Kandidatët për president përpos integrimit në BE duhet të jenë pro daljes nga Ballkani Hapur!

nga I.A

Shkup, 16 prill – Një nga kauzat kryesore të kandidatëve shqiptarë për president është integrimi i vendit në BE. Bujar Osmani nga Fronti Evropian në këtë qëllim është treguar më i drejtpërdrejt për qytetarët duke përcaktuar datë dhe kohë konkrete, vitin 2030. Për dallim prej Osmanit, Arben Taravari nga opozita shqiptare VLEN nuk ka caktuar ndonjë datë apo kohë por e ka pjesë të programit. Ajo që vlen të theksohet është se Taravari përpos integrimit në BE e ka pjesë të programit edhe dezintegrimin nga Ballkani i Hapur, projekti i dështuar. Prandaj, është e rendit edhe Bujar Osmani të pozicionohet në këtë drejtim, shkruan Zhurnal.

Të dilet njëherë e përgjithmonë nga projekti dështuar Ballkani Hapur –

Pozita e presidentit përfshin kompetenca në përcaktimet orientuese të vendit, prandaj të gjithë kandidatët përfshirë edhe ato maqedonas që garojnë për pozitën e të parit ët vendit është e rendit të përcaktohen nëse janë për dalje nga projekti i dështuar, Open Ballkan, ose nuk janë.

Pasi deklarativisht të gjith janë të pozicionuar për anëtarësim në BE e kjo është kontradiktë në vetvete pasi nuk mund të promovosh vlera evropiane kur je pjesë e projekteve anti-evropiane. Pasi Ballkani i Hapur tenton të zëvendësoj Procesin e Berlinit.

Prej kandidatëve për president vetëm, Arben Taravari, është prononcuar për këtë çështje dhe e ka zotim në programin e tij politik, ku shumë qartë ka theksuar se jemi për integrim në BE dhe dezintegrim nga Ballkani i Hapur. Por, ka lënë vakum në datat se kur mendon që do të realizohen këto dy zotime.

Nga ana tjetër, Bujar Osmani, kandidati i Frontit Evropian ka deklaruar shumë qartë dhe në mënyrë precize që planifikon deri në vitin 2030 ta integrojë tërësisht vendin në BE. Ajo që i bashkon kandidatët shqiptarë për president është zotimi se nuk do të bëhen pjesë e asnjë qeverie me partitë maqedonase nëse nuk janë dakord për ndryshimet kushtetuese.

Ballkani Hapur tendencë për të zëvendësuar Procesin e Berlinit –

Tentimet për të zëvendësuar idenë e Merkelit me atë të Vuçiqit ishin të pakuptimta dhe të panevojshme, madje ishin tejet të dëmshme për vendin dhe rajonin. Prandaj, nuk kishte nevojë për një bashkëpunim të iniciuara nga ide të reja, kur diçka e tillë veçse se ekzistonte qysh nëntë vite më parë. Pasi, Procesi i Berlinit është një nismë e ish-kancelares Angela Merkel të Gjermanisë në vitin 2014, për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në përafrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

“Ballkani Hapur” largonte shtetet nga Procesi i Berlinit, gjegjësisht anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Vuçiq bashkë me Ramen tentuan ta kërcënojnë BE-në se kinse paskan alternativa tjera të zhvillimit të rajonit, pra me këtë dërgoheshin mesazhe se munden edhe pa BE-në, e kjo i hapte rrugën e terrenin e përshtatshëm ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Nisma e Ballkanit të Hapur fillimisht u quajt Mini-Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u nënshkrua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Më 29 korrik 2021, ajo u pagëzua me emrin Ballkani i Hapur. Nisma u kundërshtua nga opozita në Shqipëri, dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal. Prandaj, edhe kundërshtoi fuqishëm deri sa vetë nismëtarët e kuptuan që gabuan dhe dështuan. Por, lëvizjet e fundit po tregojnë që akoma nuk janë bindur sa e si duhet që kjo ide është e gabuar.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2004. Ka vetëm statusin e vendit kandidat. Ende nuk i ka hapur negociatat për anëtarësim si pasojë e vetos bullgare që kanë të bëjnë me kontestin e hapur kryesisht mbi çështjet historike, tani vetoja është larguar me një marrëveshje që Maqedonia e Veriut t’i fut bullgarët pjesë integrale të Kushtetutës. Pritet që deri në fund të këtij viti të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në vitin 2009, është shtet kandidat, por ende nuk i ka hapur negociatat për anëtarësim, si pasojë e bllokadës nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut. Shqipëria dhe RMV janë paraparë si shtete bllok të fillojnë negociatat me BE-në. Edhe Mali i Zi është vend kandidat dhe ka aplikuar për pranim në BE në vitin 2008. Serbia, po ashtu, është shtet kandidat dhe ka aplikuar për pranim në BE në vitin 2009. Ndërkaq, Kosova vitin që lamë pas ka aplikuar për anëtarësim në BE por ende nuk e ka marrë statusin e shtetit kandidat. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More