Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance, deklaroi se India dhe Pakistani duhet të zbusin tensionet, por shtoi se SHBA-të nuk mund të kontrollojnë vendet aziatike të armatosura me armë bërthamore dhe se një luftë mes tyre nuk do të kishte lidhje me SHBA-të.
“Ne duam që kjo situatë të de-përshkallëzohet sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, ne nuk mund t’i kontrollojmë këto vende. Ajo që mund të bëjmë është të përpiqemi t’i inkurajojmë ata të ulin tensionet, por nuk do të përfshihemi në mes të një lufte që në thelb nuk na përket dhe nuk ka asnjë lidhje me aftësinë e Amerikës për ta kontrolluar atë”, tha Vance në një intervistë për Fox News.
India është një partnere e rëndësishme e Uashingtonit, i cili synon të përballojë ndikimin në rritje të Kinës, ndërsa Pakistani mbetet një aleat i SHBA-ve, pavarësisht nga rëndësia e tij e reduktuar pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani fqinj në vitin 2021.
Analistët dhe disa ish-zyrtarë amerikanë kanë thënë se përfshirja e SHBA-ve në arritjen e objektivave diplomatike në luftën e Rusisë në Ukrainë dhe në luftën izraelite në Gaza mund ta shtyjë Uashingtonin të lërë Indinë dhe Pakistanin të veprojnë vetë në ditët e para të tensioneve të tyre, pa ndonjë presion të madh të drejtpërdrejtë nga qeveria amerikane, sipas reuters.
Pakistani dhe India janë akuzuar reciprokisht për sulme me dronë, ndërsa ministri i mbrojtjes i Islamabadit ka thënë se përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit është “gjithnjë e më i mundshëm”. Luftimet dyditore kanë marrë jetën e më shumë se 40 personave.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, e ka quajtur përshkallëzimin e tensioneve një turp, duke thënë se shpreson që të dy vendet të ulin tensionet. Departamenti i Shtetit ka bërë thirrje që të dyja vendet të punojnë drejt asaj që Uashingtoni e quan “një zgjidhje të përgjegjshme”.