Tetovë, 26 shtator – Kryetari i Komunës së Tetovës dhe kryetar i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami ka theksuar se koalicioni qeveritar është korrekt edhe përkundër mospajtimeve rreth ligjit për mbrojtësit.
“Koalicioni “Vlen” funksionon shkëlqyeshëm, po ashtu edhe koalicioni qeveritar është korrekt. Sigurisht që kemi shumë pika të përbashkëta, por kemi edhe pika ku dallojmë. Por mund të garantojmë që për sa kohë “Vlen” është pjesë e koalicionit qeveritar, nuk do të ketë kthim prapa të të drejtave të shqiptarëve. Sa i përket mbrojtësve, gjatë kohës që BDI ishte në pushtet, së paku tre herë është ndryshuar ligji që ua jep ato të drejta mbrojtësve dhe BDI nuk ka ngritur zërin. Kishte edhe një deklaratë përfundimtare të një zyrtari të qeverisë së kaluar, i cili pohon se edhe këto ndryshime që tani po tentojnë t’i shtyjnë LSDM-ja dhe BDI-ja, tashmë janë dakorduar me Ali Ahmetin. Prandaj i bëj thirrje që të mos jetë dyftyrës, le ta pranojë se gjithçka që iu është dhënë mbrojtësve, ndërsa nuk i është dhënë ushtarëve të UÇK-së është përfitim i Ali Ahmetit. Dhe duhet të dalë dhe ta thotë si burrë këtë”, ka theksuar Kasami në pyetjen e një gazetari, i cili së bashku me përfaqësues të policisë dhe ndërmarrjeve publike kanë ndjekur aksionin për çlirimin e sipërfaqeve publike.