Kërkohen punëtorë, por ende biznese që ofrojnë rrogë vetëm 150 dhe 200 euro!

nga Redaksia

Shkup, 29 mars – Sipas të dhënave të Entit shtetëror të statistikës, në tremujorin e katërt të vitit 2023, shkalla e vendeve të lira të punës është 1.90 %. Numri i vendeve të punës të plotësuara ishte 491.188, ndërsa i vendeve të lira, 9 518.
Shkallë më të lartë të vendeve të lira të punës ka prej 3.44 % në sektorin F – Ndërtimtaria, ndërsa shkallën më të ulët e ka sektori D – Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar që është 0.47 %.

Subjektet afariste me numër të punësuarish nga 250 dhe më shumë kanë shkallë më të lartë të vendeve të lira të punës, që shënon 2.05 %.
Rajoni i Pellagonisë ka shkallën më të lartë të vendeve të lira të punës, që shënon 2.62 %.
Numër më të madh të vendeve të lira të punës, respektivisht 2 656, ka në grupin e pestë të profesioneve – Punëtorë në veprimtari shërbimesh dhe shitjesh.

Rriten kërkesat për punëtorë, rritet edhe numri i të papunëve!

Maqedonia e Veriut në shumë askpekte konsiderohet si “vend i çudirave” në konotacion negativ, e kjo vlen edhe kur bëhet fjalë për papunësinë. Deri sa gjithandej kemi mbishkrime ku kërkohen punëtorë e punëtore, numri i të papunëve vazhdon të rritet, shkruan Zhurnal.
Agjencia e Punësimit para ca kohe ka publikuar edhe shifrat për muajin shkurt, të cilat thonë se tashmë është muaji i tretë në të cilin trendi i rritjes së numrit të papunëve në vend nuk ndalet. Dhjetori i vitit të kaluar ishte muaji i parë në të cilin ky numër u rrit dhe në mënyrë të konsiderueshme me rreth tre mijë persona.

Një numër i madh i kompanive dhe punëdhënësve në vend i ka zënë paniku se kanë mungesë të punëtorëve, prandaj importi i fuqisë punëtore nga vende të treta, po përpiqet të zvogëloj hendekun e mungesave. “Vendi e mbylli dhjetorin e vitit të kaluar me 105,452 persona të regjistruar si punëkërkues. Në janar të këtij viti kemi një rritje të re të atij numri, përkatësisht 105.803 të papunë, që do të thotë se janë 351 persona të rinj që presin në listën e Agjencisë për të gjetur punë. Në muajin shkurt vazhdoi trendi i rritjes së numrit të papunëve, duke u ngjitur në 106,618 persona, që do të thotë se tashmë në muajin e dytë të vitit kemi 815 të papunë të rinj. Në vetëm dy muaj, 1,166 të papunë të rinj, që iu shtuan atyre 2,708 në dhjetor, tashmë një shifër prej 3,874 personash në tre muaj”, thonë nga Agjencia e Punësimit.

E kanë me vend analistët që vlerësojnë se disproporcioni i çuditshëm mes numrit të lartë të papunëve dhe mungesës së fuqisë punëtore është pasojë e mungesës së punëdhënësve seriozë. Shumë ndërmarrje ende kërkojnë punëtorë me paga 150 ose 200 euro, me mundësi që një punëtorët tua kthejnë një pjesë të pagës zyrtare që ua lëshojnë në xhirollogari. Poashtu mungon serioziteti edhe në garantimin e punësimit afatgjatë. Punëdhënësit angazhojnë punëtorë kur kanë nevojë dhe i largojnë nga puna kur të dojnë. Për fat të keq edhe ligji edhe “maliqi” tek ne ende janë në anën e punëdhënësit, e jo në anën e punëtorëve, që do të thotë se ata nuk janë të mbrojtur sa duhet nga diskriminimi dhe eksploatimi në punë. Krejt kjo shkakton që shumë qytetarë më mirë të pajtohen me ndihmë sociale, se sa të pranojnë të punojnë, shkruan Zhurnal.
Kuptohet se krahas kësaj kemi edhe mjaft qytetarë që nuk mund të gjenden për shkak të mungesës së kulifikimeve dhe njohurive profesionale në sektorët ku më së tepërmi kërkohet punë, kemi edhe të atillë që nuk duan të punojnë sepse “më shumë llogari” kanë të qëndrojnë në shtëpi.

Punë ka, punë nuk ka!

Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë së Punësimit, në fund të vitit 2023 janë regjistruar zyrtarisht si punëkërkues aktivë 19.240 persona nga mosha 15 deri në 29 vjeç, që përbën 18,2% të numrit të përgjithshëm të të papunëve. Por, përveç kësaj, Agjencia ka regjistruar edhe 47.300 persona të tjerë si punëkërkues “pasivë”, ku sërish shfaqen të rinj, por nuk është publikuar struktura e moshës së këtij grupi të të papunëve. Pavarësisht se statistikat regjistrojnë vazhdimisht largim të popullsisë së re të aftë për punë nga njëra anë dhe reduktim të vazhdueshëm të papunësisë në nivel shtetëror nga ana tjetër, papunësia e “të rinjve” mbetet ende një problem i madh. “Portalb”-i ka bërë një analizë përmbledhëse të numrit të të papunëve sipas moshës dhe sipas qyteteve, me ç’rast të dhënat tregojnë se përveç Shkupit, numrin më të madh të të papunëve nga 15 deri në 29 vjeç e kanë edhe Gostivari, Kumanova dhe Tetova.
Konkretisht, në Shkup, ku është koncentruar pjesa më e madhe e numrit të përgjithshëm të të papunëve, në fund të vitit të kaluar janë regjistruar 4.076 punëkërkues aktivë nën moshën 29 vjeçare. Në katër vendet e radhës gjenden Tetova me gati 2.700 të papunë, Kumanova me gati 2.000, Gostivari me gati 1.400 dhe Prilepi me pak më shumë se 1.100 të papunë nga mosha 15 deri në 19 vjeç. Nëpërmjet Planit Operativ 2024, të cilin tashmë e ka publikuar “Portalb”-i, këtë vit planifikohet punësimi i 11.622 personave, shumica të rinj deri në moshën 29 vjeç. Ekspertët komentojnë se masat e tilla që synojnë papunësinë e “të rinjve” duhet të zbatohen sistematikisht dhe në mënyrë të barabartë në të gjithë rajonet.

“Është shumë e rëndësishme që masat të jenë njëlloj të qasshme për të gjithë, në të gjitha rajonet. Që të mos përsëriten të njëjtët njerëz me masat, më saktë që disa persona të përdorin vazhdimisht masat, e të tjerët të mos kenë sukses në këtë, nëse e dimë se zbatohet parimi “i pari që ka ardhur, i pari shërbehet” për të gjithë ata që aplikojnë dhe që i plotësojnë kriteret” – thotë një nga ish-drejtoret e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska.
Janë tre qytete në vend ku janë regjistruar zyrtarisht më shumë se 10 mijë të papunë. Në fund të vitit të kaluar në Shkup kishte 22.863 të papunë, në Tetovë 13.198 dhe në Kumanovë 10.716./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More