Agjencia Zhurnal.mk

JO rregullave veç të “konsumuara”, pasi që nuk i bëjnë nderë as demokracisë e as ligjit!

Shkruan , Lirim Begzati

Me gjithë faktin se ato bartin petkun e një stili modern juridik, e keqja e disave nga rregullat, të cilat i hasim në përmbajtjen e Kushtetutës së Kosovës, është se ndoshta ato përballen me vendin, me kohën dhe sidomos me disa njerëz të gabuar! Ndoshta edhe hartuesit e Kushtetutës, edhe ata, me gjithë përkushtimin e tyre të lartë profesional, konstatojnë në ditën e sotme se nuk kanë mundur assesi të parashikojnë se do të arrijmë një ditë deri në këtë shkallë të çudirave! 

Janë posaçërisht disa nga rregullat që ia risin “shtatin” funksionit presidencial, ata të cilat përballen sot me praktika të papërshtatshme funksionimi, me sfida që ndeshen me veprime të cilat i tejkalojnë kalkulimet juridike dhe demokratike, me rregulla të lojërave politike të cilat nuk i bëjnë nderë Kushtetutës, e aq më pakë vlerave demokratike. 

Disa ngjarje aktuale na tregojnë se kjo Kushtetutë, si e tillë, nuk duket se iu përshtatet realiteteve komplekse të vendit; në një vend ku Kushtetuta nuk përfillet vërtetë deri në atë masë, jo ashtu siç pretendon dikush! Siç duket, përkundrazi, ajo paraqet instrument alibi, të përshtatshëm, për mbrojtje nga tronditjet e njëfarë statusi apo privilegje të humbur!

Apo, me plotë arsye, dikush mund të parashtrojë edhe pyetjen, se a është vërtetë fajtore Kushtetuta, apo fajin do ta kërkojmë diku tjetër? Të dyja ndoshta nga pakë, kështu që bëhet shumë! Diçka është e sigurt; nuk është aspak e besueshme se disa rregulla të Kushtetutës së sotme do të mbijetojnë në të ardhmen.

T’iu kthehemi sërish disa rregullave aq të përfolura, me një ambicion interpretimi ndoshta veç të dëgjuar këtu e aty, që do të përmblidhen me disa pika: 

  • Paragrafi 1 i nenit 95 të Kushtetutës thotë „Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë“. Pikërisht kjo ndodhi para disa muajve. Tani mundet lirshëm të thuhet se kjo dispozitë është „konsumuar“. Ajo nuk mund të përsëritet dy apo tre herë, e as më tepër.
  • Paragrafi 4 i nenit 95, në mes tjerash thotë “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë..“. Një formë interpretimi lejon të vlerësohet se kjo rregull nuk mund të aplikohet në kontekstin aktual, pasi që Qeveria i morri shumicën e votave të nevojshme. Është e vërtetë se ajo u rrëzua me kalimin e kohës, por kjo situatë nuk gjen gati se askund ndonjë pikëmbështetje juridike që do të lejonte që mandati ti besohet tani dikujt tjetër. Kjo supozon edhe atë se ajo aplikohet vetëm atëherë kur kandidati tjetër, nuk është zgjedhur që nga fillimi. 
  • Po në të njëjtin paragraf, e hasim edhe parimin vijues „….Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre“. Edhe ky paragraf natyrisht se nuk lejon aq lehtë që të përdoret, në dobi të dikujt tjetër, hipoteza e fokusuar në një interpretim dogmatik të rregullës “edhe nëse herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria…“, pasi që Qeveria e tanishme në detyrë u zgjedhë që nga hera e parë. 
  • Paragrafi 5 i nenit 95 të Kushtetutës thotë se “Nëse kryeministri jep dorëheqje ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë…”. Në ketë situatë, jo vetëm se nuk është dhënë aspak një dorëheqje, por edhe kushti tjetër që ka të bëjë me mbetjen e lirë të postit “për arsye të tjera” nuk plotësohet. Ky kushti i fundit e gjen mbështetjen e tij posaçërisht në rrethanat e krijuara; gjendja aktuale për shkak të pandemisë, nuk do të arsyetonte aspak që të jepet një dorëheqje, përfshirë këtu edhe nevojën që të mos mbetet posti i tillë i lirë, sidomos jo në një kontekst të “urisë” së lartë të dikujt tjetër për pushtet, dhe vetëm për pushtet!
  • Paragrafi 5 nuk flet pra fare për hipotezën e rrëzimit të Qeverisë, por vetëm për dorëheqje dhe largim “për arsye të tjera”. Bile asnjë element interpretimi nuk dëshmon se ishte i qëlluar propozimi i Presidentit që iu bë partisë së tanishme udhëheqëse (LVV) për formimin e qeverisë së re. Ka qenë ndoshta i panevojshëm, ose sa për “sy e faqe”!
  • Fundja, Kushtetuta nuk përmban aspak dispozita eksplicite që lejojnë “testime” të njëpasnjëshme të koalicioneve apo grupeve politike. Nuk do të ishte e lejueshme të ringjallen rregulla veç të “konsumuara”, nuk ka kthim prapa, nuk ka rifillim nga e para, e panevojshme me iu futur një rrethi vicioz, duke i provuar aftësitë qeverisëse të çdo grupi i cili arrin që, në momentet e “përshtatshme”, ti gjejë partnerët e tij për me formuar Qeverinë.
  • Si konkludim logjik i gjithë kësaj do të ishte aplikimi i rregullës mbi zgjedhjet e reja. Në rast të shpalljes së tyre, nuk paraqitet nevoja e përfilljes së rregullës kushtetuese e cila potencon se zgjedhjet duhet të mbahen brenda dyzet ditëve. Sot, në gjithë botën anulohen ose shtyhen zgjedhjet, pa asnjë dilemë e diskutim, anembanë kanë shkuar sadopak në harresë Kushtetutat, përveçse te na! Edhe shpërndarja eventuale e Kuvendit (sipas nenit 82), meriton një analizë të kujdesshme në kuadër të një alternative tjetër të mundshme.  
  • Vallë, si do të veprohet, nëse dështon edhe ky grup qeverisës që profilohet tani (edhe pse dështimi me siguri se do të ndodhë, në një nivel apo tjetër)? Atëherë, do të propozohet një qeveri e radhës, e treta, e katërta,…e kështu me radhë? Ndryshe me thënë deri në cilin numër duhet me i bërë llogaritë? E një pyetje sadopak më e lehtë; vallë nuk e kishit pak më lehtë të tregoni pak durim dhe, në momentin e duhur, me shpallur zgjedhje të reja, kur dihet se ky testi i demokracisë do të kishte më tepër legjitimitet dhe kuptim se sa betejat e sotme juridike?

Disa nga pikat thelbësore janë rikujtuar, në mënyrë tejet brilante, nga disa njohës të mirë të këtyre çështjeve, nga të cilët do të veçonim profesorët A. Bajrami dhe R. Smaka. Por duket se këshillat e tyre shkojnë në veshë të shurdhër! Ndoshta do të kishte pasur pak më tepër fat këshilla e ndonjë asistenti të huaj të së drejtës kushtetuese, por me kusht që të mbante emrin Müller !

Neuchâtel (Zvicër), 25 prill 2020

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...