Agjencia Zhurnal.mk

Kacarska: Reformat duhet të të jenë të zbatueshme dhe jo vetëm të figurojnë në letër

Shkup, 21 janar, zhurnal.mk – Metodologjia e re për zgjerimin e Bashkimit Evropian tani numëron shtatë faza që shtetet kandidate duhet t’i plotësojnë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane kundrejt 35 kapitujve që janë aktualisht.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut, thonë se autoritetet e vendit duhet të fokusohen në realizimin me përpikmëri që do të dalë nga metodologjia e re e cila duhet të bëhet publike në fund të këtij muaji e që në fokus, siç thonë, pritet të jetë sundimi i drejtësisë.

“Për ne me shumë rëndësi është që të shohim se cili do të jetë kompromisi mes Francës si propozuese e metodologjisë së re dhe vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, dhe nëse Maqedonia e Veriut do të marrë sinjale pozitive që vendi të marrë datën për fillimin e bisedimeve në mars, ashtu siç janë skenarët më optimiste si parashikim”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Simonisa Kacarska, drejtore e Institutit për Politikë Evropiane.

Gjatë vizitës në Shkup Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, qartë ka porositur autoritetet e vendit se miratimi i Ligjit të ri për Prokurori Publike mbetet prioritet i lartë për Maqedoninë e Veriut edhe atë para shpërbërjes së parlamentit për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kur Komisioni Evropian do të publikojë një mini-raport për përparimin e reformave në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë, në bazë të së cilit pritet të vendoset data e fillimit të negociatave nga vendet anëtare të BE-së.

Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane, nënvizon se përmes metodologjisë e re insistohet që qytetarët t’i ndjejnë rezultatet e reformave para se vendi të bëhet anëtar i plotfuqishëm i Bashkimit Evropian.

“Qytetarët duhet t’i ndjejnë rezultatet e realizimit të reformave. Reformat duhet të të jenë të zbatueshme dhe jo vetëm të figurojnë në letër. Interesi i Maqedonisë së Veriut është të përfshihet sa më shumë në realizmin e kërkesave që do të përcaktojë Brukseli në bazë të metodologjisë së re për zgjerimin e BE-së”, thotë Kacarska.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare si shumë problematike e shohin mungesën e një konsensusi nacional në raport me procesin e integrimeve i cili, siç thonë, duhet të përfshihet në një plan konkret kombëtar duke krijuar një bashkëpunim të ngushtë mes pushtetit dhe opozitës, përfshi këtu dhe sektorin civil për të shtyrë bashkërisht procesin e integrimeve pa taktizuar, siç thuhet, për interesa të ngushta partiake gjatë miratimit dhe jetësimit praktik të ligjeve që janë pjesë e proceseve integruese.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...