Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni

Këtë javë finalizohet pakoja e pestë e masave ekonomike

Shkup, 3 shkurt  – Pakoja e pestë e masave anti-krizë pritet të finalizohet këtë javë nëse arrihet konsensus me të gjithë palët e interesuara. Do të peshojë rreth 150 milionë euro dhe askush nuk do të anashkalohet. Fondet sigurohen si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë, posaçërisht për më të prekurit nga pandemia.

Siç thanë dje zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike Fatmir Bytyqi dhe ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, pritet shkurti të jetë vendimtar për zbatimin e pakos së pestë. Mbështetja e pagave nuk do të mungojë, por po diskutohen dy mundësi, nëse të vazhdojmë mbështetjen si deri tani apo ta zëvendësojmë me kredi pa interes. Sidoqoftë, edhe nëse ka një zëvendësim të kësaj mase me mas të re – për mbështetjen e pagave përmes linjës së kreditit të Bankës së Zhvillimit, kriteret duhet të mbeten të njëjta që ndihma të merret nga të gjithë që kanë nevojë.

“Pakoja e pestë e masave ekonomike për mbështetje të ekonomisë dhe qytetarëve për ballafaqim me Kovid-19 do të peshojë mes 50 dhe 60 milionë euro si implikime të drejtpërdrejta të buxhetit, por si implikime fiskale do të jetë rreth 150 milionë euro. Pritet të finalizohet këtë javë nëse arrijmë konsensus me të gjithë aktorët e interesuar.Do të ketë mbështetje financiare për pagat siç ishte më parë, sepse edhe ndihma e mëparshme nuk ishte e pakushtëzuar. Edhe më herët, duhej përmbushur disa kushte që ndihma të bëhej e pakthyeshme, të njëjtin mekanizëm e përdorim edhe tani. Tani po diskutohet për të dy opsionet me sindikatat, Odat ekonomike dhe të gjithë të tjerët – të vazhdohet me mbështetjen si më parë ose ajo të zëvendësohet me kredi pa interes. Këtë javë do të duhet të vendosim bashkërisht me të gjithë aktorët e interesuar se cila është masa më e mirë, duke pasur parasysh që ngadalë po rimëkëmbemi dhe po hyjmë në rinisjen e ekonomisë”, deklaroi Bytyqi.

Ai theksoi se dhënia e vauçerëve për qytetarët ka qenë një masë ad-hok e bërë në një kohë krize dhe se me të janë mbuluar pothuajse 700 mijë qytetarë, por shtoi se grupi i masave që tani parashikohet përfshin një masë për ta shlyer interesin e mbetur që i kanë qytetarët në ndërmarrjet publike në nivelin lokal ose kombëtar, që, siç tha, do të thotë ndihmë më e madhe e drejtpërdrejtë për qytetarët. Në gjithë pakon ka më shumë se 20 masa nga e cila do të vijnë mjaft mjete për ata që janë më të rrezikuar.

“Nëse ka nevojë në muajt e ardhshëm, do të ketë masa të reja për qytetarët. Askush nuk mbetet jashtë masave, sepse të gjithë qytetarët janë të rëndësishëm për ne si Qeveri dhe do të mbulohen nga masat e ndryshme në pakot e ndryshme që i miratojmë. Si qeveri, e dimë që akoma do të ballafaqohemi me Kovid-19 dhe kjo është arsyeja pse ne kemi krijuar programe në ministritë resor në të cilat në disa programe i kemi shtuar me fonde shtesë për qytetarët”, tha Bytyqi.

“Ne nuk mendojmë për kritere përmes të cilave do t’u themi disave se tani nuk ka para. Nuk është një linjë klasike kredie, ne thjesht ndryshojmë zëvendësuesin. Kjo është në frymën e zhvillimit dhe rifillimit të ekonomisë, ndërsa në mënyrë shtesë i motivojmë kompanitë të tregojnë rezultate financiare pozitive për të marrë një shumë të caktuar të fondeve të pakthyeshme. Askush nuk do të mbetet jashtë. Ndjekim që është duke u zvogëluar numri i ndërmarrjeve dhe vendeve të punës që kanë nevojë për mbështetje dhe kanë rënie prej më shumë se 30 për qind. Nëse në prill kishte 128 mijë të punësuar që kishin nevojë për mbështetje financiare prej 14.500 denarë, në dhjetor ka rreth 60 mijë të punësuar nga rreth 11 mijë kompani që e përdorën këtë mbështetje dhe morën mesatarisht 15.800 denarë”, tha Bytyqi.

Ministri Bekteshi u rekomandoi deputetëve ta miratojnë skemën garantuese që të mundësohet zbatim i masave.

Qeveria dhe të gjithë që marrin pjesë në këshillin socio-ekonomik, shtoi, dëshirojnë të sjellin masa sa më të mira që t’i dalim në ndihmë ekonomisë veçanërisht sektorit hotelierik dhe turimzmit.

“Disa masa të caktuara janë paraparë edhe në pakon e pestë të masave ekonomike në pjesën e pagesës së pagave, por njëherësh edhe me ofrimin e kredive pa interes dhe ngjashëm. Shumica e kërkesave të sektorit hotelierik dhe turizmit do të pranohen. Si institucion tashmë kemi bërë analizat përkatëse dhe nuk do të mbetemi pasivë, por masat do të jenë në drejtim të proaktivizimit edhe të institucioneve por edhe të hotelierëve. Të gjithë ata të cilët në fund të vitit 2021 do të dëshmojnë rezultate shtesë të viteve të kaluara duke i përfshirë edhe vitin 2019 dhe 2020 do të ndihmohen më shumë. Ata të cilët do të jenë pasivë do të ndihmohen si të gjitha firmat të cilat do t’i përmbushin kushtet”, tha Bekteshi.

Paralajmëroi se gjatë fundit të kuartalit të parë të këtij viti do të publikohet thirrja publike për vauçerët për turizmin vendor nga Ministria e Ekonomisë.

“Do të ketë kritere të ndryshme prej vauçerëve të dhënë paraprakisht gjatë pandemisë. Vlera e çdo vauçeri do t jetë 250 euro për familjet të cilat janë më të goditura dhe kanë të ardhura më pak se 30.000 denarë”, saktëson Bekteshi.

Agjencitë turistike kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të Bytyqi dhe Bekteshi se është e mundur që pakoja e pestë e masave nga mbështetja financiare për paga të zëvendësohet me kredi pa interes. Ata janë të përpiktë – nuk pranojnë kredi, por kërkojnë mbështetje financiare për pagat, dmth të kthejnë në pakon e re pagesën e pagave.

Bytyqi dhe Bekteshi presin që masat ekonomike të mbështeten nga opozita, e cila, sipas tyre, thotë publikisht se është në mbështetje të qytetarëve dhe ekonomisë në tërësi.

Sektori i turizmit, siç thuhet në kumtesë, ka frikë nga kushtet e kredive. Ai beson se nëse bëhet fjalë për ndihmë, ato duhet të shkurtohen ose të mos ketë aspak.

Sipas agjencive turistike, mbështetja financiare për pagat u tregua si një prej masave më të mira për shtetin për të kursyer punë që dhanë shpresë për mbijetesë edhe me ato të ardhura minimale që nuk janë të mjaftueshme për të mbijetuar, por gjithsesi nënkuptonte siguri dhe qetësi shpirtërore për punonjësit derisa të vijë koha të funksionojnë përsëri.

Ata janë të kënaqur me grantet dhe ndihmën financiare në vitin 2020, por kjo, thonë ata, duhet të jetë e vazhdueshme.

“Grantet ishin në vlerë prej 1500 deri në 7000 euro, ndërsa mesatarisht shpenzimet më të ulëta të një agjencie turistike për shpenzimet e përgjithshme pa mbulim të pagave është 18,000 euro. Dhe nëse kthehemi në faktin se rënia e xhiros është mbi 90 përqind, si t’i mbulojmë këto kosto? Grantet ndihmuan, por nuk mund të themi se ato mjaftonin që këto kompani të mbulonin vetë kostot e pagave. Në vend që të shikojmë problemin pse disa kompani që kishin të punësuar për një muaj të caktuar, dy dhe tre, dhe nuk i pushuan nga puna, por kontrata e tyre përfundoi dhe për atë arsye u përjashtuan nga ndihma e pagës, kësaj radhe të konsiderohet për ndihmë financiare për pagat, ndërpritet. Sektori i turizmit beson se shteti nuk dëshiron të lejojë që ky sektor të zhduket. Kur situata të kthehet në normalitet me punën dhe pagimin e taksave, ky sektor do të ndihmojë në mbushjen e buxhetit, dhe çfarë nëse lihet të zbehet”, reagojnë agjencitë.

VMRO-DPNE vlerëson se masat ekonomike nuk janë të mjaftueshme dhe se mbështetja nga shteti është minimale. (Zhurnal.mk)

Postime të ngjashme

Moti për ditët në vijim në Maqedoni

D V

Xhambaski: Nëse respektohen “vijat e kuqe”, komisioni maqedono-bullgar nuk do të mund të funksionojë

D V

OBRM-PDUKM: Mini-Shengeni nuk është një alternativë e BE -së

D V

Priten variante të ndryshme të Covid-19! Mund të rekomandohet marrja e dozës së tretë e vaksinës

D V

Edhe katër të rinj arrestohen pasi kapen me marihuanë!

R Zh

Zaevi për “Ballkan të Hapur”: Derisa BE-ja nuk e përmbush premtimin, ne do punojmë për një jetë më të mirë

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...