Njësitet Antikontrabande të Doganës së Kosovës kanë zbuluar dhe sekuestruar një sasi të madhe barnash të kontrabanduara, pas marrjes së informatave nga qytetarët për prezencën e barnave pa banderola.
Në një kontroll të realizuar në një barnatore në Lipjan, janë gjetur dhe konfiskuar 6 mijë e 858 paketime të barnave të ndryshme me banderola të shteteve të huaja, konkretisht nga Serbia dhe Shqipëria.
Sasia e barnave të kontrabanduara llogaritet të ketë një vlerë prej rreth 20 mijë euro.
Si pasojë, ndaj palës përgjegjëse janë inicuar procedurat kundërvajtëse për veprimet e tyre të paligjshme.
Drejtoria e Doganës apelon te qytetarët që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë në mënyrë që të kontribuojnë në luftën kundër kontrabandës dhe kriminalitetit ekonomik.