Getting your Trinity Audio player ready...
|
Shkup, 15 maj – Në prag të zgjedhjeve lokale, rikthehet pyetja e ndjeshme: A do ta fitojnë shqiptarët Kërçovën edhe këtë herë? Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti, ka dhënë një përgjigje të prerë “po”. Ai shprehet se BDI, në bashkëpunim me shqiptarët e Kërçovës dhe diasporën, e ka mbrojtur dhe do ta mbrojë këtë komunë, duke siguruar se fitorja është e pashmangshme. Por a është kjo siguri politike e mbështetur në të dhëna reale apo është vetëm një përpjekje për të motivuar elektoratin? shkruan Zhurnal.
A rrezikohet Kërçova të mos fitohet nga shqiptarët?
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kandidati shqiptar, Fatmir Dehari, nga radhët e BDI-së fitoi në Kërçovë me rreth 53.5% të votave, duke mposhtur kandidatët maqedonas në një garë të ngushtë. Nga gjithsej rreth 55.000 votues të regjistruar, në raundin e dytë dolën vetëm rreth 26.000 votues, ku një pjesë e madhe e fitores iu atribua mobilizimit të diasporës shqiptare.
Struktura etnike e Kërçovës, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë (2021), është si më poshtë:
Shqiptarë: 52%
Maqedonas: 44%
Të tjerë (romë, turq, boshnjakë): 4%
Kjo strukturë tregon qartë se çdo ndarje e votës shqiptare rrezikon humbjen e komunës. Fitorja nuk është e sigurt nëse bashkëpunimi ndërpartiak nuk është funksional ose nëse kandidatët shqiptarë dalin të ndarë.
Ahmeti: Koordinim me ASH dhe Frontin Europian
Faton Ahmeti deklaron se marrëdhëniet ndërmjet BDI-së dhe ASH-së janë në një fazë të avancuar bashkëpunimi dhe se Fronti Europian është i sinkronizuar për të garuar me një kandidat të përbashkët. Takimet mes Ali Ahmetit dhe Ziadin Selës janë shenjë e vullnetit politik për ruajtjen e unitetit shqiptar në këtë komunë strategjike.
Por realiteti lokal mbetet sfidues. Nëse në skenë shfaqen kandidatë të pavarur apo të partive jashtë Frontit, votat shqiptare mund të përçahen dhe të krijojnë terren për kandidaturat maqedonase të cilat, ndonëse në minorancë numerike, mund të përfitojnë nga pasiviteti apo përçarja shqiptare.
Në zgjedhjet e kaluara, diaspora ka pasur një rol kyç në rezultatet në Kërçovë. Sipas të dhënave jozyrtare, rreth 3000–3500 votues nga diaspora u angazhuan në procesin zgjedhor për të mbështetur kandidatin shqiptar. Por pjesëmarrja e diasporës varet nga shumë faktorë: lehtësitë logjistike, motivimi politik dhe qasja institucionale ndaj mërgatës.
Nëse nuk krijohen kushte konkrete për votimin e diasporës dhe përfshirjen e saj aktive, kjo kartë e fuqishme mund të mos funksionojë si më parë. Të dhënat demografike, përvojat e kaluara dhe dinamikat e brendshme politike tregojnë se fitorja e shqiptarëve në Kërçovë nuk është automatike, por e mundshme, nëse:Ruhet uniteti politik shqiptar, Mobilizohet diaspora me efektivitet, Fushata bazohet në oferta konkrete për qytetarët, jo thjesht në retorikë.
Prandaj, nëse merren parasysh këto tre parametra të lartëpërmendur fitorja është e garantuar dhe Komuna e Kërçovës vazhdon të udhëhiqet nga shqiptarët. Gjë që edhe duhet të ndodhë. Politikanët shqiptarë duhet të binë në ujdi dhe të lënë inatet personale e partiake anash të gjithë bashkë për ta ruajtur Komunën e Kërçovës me shumicë shqiptare që të udhëhiqet akoma nga shqiptarët. /Zhurnal.mk