Bruksel, 16 nëntor, zhurnal.mk – Zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE), Ana Pisonero, deklaroi se Komisioni akoma shpreson se negociatat me Maqedoninë e Veriut do të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, por nuk pranoi t’i komentonte deklaratat e ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva lidhur me historinë jugosllave të vendit, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Pas deklaratës, Zaharieva tha që “kremtimi i Titos” ishte i papajtueshëm me BE-në, Pisonero tha se Komisioni “nuk komenton komente”, por shtoi se “kushtet për anëtarësimin në BE janë mjaft të qarta”.
Bllokada e paralajmëruar nga Bullgaria në takimin ministror të nesërm në të cilën duhet të miratohet korniza negociuese e BE-së me Maqedoninë e Veriut nuk e dekurajon Komisionin Evropian.
“Pozicioni ynë është i qartë, Komisioni Evropian është i përkushtuar për ta mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur, që të ndodhë kjo, të gjithë janë të vetëdijshëm se është e nevojshme një marrëveshje në Këshill (vendet anëtare), është e pamundur të parashikohet, por është e qartë që ne i inkurajojmë të dy palët t’i forcojnë përpjekjet e tyre për të gjetur një zgjidhje”, deklaroi një zëdhënëse në konferencën e sotme të rregullt në Komisionin Evropian.
Ajo konfirmoi se Komisioni mbetet në kontakt me Presidencën gjermane, qëllimi i së cilës është t’i fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut deri në fund të këtij viti, ndërsa në të njëjtën kohë Komisioni vazhdon të kontaktojë edhe me Shkupin edhe me Sofjen.
Sa i përket kërkesës së Bullgarisë për të shtuar një kapitull në negociatat me Maqedoninë e Veriut në të cilat do të përfshiheshin kërkesat bullgare, Pisonero nuk deshi të komentonte.
“Ne nuk i komentojmë pikëpamjet individuale të vendeve anëtare, na duhet marrëveshje mbi tekstin nga të gjitha vendet anëtare, Komisioni e paraqiti propozimin e tij në korrik dhe ai do të publikohet vetëm pasi të ketë një marrëveshje në Këshill”, deklaroi Pisonero.
Sipas diplomatëve në Bruksel, një iniciativë e re e presidencës gjermane pritet shumë shpejt, në ditët në vijim, që të afrohen pozicionet e Shkupit dhe Sofjes me shpresën se konferenca e parë ndërqeveritare mund të mbahet para fundit të presidencës gjermane me BE-në, por shpresat janë të vogla. Diplomatët nga vendet anëtare për MIA-n thonë se pozicioni i Bullgarisë është “shumë i fortë” dhe është e mundur që çështja të shtyhet deri pas zgjedhjeve në Bullgari të cilat do të mbahen në mars të vitit të ardhshëm.