Agjencia Zhurnal.mk

Kah të shkojmë!

Mersel Bilalli

U drodhën malet, polli një mi! Në mënyrën më grandioze në Vashington u plasua lajmi për një “Marrëveshje historike”, apo siç e quajnë disa në ironi – marrëveshje histerike! Tramp qëndronte në tavolinën e tij të punës në kolltukun presidencial, kurse dy mysafirët në karrige rasti. Do foto tjera ishin akoma më degraduese për mysafirët. Kjo tregon se Tramp këtë “marrëveshje historike” dëshiron ta ketë vetëm si kapital elektoral, e për asgjë tjetër. Por, starti nuk është edhe aq i keq. Kryeministri Hoti tha se kishin nënshkruar një marrëveshje për “normalizim ekonomik”, që do të çojë në “normalizim politik” dhe i cili pastaj çon në njohje të ndërsjellë. Por, këtu nuk e arsyeton barra qiranë. Fakt është se të gjithëve sikur u shpejtohet. Trampit për zgjedhjet, kurse Serbisë dhe Kosovës për shumëçka jetike. Serbia mbetet jashtë UE-së përderisa nuk normalizon marrëdhëniet me Kosovën dhe rajonin, kurse Kosova nuk mund të fillojë procesin integrues as në NATO e as në UE pa marrëveshje me Serbinë.

Rezervave të shprehura nga kryeparlamentaria e Kosovës Vjosa Osmani, Grenell në stilin e tij të njohur jodiplomatik ua ktheu – Kosovës i duhen politikanë që bëjnë më shumë se veç të ankohen. Por, pavarësisht qëllimit të marrëveshjes ekonomike të administratës amerikane, ajo nuk do të ndryshojë shumë në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Madje fare lehtë mund të ndodhë që “historike” të mbetet vetë harresa. Por, mjafton që trasohen kahje të duhura se kah duhet shkuar. Nëse ndodhin ndryshime në Shtëpinë e Bardhë, gjë që është edhe e pritur, gjithçka do të duhet të fillojë ndryshe.

Por, te marrëveshja tani më e trasuar duhet pasur parasysh tri çështje kyçe. E para ka të bëjë me Liqenin e Ujmanit ku parashihet një fizibilitet studim për shfrytëzimin e ujërave nga të dy shtetet. Fakt se Ujmani shtrihet në të dy shtetet. Ai buron nga Mali i Zi, kalon nëpër Serbi dhe përfundon në Kosovë. Ka sipërfaqe prej 11.9 kilometrash katrorë, prej të cilave 9.2 kilometra katrorë janë në territorin e Kosovës, kurse e 2.7 në atë të Serbisë. Në një pjesë të shtrirjes së Ujmanit, në 2.5 kilometra gjatësi, Ujmani është kufi mes Serbisë dhe Kosovës. Andaj këtu marrëveshja për shfrytëzimin racional të ujërave është e domosdoshme, gjithsesi bazuar në konventat ndërkombëtare mbi ujërat e lumenjve. Çdo shfrytëzim unilateral nuk është aspak i dobishëm. Këtu dëm të madh mund të bëjë sidomos Serbia, e cila mund të ndërtojë sisteme ujitjeje apo hidroenergjike në pjesën e vet dhe dukshëm të pakësojë sasinë e ujit për Kosovën. Kjo do të ishte vdekje edhe për sistemin energjetik të Kosovës (Obiliqin), i cili funksionon falë ujërave të Ujmanit, por edhe për sasinë e ujërave për pije që shfrytëzohet nga pjesa më e madhe e popullatës kosovare.

Madje edhe sikur të ndodhin korrigjime të caktuara kufitare në mes Kosovës e Serbisë (që butësisht mund të emërohen si “demarkacion”), ata assesi nuk duhet të prekin kufirin ekzistues në pjesën e Ujmanit, pasi ai është jetë për Kosovën. Marrëveshja eventuale do të duhet të përcaktojë modalitetet dhe format e shfrytëzimit të ujit nga ana e të dy shteteve. Ka territore tjera të cilat mund të shërbejnë për çfarëdo ekuilibrimi të pozicioneve të politikanëve dhe shteteve të tyre, por Ujmani gjithsesi duhet të mbetet në kufijtë ekzistues.

Çështja e dytë është e lidhjeve infrastrukturore (rrugore dhe hekurudhore) mes dy shteteve, madje edhe me Shqipërinë, ku Serbisë do t’i mundësohej dalja në portet e Shqipërisë. Këtu përfitime kanë të tri palët, por më së shumti kampusi shqiptar. Shkurtpamësi është që dalja e Serbisë me portet e Shqipërisë përmes Kosovës, të trajtohet si çështje në dëm të tyre. Fakti që Serbia përfiton në komunikacion për dalje në det, nuk kundërshton përfitimet e Kosovës nga transiti bilateral dhe rajonal. Ajo dukshëm do të përfitonte nga taksat e transitit. Poashtu edhe Shqipëria shumë do të përfitonte, edhe në financa edhe në relevancë politike. Gjithashtu ajo do të përfitonte edhe nga shfrytëzimi i porteve nga shumë kompani të fqinjëve. Këso gjendje pa dilemë se Serbisë i krijon varshmëri politike edhe ndaj Kosovës, kurse më shumë ndaj Shqipërisë. Kështu që Serbia do të kishte kujdes që të mos ingarkojë marrëdhëniet me elektricitet negativ, pasi do s’do ajo duhet të kalon nëpër ato shtete. Njëherit Bashkësia Ndërkombëtare dukshëm do të investonte në këto objekte tejet të rëndësishme infrastrukturore.
Çështja e tretë është “Zona e Mini-Shengenit”. Emërimi nuk është adekuat, por kur politikanët bëhen kumbarë asgjë e çuditshme. Në fakt fjala është për një union ekonomik e doganor mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Fjala është për një treg prej rreth njëzet milion njerëzve, i cili do të gjallëronte industrinë, tregtinë, bujqësinë, blegtorinë, turizmin, etj. Do t’i rriste shumë investimet e huaja në rajon. Mbi të gjitha, kombet do të qetësoheshin, e kështu edhe paqja e stabiliteti rajonal. Thirrja në të kaluarën është stupide sepse është tragjike sërish të kalohet nëpër ato rrugë. Edhe anëtarët e UE-së kanë humbur dhjetëra miliona jetë në luftërat mes veti, por tani po bëjnë përparim bashkërisht. Shtetet e Bashkuara dhe UE bëjnë mirë që punojnë në pacifizimin dhe integrimin e rajonit. Por, procesi nuk është aspak i lehtë. Shtetet perëndimore, vetëm disa vjet pas luftës, formuan tri organizata (për qymyr e çelik; për bashkësinë ekonomike; dhe për energjinë atomike) dhe filluan integrimin. Kurse këtu edhe pas 25 viteve nga luftërat, sikur akoma gërvishten plagët e vjetra për tu dukur të freskëta. Por, qëllimi është që t’i iket integrimeve, pasi kriminaliteti më i madh rajonal bëhet përmes kufijve dhe doganave.

Por, unioni doganor mund të ketë një problem pasi Serbia tashmë ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë dhe me Unionin Euroazian, dhe kjo mund të jetë një problem me shtetet tjera. Por nëse të dy traktatet harmonizohen, kjo mund të jetë një nxitje shtesë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ka mendime se “Mini-Shengeni” do ta largonte rajonin nga UE-ja! Pa dilemë se një bashkëpunim i tillë i Ballkanit Perëndimor mund vetëm të përshpejtojë procesin e integrimit në UE, pasi këto vende do të rrisin kapacitetin e konkurrencës jo vetëm brenda tregut të përbashkët, por edhe më gjerë, e cila gjë është një kërkesë esenciale e tregut evropian.
Nëse “Mini-Shengen” realizohet, kjo do të zvogëlojë presionin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar sa më shpejtë në UE. Brukseli është i gatshëm të paguajë para të mëdha vetëm për t’u vonuar anëtarësimet e reja në dhjetë vitet e ardhshme. Fakt është që UE-ja ka problemet e veta dhe shumica e qytetarëve të UE-së janë kundër zgjerimit me vende të reja në klubin e tyre të përçarë. Gjithashtu, disa anëtarë insistojnë që së pari të bëhen reforma brenda vetë UE-së, e më pas ajo të zgjerohet me kritere më të rrepta. Andaj, assesi nuk duhet kundërshtuar një treg i përbashkët me UE-në pa anëtarësim, pasi që edhe Austria dhe Finlanda së pari u bashkuan në treg të përbashkët, e më pas u anëtarësuan.

Por, ky është shpëtimi ynë përpara se dikush këtu i fundit t’i shuajë dritat, si dëshmitar i fundit se në këto treva paskan jetuar do popuj aq të grindur mes veti sa Zoti i ka mallkuar! Perëndimi është duke marrë shtresën tonë më vitale të popullsisë si fuqi punëtore sepse ata mirë e dinë se ne integrohemi më lehtë se pjesët afrikane e orientale. A kemi parasysh se san a kushton nje I ri nga lindja gjer te aftësimi, kurse dikush na e merr gratis! Nëse vazhdojmë kështu, këtu në një të ardhme jo aq të largët do të mund të popullzoheshin shumë Afgan, Indian, Sirian, Eritreas. Ne sikur gjithmonë dimë si ta humbasim atë që mund ta kemi këtu në vatrat tona, e që rrejshëm shpresojmë se lehtë do e arrijmë në vatrat e huaja! Por, së pari duhet të pushojmë t’u japim përkrahje atyre që ndërtojnë kalatë e lumturisë së tyre mbi gërmadhat e fatkeqësisë sonë.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...