Shkup, 27 mars – Anëtarësimi në aleancën më të fortë e të organizuar ushtarake në vend ishte një nga arritjet më të mëdha të vendit që pas pavarësimit. Madje, ishte aspiratë e vizion që duhej të realizohej edhe më parë, këtë e kërkonin dhe kishin nevojë qytetarët por edhe shteti në tërësi. Fakti që Maqedonia e Veriut si shtet pjesëmarrës gjeografikisht në Ballkan ë bën rrezikun të cenueshëm, prandaj nuk kishte “ombrellë” tjetër që eliminon këtë rrezik pos kësaj aleance, NATO-s. Por, tani që vendi është i sigurt dhe nuk cenohet siguria duhet të shikohen përparësitë tjera dhe mundësitë e prosperitet duke shfrytëzuar këtë arritje të madhe. Nëse shikojmë nga prizmi ekonomik nuk është që ka pasur ndonjë prosperitet të shquar, madje vendi vështirë ka depërtuar në tregun e NATO-s. Nga ana tjetër kompanitë e huaja nuk është se kanë parë dritë investimi në Maqedoninë e Veriut edhe pas anëtarësimit në NATO, shkruan Zhurnal.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në një seancë solemne shënoi katër vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO –
Seancën në të cilën morën pjesë anëtarët e Qeverisë e kryesoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ndërsa fjalë morën ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe zëvendëskryeministri i parë Bojan Mariçiq.
Në fjalimin e tij, kryeministri theksoi: “Nesër shënojmë përvjetorin e katërt të anëtarësimit tonë të plotfuqishëm në NATO. Për mua personalisht ky përvjetor është i një rëndësie të veçantë, sepse kam nderin të drejtohem si Kryeministër i një shteti që nuk ëndërron më për këtë synim strategjik, por kontribuon në mënyrë aktive dhe është anëtar i vlerësuar i Aleancës më të fuqishme të mbrojtjes në botë.
Duke i parë krizat aktuale në botë dhe të gjitha pikat e nxehta , vërtetohet korrektësia e të gjitha vendimeve të vështira që na çuan drejt anëtarësimit të sotëm në NATO. Ne i shohim dhe i dëgjojmë tmerret në mbarë botën, por pa frikë për ne, sepse e dimë se NATO është garancia më e fortë e sigurisë. Ajo është dëshmi se çdo sakrificë e bërë – ia vlente!”
Në seancën solemne foli edhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, e cila potencoi: “Përfitimi i parë kryesor është se me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, asnjëherë më nuk do të bëhet fjalë nëse mund të kërcënohet sovraniteti ynë, integriteti dhe siguria e qytetarëve.
“Për një vend që ka pak më shumë se 3 dekada pavarësi dhe ndodhet në Ballkan, anëtarësimi në NATO do të thotë një konfirmim i madh i pozicionit të tij ndërkombëtarë dhe një sukses i madh. Pra siguria vjen e para, pastaj kuptohet që siguria dhe stabiliteti garanton investime dhe një situatë më të mirë ekonomike në vend. Prandaj anëtarësimi në NATO ishte një synim strategjik i vendit që në momentin e parë të pavarësisë dhe duhet të jemi krenarë që e realizuam. Prej 4 vitesh nuk jemi një temë në tavolinë si vend ballkanik që duhet ndihmuar, por jemi të barabartë me të gjitha vendet anëtare dhe vendosim bashkë. Maqedonia e Veriut, nga një vend që bashkësia ndërkombëtare ndihmoi për të ruajtur paqen, tani është një vend që kontribuon në mënyrë aktive në sigurinë rajonale. Dhe nuk mund të bëhet fjalë për cenim të sigurisë sonë nga askush sepse në atë rast kemi një aleancë prej 32 shtetesh pas nesh. Urime 4 vjetori i anëtarësimit në NATO. Morëm një angazhim të madh, një përgjegjësi të madhe dhe arritëm rezultat. Urime ky sukses i madh historik i brezit tonë”, tha Petrovska.
Por, pas këtyre fjalimeve të gjata të politikanëve në formë falënderuese e mirënjohjeje duhet të shihet edhe dështimi i politikave për të shfrytëzuar këtë moment historik që anëtarësimi në NATO të sjellë edhe zhvillim ekonomik atë për të cilën kanë nevojë të madhe qytetarët. Siguria është esenciale por edhe zhvillimi ekonomik nuk duhet të anashkalohet.
Brenda katër vjetësh vetëm dy kompani sigurojnë tender në tregun e NATO-s
Me gjithë ndihmën nga Ministria e Mbrojtjes për katër vjet vetëm dy kompani të Maqedonisë së Veriut kanë arritur të dalin fituese në tenderët e NATO-s. Këto dy kompani kanë nënshkruar tri marrëveshje në sektorin e ndërtimtarisë dhe organizimin e ngjarjeve. Nga Oda Ekonomisë theksojnë se deri më tani asnjë nga anëtaret e saj nuk ka rritur që në formë direkte të marrë tender për furnizimin e Aleancës me ndonjë produkt të caktuar.
Gjatë vitit 2022, në kuadër të Odës Ekonomike në Maqedoninë e Veriut, ishte formuar Shoqëria e Biznesit të NATO-s që ka për detyrë të informojë dhe ndihmojë kompanitë maqedonase të interesuara për të marrë pjesë në tenderët e Aleancës Veri-Atlantike. Shoqërinë e Biznesit në NATO e drejton kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski.
Fajin për rezultatin e dobët të pjesëmarrjes së kompanive maqedonase në tregun e NATO-s, nga Oda Ekonomike ia hedhin mungesës së bashkëpunimit të kompanive vendore mes vete dhe me kompanitë e huaja, që të jenë konkurruese në një treg aq të madh sa është ai i Aleancës.
“Pikërisht ky është problemi kryesor: mungesa e përvojës dhe e lidhjes me kompanitë e huaja që tashmë janë të pranishme në tregun e NATO-s. Në përputhje me praktikën e tyre, pra si funksionon i gjithë ky sistem, tenderët e prokurimit fitohen nga furnitorë të mëdhenj, të cilët më pas lidhin marrëveshje me kompani të caktuara nga rajoni të regjistruara në sistemin e NATO-s. Problemi kryesor për kompanitë vendase është mungesa e informacionit se cilat kompani të huaja janë përfshirë në ata tenderë, në mënyrë që ato të lidhen me to si nënkontraktorë”, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë nga Oda Ekonomike.
Maqedonia e Veriut ka 14 zona të lira për të investuar kompani të ndryshme duke ju ofruar një kosto të ulët për tokën por edhe për klasën punëtore, por edhe kur janë të pjekura gjitha kushtet dhe mundësit investitorët mungojnë sepse edhe udhëheqësit e institucionin më përgjegjës në këtë rast, Agjencisë për Investime të huaja, mungojnë dhe nuk janë askund. Deri sa në këtë Agjenci të ketë mungesë përgjegjësie dhe llogaridhënie, nuk do të shtohen investimet e huaja, vetëm sa do të pakësohen, madje edhe këto investime aktive që janë bërë më herët do të tkurren si pasojë e mos koordinimit të duhur për të ofruar ndihmën e nevojshme. /Zhurnal.mk