka, tha se fillimi i Vitit të Ri Hebraik më 6 shtator do të ishte “kritik” nëse vazhdon kjo situatë epidemiologjike.

Rastet po rriten gjithashtu mes palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Zyrtari palestinez i shëndetësisë përgjegjës për spitalet, Naji Nazzal, tha se shkaku i rritjes së rasteve është varianti Delta, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve Wafa./rel

Related posts

Greqia dhe Turqia nuk pranojnë valë afgane të migrantëve

Redaksia

BE do t’i kthejë vaksinat Johnson & Johnson të prodhuara në Afrikë

D V

OBSH-ja synon të blejë ilaçe kundër COVID-19 për vendet e varfra

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More