Keqmenaxhimi e solli shëndetësinë në “vdekje klinike”!

nga Redaksia

Shkup, 7 maj – Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari thuajse është në largim nga kjo pozitë pas mbledhjes së mbrëmshme midis liderëve të VLEN-it dhe kryeministrit Mickoski, ku u kërkua që kryetari i ASH-së të largohet nga qeveria pas bashkëpunimit me BDI-në. Por, në largim e sipër, shtrohjet çështja se a e kreu me sukses pozitën e ministrit të shëndetësisë Arben Taravari. Të dhënat e fundit tregojnë se problemet në shëndetësi janë shumë të thella dhe ky keqmenaxhimi e ka lënë këtë sektor në një kolaps të plotë, shkruan Zhurnal.mk.

Rritet borxhi në shëndetësi

Borxhet në kujdesin shëndetësor publik po rriten. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, borxhi u rrit me 5.4 milionë euro krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Shërbimi për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në Kujdesin Shëndetësor mbetet më i debituri, me një borxh rekord prej rreth 25 milionë eurosh. Ky shërbim është gjithashtu ndër dhjetë debitorët më të mëdhenj në vend. Klinika Universitare e Onkologjisë nuk është më midis dhjetë debitorëve kryesorë në listën e tyre. Arriti ta ulë borxhin nga dhjetë në tetë milionë euro, por pavarësisht kësaj, mbetet në 30 vendet e para në listën e borxheve të Ministrisë së Financave. Midis tridhjetë të parëve është edhe Qendra Shëndetësore-Shkup, borxhi i së cilës u rrit nga 3.2 në 3.5 milionë euro. Shëndetësia publike, pas ndërmarrjeve publike në nivel qendror dhe lokal dhe bashkive, mbetet ndër sektorët më të borxhlidhur në vend. Fondi i Shëndetësisë thotë se kryhet mbikëqyrje e rregullt mbi operacionet financiare të institucioneve publike të shëndetit, dhe përveç kësaj, kryhen edhe kontrolle të jashtëzakonshme me kërkesë të vetë institucioneve ose pas vlerësimit nga menaxhmenti i Fondit, të cilat më pas i dorëzohen Ministrisë së Shëndetësisë, Financave dhe Zyrës së Auditimit të Shtetit.

Në klinikën e Tetovës s’kryhen ndërhyrje kirurgjike ortopedike

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari nuk ka njohuri që në Spitalin Klinik në Tetovë, prej një viti tashmë nuk kryhen ndërhyrje kirurgjike ortopedike. Pacientët dërgohen kryesisht në Shkup. Në Tetovë, ndërhyrje kryhen te një përqindje tejet minimale. Shkak për mos kryerjen e operacioneve në Ortopedi dhe Traumatologji, është mungesa e materialeve për operim. “Unë nuk kam ndonjë informatë, me siguri drejtori e di më tamam”, deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë. Këtë e konfirmoi edhe vetë drejtori i Spitalit klinik, Agim Berisha, i cili tha se ka ngecur puna sepse nuk ka materiale.

Mungesa e materialeve për operim në repartin e ortopedisë dhe traumatologjisë nuk është problem i vetëm i spitalit të Tetovës, thotë Shefi i repartit të ortopedisë, Arton Neziri. Ai tha se ky repart ka edhe mungesë të mjekëve.
Rënia e numrit të operacioneve të kryera ka nisur në vitin 2023, kur nga gjithsej ka pasur 140 operacione, ndërsa një vit më vonë vetëm 40 operacione, ndërsa viti 2025 ka pasur vetëm tetë operacione, edhe atë me disa materiale që kanë ngelur.

Keqmenaxhimi e vendosi shëndetësinë në kolaps!

Edhe pse dihej se sektori i shëndetësisë ka probleme të mëdha, sërish në opinion ishte krijuar bindja se po menaxhohen deri diku mirë. Por, Arben Taravari, që nga fillimi i marrjes së pozitës së ministrit të shëndetësisë u përball me probleme të shumta. Fillimisht mjekët nuk ia pranonin drejtorët e emëruar, ndërsa më pas ndodhën maltretime të fëmijëve dhe vdekje të tyre në klinikën e pediatrisë. Ma vonë kishte krizë në spitalin në Kozle, kurse trgjedi në vete ishte rasti i vdekjes së pacientit në Kumanovë. U shkarkuan drejtorët nëpër këto spitale, por dëmi ishte shumë i madh.
Gabim shumë i madh në sektorin e shëndetësisë ishte edhe vendimi i Taravrit që mos të lejojë më të ketë drejtorë ekonomik nëpër spitale. Arsyetimi ishte i kotë, kinse të ulen shpenzimet, por kjo shkaktoi pakënaqësi te qytetarët, sidomos ata shqiptarë, kur dihej se drejtorët ekonomik kryesisht ishin shqiptarë. Thënë ndryshe, me anë të drejtorëve ekonomik, balancohej forca në menaxhimin e spitaleve. Taravari për të mbrojtur klikën e tij të mjekëve, e arguemntoi se s’ka nevojë për drejtorë ekonomik, por vetëm për drejtorë mjek, të cilët duhet ta menaxhojnë një spital.
Në realitet kjo shkaktoi probleme të mëdha, sepse mjekët nuk po tregohen të duhur në menaxhimin e spitaleve në sferën e furnizimeve publike ose në krijimin e kushteve më të mira për pacientët. Prandaj, kemi raste si ai në spitalin e Tetovës, ku për shkak të materialeve të duhura, nuk mund të kryhen operacione.

“Maja e ajsbergut” doli në pah kur ndodhi tragjedia në Koçani. Edhe pse në dukje të parë kishte pasyqrim se po menaxhohet mirë kjo krizë, në shesh dolën probleme të shumta. Më shumë se gjysma e pacientëve u transferuan jashtë shtetit, duke i lutur shtetet fqinje dhe aleate që të marrin për mjekim këto pacientë të dëmtuar. Kjo tregoi se sistemi i shëndetësisë ishte i kalbur dhe në një kolaps të vërtetë, ose siç thonë mjekët është në “vdekje klinike”, sepse në gjithë ato spitale e klinika nuk ishim në gjendje të mbajmë pacientët tanë.

Për shëndetësinë është folur shumë në të kaluarën dhe është fakt se ka shumë probleme serioze, por një menaxhim i mirëfilltë do të krijonte përmirësim dhe jo shkatërrim edhe më të madh dhe zhytje në borxhe më të mëdha. Andaj, një kolaps i tillë kërkon përgjegjësi dhe jo shfajësim!

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More