Agjencia Zhurnal.mk
Bota

John Kerry fton Kinën për bashkëpunim global ndaj ndryshimeve klimatike

I Dërguari i Posaçëm Presidencial për Klimën, po bën thirrje për bashkëpunim mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës dhe të gjitha vendeve të tjera, për çështjen e ndryshimeve klimatike, pasi “asnjë vend nuk mundet ta zgjidhë këtë problem i vetëm – e pamundur.

John Kerry, i ndodhur në Azi në udhëtimin e tij të parë si i Dërguari i Posaçëm Presidencial për Klimën, po bën thirrje për bashkëpunim mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës dhe të gjitha vendeve të tjera, për çështjen e ndryshimeve klimatike, pasi “asnjë vend nuk mundet ta zgjidhë këtë problem i vetëm – e pamundur. Secilit prej nesh i duhen të gjithë të tjerët rrotull tryezës për ta bërë këtë të mundur”.

Duke folur me kanalin CNBC, pas pjesëmarrjes në Dialogun Rajonal për Veprimin Klimatik në Abu Dhabi, të organizuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, zoti Kerry tha se “kjo nuk ka të bëjë me Kinën, kjo nuk është një kundërpeshë ndaj Kinës. Kjo ka të bëjë me Kinën, Shtetet e Bashkuara, Indinë, Rusinë, Indonezinë, Japoninë, Korenë, Australinë, dhe një sërë vendesh që çlirojnë ndotje të konsiderueshme, më së shumti Shtetet e Bashkuara dhe Kina”.

Komentet e zotit Kerry të dielën u bënë përpara vizitës në Indi gjatë periudhës 5 – 8 prill dhe në Bangladesh më 9 prill. “India po i realizon gjërat për sa i përket klimës, po rrit standardin”, tha zoti Kerry në Nju Delhi të martën, sipas agjensisë së lajmeve Reuters. “Jeni pa dyshim një udhëheqës botëror për vënien në përdorim të energjisë së rinovueshme”.

Të dyja vizitat synojnë të theksojnë përpjekjet e administratës së Presidentit Biden për të arritur një angazhim ndërkombëtar për të trajtuar çështjen e ndryshimeve klimatike.

Ish-Sekretari amerikan i Shtetit Kerry nuk do të takohet me zyrtarin kryesor kinez për klimën Xie Zhenhua gjatë kësaj vizite, megjithëse të dy njihen nga kontakte të mëparshme.

Marrëdhënia e zotit Xie, një ndër personazhet qendrore të planit të Pekinit për të eliminuar çlirimin e karbonit deri në 2060 dhe gjithashtu kryenegociator i këtij vendi për Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike ku morën pjesë rreth 200 vende, me homologun e tij amerikan Todd Stern mendohet se mundësoi realizimin e marrëveshjes në fund të vitit 2015. Ministria kineze e Ekologjisë dhe Mjedisit njoftoi në shkurt se riemërimi i të dërguarit të saj posaçëm, pas 2 vitesh pauze, reflekton angazhimin e Kinës për të forcuar komunikimin me administratën e Presidentit Biden për ndryshimet klimatike, sipas rrjetit Bloomberg.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara, dy ekonomitë më të mëdha të botës, janë së bashku përgjegjëse për 43% të ndotjes me gaze karbonike të botës.

Jennifer Turner, drejtore e Forumit Mjedisor të Kinës në Qendrën Wilson, i tha shërbimit mandarin të Zërit të Amerikës se ka ende shumë pjesë në lëvizje ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Kina po ripërtërijnë marrëdhënien e tyre pas një periudhe shumë të tensionuar dhe konfrontuese gjatë viteve të fundit.

“Kerry dhe Xie e njohin tashmë njëri-tjetrin pas ndërveprimesh të shpeshta gjatë administratës Obama, prandaj mund ta kuptoj përse nuk pati urgjencë për dy krerët e klimës që të takoheshin menjëherë”, i tha ajo Zërit të Amerikës.

Jane Nakano, eksperte për sigurinë energjitike dhe ndryshimin klimatik në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, beson se ndryshimi klimatik është një fushë ku bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mund të sjellë progres megjithë pozicionet e ndryshme për tregtinë, të drejtat e njeriut, pronësinë intelektuale dhe teknologjinë.

“Përqasja e deklaruar e Uashingtonit për Kinën është që të jetë ‘bashkëpunues kur mundet’ si dhe për të mos bërë lëshime të pakëndshme në fushat e tjera në shkëmbim të bashkëpunimit për klimën”, i tha ajo Zërit të Amerikës nëpërmjet emailit. “Nga pikëpamja kineze, Pekini mund të jetë duke ndjerë se nuk do të ketë shumë për të fituar nga një angazhimin aktiv i drejtpërdrejtë, në veçanti kur klima është një prioritet për administratën Biden dhe jo për Kinën”.

“Pekini ndoshta do të dojë të shohë se çfarë do të jetë i gatshëm të ofrojë Uashingtoni, apo do t’i kërkojë Pekinit”, shtoi ajo.

Megjithatë, Richard Weitz, drejtor i Qendrës për Analizat Politiko-Ushtarake në Institutin Hudson, thotë se çdo vonesë në bisedimet mes Uashingtonit dhe Pekinit mund t’i atribuohet më shumë aspekteve.

“Mungesa e dialogut të drejtpërdrejtë mund të jetë për arsye logjistike”, si p.sh. rregullimi i takimeve mes diplomatëve të zënë me punë, i tha zoti Weitz Zërit të Amerikës. Mund të ekzistojë gjithashtu mundësia që “Shtetet e Bashkuara të duan të takohen njëherë me vendet aleate dhe partnere përpara se të angazhohen me Kinën”.

Presidenti amerikan Joe Biden e ka renditur ndryshimin klimatik ndër prioritetet. Ai e quajti atë “çështjen numër një me të cilën përballet njerëzimi”, kur ishte ende kandidati demokrat në muajin tetor. Pak ditë pasi mori detyrën, më 27 janar, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv “për të mbi-fuqizuar planin ambicioz të administratës për t’u përballur me kërcënimin ekzistencial të ndryshimeve klimatike”.

Presidenti Biden po planifikon një samit virtual dy-ditor me udhëheqësit botërorë, më 22 dhe 23 prill. Sipas faqes në internet të Shtëpisë së Bardhë, “Samiti i Udhëheqësve për Klimën do të nënvizojë urgjencën dhe të mirat ekonomike të veprimit më të fortë për klimën. Do të jetë një gur i rëndësishëm kilometrik në rrugën drejt Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike, në nëntor në Glasgou”.

Propozimi i fundëm i Presidentit Biden për infrastrukturën, me vlerë 2 trilionë dollarë, përfshin një investim prej 35 miliardë dollarësh në teknologjinë e pastër dhe 174 miliardë dollarë për ndryshimin e tregut të automobilëve elektrikë të vendit.

Postime të ngjashme

Izraeli do “pakt të ri” për Iranin: Marrëveshja e vjetër kërcënon ekzistencën tonë

R Zh

Evropa në protestë kundër masave të reja anti-Covid

R Zh

Kina po e shqyrton mundësinë e kombinimit të vaksinave kundër COVID-19

R Zh

Markus Söder i gatshëm të kandidojë për kancelar të Gjermanisë

R Zh

SHBA: Pikëpyetje për motivet e Moskës në kufirin me Ukrainën

R Zh

Pse Amerika është kundër “pasaportës së vaksinimit”?

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...