Besnik Boletini ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), për shkak të mosmarrjes së masave për personat përgjegjës që transmetuan në RTK një pjesë të artikullit të portalit boshnjak, “Slobodna Bosna” .
Boletini njoftoi përmes Facebookut se gjatë këtyre javëve, “kundër vështirësive” ka pasur përpjekje që të adresohet “skadali i publikimit të një artikulli të paverifikuar”. Por, shtoi se në RTK nuk ka vullnet që të ndërmerren masa ndaj përgjegjësve për këtë rast.
“Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta [që i ka përgjegjësitë e drejtorit] nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”, shkroi Boletini në Facebook.
Në artikullin e “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë), të publikuar në korrik, supozohej se disa media të caktuara në rajonin e Ballkanit i janë nënshtruar regjimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit.
Në atë artikull janë përmendur edhe dy portale të Kosovës: “Nacionale” dhe “Periskopi”.
Në Kosovë ka pasur reagime rreth këtij artikulli, kryesisht për faktin që RTK-ja transmetoi një pjesë të tekstit dhe ai më pas është shpërndarë prej disa deputetëve të partisë në pushtet.
Pas publikimit të një pjese të artikullit të portalit serb në RTKlive dhe në RTK, Bordi i RTK-së u mbodh më 23 korrik dhe shprehu shqetësim për publikimin e “artikullit kontrovers në RTK.
Bordi e kishte cilësuar publikimin e tij si “ “lëshim të qartë”, duke kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti. Për këtë çështje ishte formuar një komision.
Më 24 korrik, 16 organizata joqeveritare dhe tre aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).