Këpucët me sedefe të kuqe, të cilat aktorja Judy Garland i kishte mbathur në filmin “The Wizard of Oz” gjenden në ankand. Ky ankand ka filluar online dhe do të vazhdojë deri më 7 dhjetor dhe aktualisht oferta më e lartë ka arritur në mbi 812 mijë dollarë amerikan.
Këpucët, të cilat janë të zbukuruara me sedefe e perla, janë kthyer në ankand nga Michael Shaw, një koleksionist i cili ka pasur ato në pronësi që nga viti 2005. Në atë vit, Shaw i kishte dhënë në huazim këpucët për muzeun “Judy Garland” në Grand Rapids të Minnesotas. Por, atë verë, dikush theu një vitrinë dhe i vodhi këpucët. Për shumë vite vendndodhja e tyre mbeti e panjohur, derisa FBI arriti t’i gjente ato në vitin 2018, shkruan The Guardian.
Ishte një vjedhje e planifikuar nga Terry Jon Martin, një burrë 76-vjeçar, i cili më vonë e pranoi krimin. Ai kishte menduar se këpucët ishin të mbuluara me gurë të vërtetë të çmueshëm, sepse një mik i tij i vjetër i kishte thënë se këpucët ishin siguruar me 1 milion dollarë për shkak të “gurëve të çmuar”.
Sot, muzeu “Judy Garland” është një nga ata që po konkurron për t’i blerë këpucët në fjalë, pasi janë një nga katër palët e mbetura të këpucëve origjinale nga filmi. Muzeu po mbledh fonde përmes festivaleve dhe mbështetjeve shtetërore për t’i kthyer këpucët në vendin e origjinës në Grand Rapids.
Përveç këpucëve me sedefe te kuqe, ankandi do të përfshijë edhe sende të tjera nga “The Wizard of Oz”, si kapela e personazhit shtriga e keqe e perëndimit, Margaret Hamilton, dhe dera nga shtëpia e Dorothyt në Kansas.
Me gjithë historinë e gjatë dhe të veçantë që këto këpucë kanë, është e mundur që çmimi i tyre të rritet më tej përpara përfundimit të ankandit më 7 dhjetor.
Skenë nga filmi “The Wizard of Oz”: