Agjencia Zhurnal.mk
Kuriozitete

“Jemi afër pikës pa kthim për klimën”

Përderisa po fillojnë programet e vaksinimit kundër COVID-19, viti 2021 fillon me shpresën se do të përfundojë pandemia. Kemi pasur nevojë për një udhëheqësi të fortë, vendime të vështira dhe financa të ndara që të vijmë në këtë pikë. Tani duhet ta zbatojmë të njëjtën masë për ta luftuar ndryshimin klimatik ose përndryshe ekziston rreziku se do të përballemi me shumë vjet të rëndë sikurse ai që lamë pas. Kështu ka paralajmëruar Inger Andersen, drejtoresha ekzekutive e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara (UNEP).

Viti 2020 – me gjasë më i ngrohti që është regjistruar deri më tani – ka sjellë stuhi, zjarre, thatësi, vërshime dhe shkrirje akullnajash. Ngecja ekonomike e lidhur me pandeminë ka sjellë ulje të përkohshme të emetimeve të dyoksidit të karbonit, por krejt kjo, sipas Andersenit nuk do të ndikojë në temperaturat afatgjata; emetimet e dikurshme janë ende në atmosferë dhe çdo ditë shtohen të tjera.

“Megjithëse vendet kanë zbatuar zotimet më të fundit të pakushte – të njohura si Kontributet Kombëtare të Përcaktuara – sipas Marrëveshjes së Parisit për Ndryshimin Klimatik, përsëri po shkohet drejt rritjes së temperaturës për 3.2 gradë Celcius në këtë shekull. Ngrohjet e tilla do të sillnin dhembje, mjerim dhe shkatërrim që tejkalon çkado që COVID-19 na ka sjellë. Jemi afër pikës ku nuk ka kthim prapa”, ka thënë ajo.

Udhëheqësit mund ta ndryshojnë këtë duke investuar në zgjidhje të gjelbra e të qëndrueshme si pjesë e zotimeve të rikuperimit të pandemisë. Andersen ka sugjeruar se “Emissions Gap Report 2020” nga UNEP-ja ka treguar se nëse bëhet diçka e tillë atëherë emetimet mund të ulen për 25 për qind deri më 2030. Kjo gjë, sipas saj e çon botën aty ku duhet të jetë për ta pasur mundësinë që të arrihet caku i Marrëveshjes së Parisit.

Përgatitja për maratonë

Masat e gjelbra dhe të qëndrueshme rikuperuese mund të sjellin ulje të tilla përderisa ndikojnë që të arrihen edhe synimet e tjera mjedisore, shoqërore dhe ekonomike.

|Kemi nevojë për mbështetje të drejtpërdrejtë për teknologjitë dhe infrastrukturën pa emetime. Dhe t’i jepet fund subvencioneve të thëngjillit dhe karburanteve fosile. Ligjet që lejojnë konsumimin më të paktë të karbonit. Zgjidhjet e bazuara në natyrë – përfshirë këtu rindërtimin e fushave të shkallës së lartë dhe ripyllëzimi sipas ‘UN Decade on Ecosystem Restoration’, që fillon këtë vit”, ka thënë Andersen për Deutsche Welle.

Deri më tani, shumë pak vende kanë investuar në pakot e gjelbra stimuluese. Dhe kjo gjë, sipas ekspertes, duhet të ndryshojë.

Viti 2021 është gjithashtu viti në të cilin COP26, takim i vendeve që kanë nënshkruar në Marrëveshjen e Parisit që shihet si pikë kthese, do të ndodhë. Sipas Raportit të Hendekut të Emetimeve, 126 vende i kanë përshtatur, publikuar apo janë duke i marrë parasysh planet për zero emetime. Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bashkohen kësaj gare sikurse kanë premtuar, Andersen thotë se vendet tjera do të zotohen gjithashtu për neutralizim të karbonit

“Por sikurse personi që zotohet në ditën e parë të janarit se do të marrë pjesë në një maratonë në fund të vitit, duhet të marrim hapa të caktuar, duke filluar prej tash, në mënyrë që të jemi gati për garën”, ka shtuar ajo.

Këto zotime duhet të përkthehen urgjentisht në veprime dhe ligje të forta e të shpejta, që integrojnë rikuperim pandemik me pak karbon dhe përfshihen në NDC-në e re dhe më të fortë përpara samitit të nëntorit. Përndryshe, Andersen i quan të gjitha këto si premtime boshe.

Financat e përshtatjes

Një tjetër prioritet është që të ndihmohen vendet dhe komunitetet e dobëta që të merren me ndikimet e shtuara të ndryshimit klimatik.

“Adaptation Gap Report”, i përpiluar nga UNEP dhe i cili do të publikohet në javët në vijim, do të tregojë që ende nuk ka veprim serioz në aspektin e përshtatjes.

“Financat janë ende shumë larg niveleve që kërkohet dhe pjesa dërrmuese e nismave ende nuk i kanë ulur rreziqet klimatike. Sikurse ka thënë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, kemi nevojë për një zotim global që t’i ndajmë gjysmën e financave globale për adaptim para COP26”, ka thënë Andersen. “Këtë vit, e kemi mundësinë e duhur që të merremi me katastrofën klimatike”.

Ajo ka sugjeruar gjithashtu se duhet shfrytëzuar çdo mundësi për ta mbrojtur natyrën dhe klimën, dhe rrjedhimisht edhe shëndetin e njerëzve, paqen dhe prosperitetin për dekadat në vazhdim. “Mund të jetë një nga mundësitë e pakta që mund t’i kemi”.

Postime të ngjashme

“Njeriu i Sharrit”, ekskluzivitete që nuk keni parë më herët

T E

Fëmijëve në Itali as “që u bën përshtypje” shpërthimi i vullkanit, vazhdojnë lojën sikur të mos ndodhte asgjë

S.B.

Asteroidi kalon pranë Tokës, mund të godasë planetin tonë, ja paralajmerimi i i forte

T E

Zogu më i moshuar i botës, çel vezën në moshën 70-vjeçare

S.B.

A mendoni se kufjet e telefonit tuaj celular janë të pastër? Shikoni ato me zoom

S.B.

Zbulohen tunele misterioze në Uells

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...